Haradinaj: Lufta kundër korrupsionit ndriçon të ardhmen e fëmijëve tanë

Aktuale

Haradinaj: Lufta kundër korrupsionit ndriçon të ardhmen e fëmijëve tanë

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 12:01
Tryeza e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në tryezën e organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit, ku u prezantuan çështjet kryesore të autidimit për vitin 2016 dhe progresi në zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga raportet e auditimit.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj përgëzoi Auditorin e Përgjithshëm për punën që po bën dhe e ftoi që të jetë sa më konkret në detyrat dhe punën e tij.

Haradinaj, kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të raportojnë për korrupsionin dhe ta trajtojnë me seriozitetin më të madh, duke theksuar se situata imponon ndërmarrjen e hapave të duhur në luftën kundër korrupsionit dhe në shërbim të përmirësimit të gjendjes në shoqërinë tonë.

Kryeministri kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve në eliminimin e korrupsionit.  

 “Korrupsioni duhet të pasqyrohet në mënyrë reale në të gjitha raportet dhe gjetjet duhet të jenë të paraqitura në mënyrë substanciale”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se nëse korrupsioni luftohet në mënyrë substanciale, nrdriçohet e ardhmja e fëmijëve.

 Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, kërkoi që Qeveria e Kosovës të iniciojë një proces të monitorimit sistematik dhe të kërkojë nga të gjitha organizatat buxhetore të zbatojnë me kohë rekomandimet e Auditorit. Ai ka vlerësuar punën dhe rezultatet e institucionit që udhëheq dhe ka falënderuar mbështetjen nga donatorët ndërkombëtar përmes projekteve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat