O’ Connell kërkon reagim qytetar

Aktuale

O’ Connell kërkon reagim qytetar

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 17:46
Ruairi O’ Connell

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’ Connell, ka thënë sot se luftimi i korrupsionit në Kosovë vazhdon të cilësohet si prioritet për institucionet e vendit, por në praktikë nuk ka rezultate reale, ndërsa ratifikimi i demarkacionit sipas tij është çështje bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Ai gjatë një ligjërate për studentët e Kolegjit AAB, me temën “Ndihma e Mbretërisë së Bashkuar në luftimin e korrupsionit në Kosovë”, sqaroi proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova që nga shpallja e pavarësisë, me theks të veçantë në krijimin e një kuadri ligjor të avancuar për të drejtat e secilit qytetar të Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj meriton për të jetuar në një vend ku sundon ligji, ku njerëzit e korruptuar hetohen, ndiqen penalisht dhe gjykohen për sjelljet dhe veprimet e tyre të kundërligjshme. Ne kemi të njëjtin interes: të mos e lëmë Kosovën të shembet për shkak të interesave të njerëzve të korruptuar”, tha diplomati O’Conell.

Ambasadori britanik ka thënë se luftimi i korrupsionit duhet të udhëhiqet brenda institucioneve dhe shembulli do të duhej të jepej së pari prej aty. Por, gjithashtu, ambasadori britanik në Kosovë, tha se esenciale për luftimin e korrupsionit është reagimi qytetar.

“A është e tolerueshme që të shohim skandale të një pas njëshme të përfshirjes në afera të dyshimta korruptive pikërisht të zyrtarëve që janë zbatues të ligjit dhe të njëjtën kohë të mos shohim ndëshkimin e tyre? Kjo duhet të ndryshojë nga ju studentë të rinj  të Kosovës, ju keni fuqinë t’i thoni stop një herë e mirë praktikave të deritashme”, ka thënë O’Connell.

Diplomati britanik foli edhe për një problem tjetër me të cilin përballet shoqëria kosovare, e ajo sipas tij është nepotizmi dhe klientilizmi.

“Kosova ka njerëz të aftë, të shkolluar të cilët kanë mundësi të ofrojnë kontributin për shtetin, por nëse brenda sistemit publik, janë punësuar njerëz vetëm për shkak të lidhjeve partiake, politike ose familjare, kjo jo vetëm që përjashton mundësinë për të krijuar një sistem efikas, por gjithashtu krijon borxhe brenda sistemit që duhet t’i paguhet dikujt”, u shpreh O’ Connell.

I pyetur nga studentët për demarkacionin, ambasadori O’ Connell u përgjigj duke thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, andaj çështja e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është çështje bilaterale në mes të shteteve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat