Një deputet i VV-së kërkon takim urgjent të partisë

Aktuale

Një deputet i VV-së kërkon takim urgjent të partisë

Më: 8 dhjetor 2017 Në ora: 19:17
Lëvizja Vetëvendosje

Deputeti i Vetëvendosjes, Ismail Kurteshi, ka folur lidhur me përçarjet e fundit që kanë ndodhur në Lëvizje, pasi që deputetja Aida Dërguti ka ofenduar themeluesin e VV-së, Albin Kurtin.

Kurteshi, i cili është edhe njëri nga anëtarët e kryesisë që ka kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme pasi që ka dëgjuar për ato ofendime, tha se ka kërkuar që të mbahet kjo mbledhje sepse çështje të tilla duhet të diskutohen.

”Unë kam kërkuar të mbahet një mbledhje e kryesisë, jam për me u mbajt një mbledhje e kryesisë me i debatu këto çështje tona të brendshme do t’i debatojmë këto çështje do të marrim qëndrime, po ma shumë nuk kam çka me ju thanë”, pohoi Kurteshi.

Mirëpo, ai tha se për këtë çështje duhet të merren mendimet e të gjithë pjesëtareve të kryesisë dhe pasi që kjo është çështje e brendshme, jo gjithçka do të bëhet e ditur edhe për publikun.

”Nuk e di, i kemi mendimet në mbledhje se çka ka aty tani te ajo pjesë që ka me qenë për publik ju tregojmë, senet tjera i mbajmë për vete se kanë të drejtë subjektet politike që sjanë për gazetarët”, shtoi ai.

E sa është e mundur që kjo përçarje po vjen në prag të zgjedhjeve të brendshme, Kurteshi nuk ka dashur të komentojë, duke i cilësuar lajmet për këto ofendime thjesht fjalë.

”Ska përçarje në Vetëvendosje, fjalë janë këto që po i dëgjojmë.”, përfundoi ai.

Pak më parë në media ka qarkulluar një bisedë në mes të anëtarëve të Vetëvendosjes ku është parë edhe ofendimi që ka bërë Aida Dërguti për Albin Kurtin e që lidhet me arrestimin e tij.

Ndryshe, përplasja në Lëvizjen Vetëvendosje u bë e ditur nga një letërkëmbim ndërmjet anëtarëve me ndikim të kësaj partie me kryetarin e Vetëvendosjes.

Sipas një letre, çdo gjë ka filluar me një “fyerje publike” të deputetes së Vetëvendosjes Aida Dërguti që, sipas letrës, ia paska bërë themeluesit e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat