Hajdari në Beograd: Kurrë nuk do të ketë amnisti për ata që kryen krime

Aktuale

Hajdari në Beograd: Kurrë nuk do të ketë amnisti për ata që kryen krime

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 12:06
Drita Hajdari

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Drita Hajdari në konferencën për personat e zhdukur në Beograd, ka deklaruar se rezultate të kënaqshme në zbardhjen e fatit e të zhdukurve mund të arrihen vetëm me bashkëpunimin e palëve ndërluftuese, ndërsa mosbashkëpunimi vetëm do ta vazhdojë ankthin e familjarëve të cilët nuk e kanë asnjë minutë të qetë deri sa nuk zbardhet fati i të dashurve të tyre.

Ajo ka thënë se është jonjerëzore, e pamoralshme dhe e kundërligjshme që viktimat të ndahen në bazë të përkatësisë etnike sikur që është kundërligjshme siç është edhe e pamoralshme që kriminelët e luftës, në bazë të përkatësisë etnike të glorifikohen si heronj.

Ja fjalimi i plotë i prokurores Hajdari:

Jemi mbledhur në këtë Konferencë të bëjmë përpjekje për zgjidhje të një çështjeje shumë të ndjeshme siç është çështja e personave të zhdukur e cila mbanë peng mijëra familje, anëtarët e të cilëve janë në këtë listë që përfshinë mbi 1560 persona të të gjitha nacionaliteteve, gjinive dhe moshave, ndaj të cilëve kemi detyrim ligjor dhe moral .

Është detyrim ligjor dhe e drejtë elementare e njeriut që familjarët të informohen për fatin e anëtarëve të familjeve që kanë persona të zhdukur. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për përfundimin e luftës, palët ndërluftuese është dashur të tregojnë se ku janë personat e zhdukur, por se nuk e kanë bërë këtë shkaku se ka munguar vullneti politik dhe se ndërkombëtarët nuk e kanë bërë presionin e duhur te palët e përfshira në luftë .

 Prokurorët e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës janë kyçur vonë në këtë proces për faktin se çështja e personave të zhdukur ka qenë kompetencë ekskluzive e UNMIK-ut, ku pastaj në vitin 2008 kanë kaluar në kompetencën e EULEX-i. Nga fillimi i procesit të transferimit të rasteve nga misioni i EULEX-it tek prokuroria vendore, respektivisht Prokuroria Speciale e Kosovës, nga viti 2015 deri tash, prokurorët vendor kanë lëshuar gjithsej 56 Urdhra për zhvarrosje . Me pranimin e informacioneve për ekzistencën e mundshme të mbetjeve mortore prokurorët vendor nuk presin asnjë ditë: menjëherë lëshojnë Urdhër për zhvarrosje dhe ekzaminim të mbetjeve mortore. Shumë herë prokurorët marrin pjesë në zhvarrosje. Pas përfundimit të zhvarrosjes mbetjet mortore dërgohen në Institutin për Mjekësi Ligjore ku bëhet identifikimi dhe ekzaminimi i tyre.

Si burime të informatave në hetimin e rasteve për personat e zhdukur kemi bashkëpunim shumë të mirë me organizatat e besueshme që kanë punuar një kohë të gjatë në këtë fushë siç janë: Komisioni Qeveritar për të pagjeturit, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim kanë dhënë dhe po japin Shoqatat e Familjarëve të Personave të Zhdukur dhe Instituti për Mjekësi Ligjore, që drejtohet nga eksperti i çmuar Prof. Dr. Arsim Gërxhaliu.

Fakti më inkurajues është bashkëpunimi i Shoqatave të Familjarëve të Personave të Zhdukur, të Kosovës dhe Serbisë, që një kohë të gjatë, duke i thyer të gjitha paragjykime të mundshme, bëjnë përpjekje që, si kategori më e prekur nga kjo tragjedi, të japin kontribut konkret për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Është krijuar një infrastrukturë njerëzore dhe institucionale që të merret me këtë çështje dhe ka lëvizje pozitive dhe rezultate konkrete mirëpo numri i të zhdukurve në Kosovë është ende i madh dhe paraqet shqetësim të vazhdueshëm për familjarët që me të drejtë kërkojnë të informohen për fatin e më të dashurve të tyre.

Të nderuar të pranishëm,

Si prokurore e shtetit pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që merrem me rastet e krimeve të luftës, angazhohem për zbardhjen e rastit të personave që konsiderohen si të zhdukur pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare, moshore , gjinore , statusit shoqëror , bindjeve politike etj. sikur që bëjë përpjekje maksimale që ata që kanë përgjegjësi për planifikimin, zbatimin apo mosparandalimin e krimeve të luftës të nxirren para organeve të drejtësisë, gjithashtu pa bërë dallime në baza etnike , fetare , moshore , gjinore , statusit shoqëror , bindjeve politike etj. Si prokurore, në radhë të parë kërkoj drejtësi dhe satisfakcion për viktimat e luftës, duke kontribuar në dokumentimin e fajësisë për ata që i kryen këto krime të tmerrshme. Parimi i drejtësisë në një shtet ligjor është ndarja e drejtësisë në bazë të provave e jo në bazë të përkatësisë etnike.

Para neve është edhe një sfidë me të cilën domosdoshmërisht do të përballemi nëse duam të sigurojmë drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët e ajo sfidë është Ballafaqimi me të Kaluarën. Pa e sqaruar të kaluarën do ta kemi një të tashme të paqëndrueshme dhe do ta kemi të pamundur ta ndërtojmë një të ardhme  të pranuar nga të gjithë, ku nuk do të ketë fitues apo humbës. Kjo është domosdoshmëri dhe detyrim ndaj  familjeve të personave të zhdukur . Ky detyrim bazohet në disa parime të drejtësisë:

 E drejta për të ditur apo e drejta për t’u informuar shprehimisht kërkon që të sigurohen informatat për personat e zhdukur .

E drejta për drejtësi kërkon përgjegjësi konkrete për ata që iu dëshmohet fajësia për shkelje të Ligjit për të Drejtën Humanitare e këtu në mënyrë eksplicite përfshihen personat e zhdukur.

E drejta për reparacione nënkupton reparacione simbolike për viktimat dhe familjarët të tyre, si pasojë e shkeljeve të ligjeve të luftës.

Si prokurore pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës jam e përkushtuar që të zbardhen të gjitha rastet mirëpo, është shumë vështirë të arrihen rezultate të pritura pa një bashkëpunim reciprok dhe të sinqertë me të gjitha prokuroritë dhe institucionet që merren me këtë çështje të shteteve të rajonit që kanë qenë të përfshira në luftërat pas së cilave, çështja e  të zhdukurve ka mbetur si çështje më e pa trajtuar dhe se e tërë barra për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur ka rënë mbi familjet e tyre, shoqatat e familjarëve të zhdukur dhe organizatat e specializuara që merren me çështjen e të drejtave të njeriut, e që nuk mjafton të sigurohet drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët e luftës.

Vetëm zbatimi i drejtë i ligjit siguron drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për kriminelët .

Republika e Serbisë ka pasur mundësi ta krijoj një gjykatë për krime lufte,  kurse neve në Kosovë na është mohuar kjo e drejtë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë neve na është thënë se për raste të krimeve të luftës në Kosovë janë gjykatat e UNMIK-ut  dhe EULEX-it kurse për ato më të rënda është Tribunali Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë për Krime Lufte në Hagë. Rezultatet i dimë të gjithë. Mbi 1560 persona ende evidentohen si të zhdukur.

Me pranimin e përgjegjësive për raste të krimeve të luftës, nga ne prokurorë vendorë kërkohet para së gjithash një përgjegjësi njerëzore si dhe kemi detyrim ligjor t’i ndjekim këto raste, deri në zbardhjen e plotë të tyre.             

Rezultate të kënaqshme në zbardhjen e fatit e të zhdukurve mund të arrihen vetëm me bashkëpunimin e palëve ndërluftuese, ndërsa mosbashkëpunimi vetëm do ta vazhdojë ankthin e familjarëve të cilët nuk e kanë asnjë minutë të qetë deri sa nuk zbardhet fati i të dashurve të tyre.

Përkundër dëshirës dhe përkushtimit profesional që të nxirren para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të luftës, në mesin e të cilëve është edhe zhdukja e personave që janë në një listë të gjatë e të zhdukurve, është  vështirë që të zgjidhen të gjitha këto raste, aq më parë që me kalimin e kohës mund të zbehet gatishmëria dhe vullneti për zgjidhje të këtyre rasteve . Mirëpo, të gjithë e kemi të qartë se krimet e luftës nuk vjetërsohen dhe se kurrë nuk do të ketë amnisti për ata që kryen këto krime makabre.  Statistikat ndërkombëtare na tregojnë se , duke filluar nga luftërat ballkanike, lufta e parë dhe e dytë botërore , luftërat në Amerikën jugore, në Afrikë dhe në Azi, së paku 25 deri në 30% e rasteve të personave të zhdukur kanë mbetur të pazbardhura.

Ne duhet të angazhohemi që tek ne në rajon kjo përqindje të jetë sa më e vogël. Me angazhimin dhe bashkëpunimin tonë konkret , në emër të zbatimit të ligjit, do të sigurojmë drejtësi dhe satisfakcion për viktima, përgjegjësi për kriminelët e luftës, prehje dhe qetësi për familjarët si dhe një mjedis të pakontaminuar me urrejtje etnike. 

 Vetëm ata që janë të përkushtuar dhe  guximshëm në zbatimin e ligjit mund të ndërtojnë një urë lidhëse midis një të kaluare me shumë dhimbje dhe vuajtje drejt një ardhmërie të pranuar nga të gjithë. Pse mos të jemi ne ata që do ta fillojnë ndërtimin e kësaj ure dhe, besoj se nuk duhet të jap sqarime se, para se të jemi prokurorë, hetues dhe gjykatës, ne jemi njerëz, shumica prej nesh janë prindër, kanë fëmijë, sikur edhe familjarët që aq shumë kohë po vuajnë në mungesë të informatave për më të dashurit e tyre të zhdukur. Është jonjerëzore, e pamoralshme dhe e kundërligjshme që viktimat të ndahen në bazë të përkatësisë etnike sikur që është kundërligjshme siç është edhe e pamoralshme që kriminelët e luftës, në bazë të përkatësisë etnike të glorifikohen si heronj.

Nga ne prokurorët nuk kërkohet asgjë që nuk na takon, nga ne kërkohet pikërisht ajo për çka jemi betuar- zbatimi i drejtë dhe i pa kompromis i ligjit. Për ta realizuar këtë detyrë neve na duhet përkrahja e tërë shoqërisë, e në veçanti nga ata që mund të kontribuojnë seriozisht në zbardhjen fatit e të zhdukurve dhe ndëshkimin e fajtorëve. Vetëm me një bashkëpunim të mirëfilltë ne mund ta bëjmë atë që  duhet ta bëjmë !

Me respekt ,

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës Drita Hajdari 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat