Qeveria nuk komenton se si do të veprojë nëse demarkacioni nuk kalon

Aktuale

Qeveria nuk komenton se si do të veprojë nëse demarkacioni nuk kalon

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 13:27
Qeveria PANA-Lista serbe

Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se si do të veprojë në rast se Demarkacioni me Malin e Zi nuk kalon në Kuvend.

Versioni i aktual i shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, i nënshkruar në vitin 2015, së bashku me të gjeturat e komisionit të ri është procedura në Kuvend, ku deri më tani nga partitë shqiptare vetëm grupi parlamentar i PDK-së ka thënë se do ta votojë këtë version.

Por, në Qeveri nuk kanë treguar se si do të veprohet nëse kjo marrëveshje nuk kalon në Kuvend.

Drejtori i Zyrës për Komunikim në Qeverinë Haradinaj, Halil Matoshi ka thënë se ata nuk prejudikojnë votimin në Kuvend.

“Qeveria nuk prejudikon temat dhe votat e Kuvendit. Ne demokraci pushtete janë të ndara”, ka thënë Matoshi për lajmi.net, duke mos treguar nëse do të kërkohet rinegocim.

Dërgimi në Gjykatën e Arbitrazhit dhe rinegocimi i marrëveshjes me Malin e Zi janë përmendur si dy mundësi nëse marrëveshja aktuale nuk kalon në Kuvend.

Megjithatë shteti malazez deri më tani nuk ka dhënë shenja se është i internuar për këto dy opsione. Për ta çështja e demarkimit të kufirit është e mbyllur.

Qeveria e Kosovës të hënën ka proceduar në Kuvend versionin e Demarkacionit me Malin e Zi së bashku me të gjeturat e Komisioni të ri të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

Kjo marrëveshje pritet që mos të ratifikohet në Kuvend, pasi deri më tani vetëm PDK ka thënë se do ta votojë këtë version.

AAK-Nisma dhe Vetëvendosje janë deklaruar se do të votojnë kundër, ndërsa LDK ka thënë se nëse pozita i siguron 61 vota për këtë marrëveshje ata do ta përkrahin. Ratfikimi i Demarkacionit me Malin e Zi është kusht kryesor nga BE që Kosovës ti hiqen vizat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat