Përfundon mbledhja e Vetëvendosjes, kjo është e vetmja dorëheqje

Aktuale

Përfundon mbledhja e Vetëvendosjes, kjo është e vetmja dorëheqje

Më: 11 dhjetor 2017 Në ora: 14:09
Kurteshi, Ymeri e Ahmeti

(E plotësuar) - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, pas mbledhjes disa orëshe që ka mbajtur sot kryesia e kësaj partie me grupin parlamentar, ka njoftuar se e vetmja dorëheqje që është pranuar, është ajo e Aida Dërgutit, ndërsa ka akuzuar mediat, për siç tha ai “raportime të pavërteta”.

Pas mbledhjes së filluar në ora 14:00, Ymeri që shoqërohej nga deputeti Ismajl Kurteshi dhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka qenë i shkurtër për media, duke mos pranuar të përgjigjet në asnjë pyetje të gazetarëve, ka thënë se  kryesia e dënon dhe e quan të pa pranueshme gjuhën e përdorur karshi figurave publike të LVV-së në rrjetet sociale.  

Ymeri: E pranuam dorëheqjen e zonjës Aida Dërguti

“Në këtë mbledhje i diskutuam zhvillimet e fundit. Sa i përket organizatës së Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë mbledhje po ashtu kryesia dhe grupi parlamentar bashkë, e pranuan dorëheqjen e zonjës Aida Dërguti nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga pozicioni i kryetares së qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Vushtrrisë. Kjo është dorëheqja e vetme që është dhënë nga kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje për kundër atyre që patë që janë raportuar në media, që nuk janë të vërteta”, ka thënë Ymeri.

Ai ka thënë se në mbledhje kanë diskutuar për këtë fundjavë, zhvillimet dhe raportimet në rrjetet sociale, ku siç tha ai kryesia e dënon dhe e quan të papranueshme gjuhën e përdorur karshi figurave publike të LVV-së.

Ymeri: Kërkojmë nga aktivistët e LVV-së ta ndalin këtë mënyrë të të shkruarit

“Kërkojmë nga të gjithë aktivistët e LVV-së dhe LVV që ta ndal këtë mënyrë të të shkruarit dhe përdorimin e kësaj gjuhe në rrjetet sociale ndaj figurave publike të LVV-së”, tha Ymeri duke mos u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se a ka përçarje në Vetëvendosje.

Veç Ymerit asnjëri nga anëtarët tjerë të pranishëm në mbledhje nuk ka folur për media, e cila ishte duke u përcjell me një interes të shtuar, pas daljes në publik të bisedave në grupin e deputetëve të LVV-së, ku Aida Dërguti përdor gjuhë ofenduese ndaj ish-liderit të kësaj lëvizje, Albin Kurti.

Image

Ymeri ka një kërkesë për aktivistët e VV-së dhe gjuhën në rrjete sociale

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka bërë një kërkesë specifike ndaj aktivistëve të partisë, të cilët pas plasjes së skandalit të së premtes, ku Aida Dërguti e fyen ish-kryetarin e partisë, Albin Kurti.

Teksa ka konfirmuar dorëheqjen e Aida Dërgutit, Ymeri ka thënë se kryesia ka diskutuar edhe për diskutimet në rrjete sociale, ku Dërguti është fyer në mënyra të ndryshme nga aktivistë, mbështetës të Albin Kurtit.

“Kryesia një zëri e dënon dhe e quan të papranueshme gjuhën e përdorur karshi, veçanërisht ndaj figurave të lëvizjes Vetëvendosje nëpër rrjete sociale, dhe kërkon nga të gjithë aktivistët dhe anëtarësia e Lëvizjes që ta ndalë këtë mënyrë të të shkruarit dhe përdorimin e kësaj gjuhe kundër ose ndaj figurave të Lëvizjes”, ka thënë Ymeri.

Hoti zbulon detaje

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Shkodran Hoti ka mohuar se dikush nga anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje ka ofruar dorëheqjen nga Kryesia në takimin që po vazhdon të mbahet ende në selinë qendrore të partisë.

I pyetur nga media nëse është e vërtetë që Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu kanë ofruar dorëheqje gjatë mbledhjes së Kryesisë, Hoti tha se nuk mund ta konfirmoj këtë.

“Jo, nuk është e vërtetë. Askush nga anëtarët e Kryesisë nuk ofruar dorëheqjen”, tha ai.

Image

Detaje të reja nga mbledhja e VV-së, Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu ofrojnë dorëheqje nga Kryesia

Shpend Ahmeti pohoi më herët para mediave se në mbledhjen e Kryesisë së Vetëvendosjes po mbahen diskutime normale, mirëpo duket se vetë ai dhe Dardan Sejdiu kanë ofruar dorëheqjet nga Kryesia pas ngjarjeve të fundit.

Mediat kanë kuptuar nga burime të veta se Ahmeti e Sejdiu dhe të tjerë anëtarë, kanë ofruar dorëheqjet nga Kryesia, si dhe kanë kërkuar që të mos kandidohen më si anëtarë kryesie.

“Edhe Shpendi, edhe Dardani, edhe plot te tjerë i kanë ofruar dorëheqjet e veta nga Kryesia. Madje, që të gjithë, kanë kërkuar të mos kandidohen më për Kryesi”, thotë një burim brenda VV-së.

Mbledhja e Kryesisë së VV-së po mbahet pasi që u kuptua edhe publikisht për fërkimet brenda VV-së. Deputetët e zyrtarët e lartë të partisë janë ndarë në dy tabore. E gjithë kjo u kuptua pas rrjedhjes së disa shkëmbimeve të mesazheve mes Qendrës së VV-së në Tiranë dhe kryetarit të VV-së, Visar Ymeri.

Më pas, në media doli edhe fyerja që deputetja Aida Dërguti i kishte bërë Albin Kurtit në grupin e përbashkët të komunikimit të anëtarëve të Kryesisë.

Tashmë, dorëheqje nga Kryesia dhe pozita e kryetarit të Qendrës në Vushtrri, ka dhënë Aida Dërguti, derisa u kuptua se dorëheqje nga Kryesia kanë dhënë më herët edhe deputetet Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Çfarë po ndodhë në Vetëvendosje, mbledhja e Kryesisë po vazhdon edhe pas gjashtë orësh

Ka më shumë se gjashtë orë që në selinë e Vetëvendosjes në Prishtinë po vazhdon mbledhja e kryesisë së kësaj partie.

Qysh nga ora 14:00, në selinë e Vetëvendosjes janë parë teksa kanë shkuar deputetë dhe anëtarë të kryesisë së këtij subjekti.

Mes tyre është edhe kryetari i këtij subjekti, Visar Ymeri si dhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Por askush nga Vetëvendosja nuk ka treguar në detaje se çfarë po diskutohet në mbledhjen e kryesisë së këtij subjekti politik.

Në ndërkohë që Shpend Ahmeti që para dy orësh është larguar nga mbledhja e kryesisë për të ndezur dritat festive në sheshin e kryeqytetit ka deklaruar për gazetarët se kjo mbledhje është e zakonshme.

Sipas tij, fokusi i kësaj mbledhje janë zhvillimet e fundit që e kanë karakterizuar Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai e ka mohuar mundësinë që Vetëvendosja po ndahet në dy taborrë derisa ka shtuar se në mbledhje po diskutohet çështja e aktivistëve dhe deputetëve të kësaj partie që janë prapa grilave.

Edhe deputetja Shqipe Pantina ka mohuar se në mbledhje po diskutohet për ndarje të taborreve brenda Vetëvendosjes.

Kjo mbledhje e jashtëzakonshme e Vetëvendosjes vjen pas zhvillimeve të fundit dhe publikimit të disa mesazheve të një grupi në Viber ku deputetja Aida Dërguti ka përdorur një term ofenduar për themeluesin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.

Shpend Ahmeti para medieve, flet për atë që po ndodh në mbledhjen e Kryesisë (LIVE)

Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka dal nga mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka filluar rreth orës 14:00.

Kryetari Ahmeti tha se po shkon t’i ndez dritat e bredhit të Krishtlindjeve si kryetar i kryeqytetit ndërsa mohoi se ka ndarje në dy taborë në Vetëvendosje.

 Ai madje tha se as që duhet t;i bëhet pyetja nëse është për apo kundër liderit të VV-së Albin Kurti, i cili ditët  e fundit u bë temë diskutimi pasi që antërarja tashmë e dorëhequr Aida Dërguti e ka fyer atë në një komunikim në Viber duke e quajtur m...

Duke folur për dorëheqjen e ish bashkëpartiakes së tij Ahmeti tha se për këtë duhet pyetur ajo dhe se në mbledhje të Kryesisë ende nuk është marr kurrfarë vendimi.

Ai tha se është një diskutim normal dhe nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.

Ahmeti: Diskutimi është normal, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme

“Mbledhja po zgjat sepse mbledhjet e kryesisë së VV gjithnjë kanë qenë më shumë se  katër orë

VV i ka mbledhjet e gjata sepse vendimet i marrim mes diskutimeve.

Diskutimi është normal, anëtarët e kryesisë dhe deputetet janë duke u shprehur për gjërat që kanë ndodhë, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme.

Nuk e di pse po bëhet pyetja a je për a kundër. Fokusi primar është dënimi I katër aktivistëve me 21 vjet burg. Fokusi I dytë është lirimi I Albinit dhe Donikës këto janë primar për lëvizjen natyrisht çështjet tjera do të diskutohen”, tha Ahmeti.

 Kryetari i Prishtinës mohoi kategorikisht se ka ndarje të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ahmeti: Nuk ka ndarje

 “Jo more s’ka kurrfarë ndarje”, tha Ahmeti.

Mbledhja e Vetëvendosjes vazhdon deri në orët e vona

Media mëson se kjo mbledhje pritet të zgjasë deri në orët e vona.

Kujtojmë se sot nga Kryesia e kësaj partie ka dhënë dorëheqje deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti.

Kjo e fundit u bë personazhi kryesor për disa ditë rresht, për shkak të disa bisedave që u publikuan në media, e që ishin diskutime të deputetëve të VV-së.

Aty Dërguti iu kishte drejtuar Albin Kurtit me fjalën “m**”. Kjo gjë kishte shkaktuar diversitet mendimesh në mes të anëtarëve të Vetëvendosjes, ku disa prej tyre i dolën në krahë Dërgutit, e disa të tjerë e kritikuan ashpër.

Mbledhja e kryesisë së VV-së, Aida Dërguti e bojkoton

Kryesia e Vetëvendosjes është mbledhur në një takim në selinë e tyre në lagjen “Arbëria”.

Askush nga zyrtarët e VV-së nuk ka dal të flas për media përveç deputetit Sami Kurteshi.

Ai ka thënë se rasti i Aida Dërgutit është një gabim njerëzor, ndërsa Dërguti ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares së degës në Vushtrri dhe anëtares së Kryesisë së partisë.

Ditë më parë Dërguti në një komunikim në Viber ka ofenduar liderin e kësaj partie Albin Kurtin me fjalën m…

 Në selinë e VV-së në këto momente ka ardhur edhe kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Zhvillimet e fundit në VV, mblidhet kryesia

Anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur në selinë e partisë ku janë duke e zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme pas zhvillimeve të fundit.

Por pjesë e kësaj mbledhje nuk është edhe “protagonistja” e thirrjes së mbledhjes së VV-së, Aida Dërguti.

Kjo e fundit në një status të publikuar në llogarinë e saj në facebook para pak çasteve ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetares së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Vushtrri dhe nga anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes.

“Unë e di që shprehja ime ka nxitur reagime e shqetësime për natyrën e problemeve në Lëvizje. Por, shprehja ime (e papranueshme gjithsesi) duhet vënë përballë një fushate sistematike të shpifjeve, linçimeve e etiketimeve që ka ndodhur tash 1 vit”, ka thënë Dërguti.

Mbledhja e kryesisë së VV-së

Anëtarët e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje kanë filluar të hynë në ndërtesën e këtij subjekti politik, ku së shpejti pritet të fillojë mbledhja e kryesisë.

I vetmi që ka konfirmuar mbledhjen është Sami Kurteshi, i cili ka thënë se kanë pas ftesë për ta mbajtur këtë mbledhje por nuk e di se cak do të diskutohet pasi nuk ka qenë rendi i ditës.

Ai ka ironizuar edhe me mediat se pse janë prezent në selinë e Vetëvendosjes.

Përndryshe, temë e diskutimit pritet të jetë përplasja e ditëve të fundit në mes zyrtarëve të kësaj partie, pas publikimit të një komunikimi të brendshëm të anëtarëve të VV-së, ku nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti fyen themeluesin e VV-së, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje po mban mbledhjen e kryesisë, ku temë e diskutimit do të jetë përplasja e ditëve të fundit në mes zyrtarëve të kësaj partie, pas publikimit të një komunikimi të brendshëm të anëtarëve të VV-së, ku nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti fyen themeluesin e VV-së, Albin Kurti.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat