Zaev flet për rastin e “Kumanovës”, kurse Haradinaj asnjë fjalë

Aktuale

Zaev flet për rastin e “Kumanovës”, kurse Haradinaj asnjë fjalë

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 09:42
Ramush Haradinaj dhe Zoran Zaev

(E plotësuar) - Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha se çështja që ka të bëjë me rastin “Kumanova”, është e ndjeshme dhe se do të ketë edhe hetim ndërkombëtar, me qëllim që qytetarët ta dinë të vërteten rreth këtij rasti.

Këto deklarata Zaev i bëri pas takimit me kryeministrin e Kosovës  Ramush Haradinaj, në të cilin u tha se biseduan për avancimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

Zaev: Do të ketë hetim për rastin Kumanova, është çështje e ndjeshme

“Kjo është një çështje shumë e ndjeshme, të cilën se ka provokuar as Zaevi as Ramush Haradinaj. Kjo është një çështje për të cilën qytetarët meritojnë të dinë të vërteten. Jemi dakorduar të ketë qoftë ndonjë hetim ndërkombëtar, ose të dërgohen përfaqësues ekspertë, të cilët do t’i ballafaqojnë të gjitha elementet e provat. E gjithë kjo që t’u jepet qytetarëve përgjigjet e vërteta. Kjo është dhe në  interes të bashkëpunimit tonë. Nuk duhet që kjo çështje të mbetet si një pengesë në marrëdhëniet tona. E dini se është çështje shumë e ndjeshme. Aty u vranë dhe disa policë. Pra do të ketë njëfarë hetimi ndërkombëtar , me qëllim që të arrihet e vërteta”, tha Zaev në një konferencë që mbajti bashkë me kryeministrin e Kosovës.

Ky i fundit nuk ka folur asgjë në lidhje me këtë çështje, ndonëse ditë më parë ka ndarë nga 10 mijë euro për familjarët e të vrarëve dhe të dënuarve në rastin “Kumanova”.

Haradinaj: S’kam çka me shtu

”S’kam çka me shtu”, tha Haradinaj.

Homologu i Haradinajt nga Maqedonia premtoi se shteti që udhëheq ai do e mbështes Kosovën në të gjitha proceset që kanë të bëjnë me integrimet ndërkombëtare.

Zaev: Kosova mund të llogaris në mbështetjen tonë, në të gjitha proceset

“Kosova mund të llogaris në mbështetjen nga Maqedonia në të gjitha proceset. Ne nuk duhet të harruar se gjithashtu e kemi  fqinj dhe Serbinë dhe gjithmonë mbështetja jonë do të shkoj dhe në drejtim të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve fqinjësore sa më të mira”, tha Zaev kur u pyet nëse Maqedonia do e mbështes Kosovën për anëtarësim në UNESCO.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e vlerësoi shumë të rëndësishme vizitën e Zaevit duke thënë se kjo do ndihmojë që marrëdhëniet mes dy shteteve të përparojnë.

Haradinaj: Kjo është një vizitë e rëndësishme

“Kjo vizitë është e rëndësishme. Republika e Kosovës, Republika e Maqedonisë, jemi fqinjë jeta na lidh. Fati ynë na lidh. Perspektiva euroatlantike na lidh, pra na bashkon. Edhe me këtë vizitë të sotme kemi mund  me ndihmu,  që marrëdhëniet tona mes Kosovës dhe Maqedonisë të përparojnë. Ato janë të mira, por të përparojnë. Edhe sot kemi marrë plot obligime, që besoj që do të kemi rastin t’i finalizojmë në të ardhmen dhe në takime të përbashkëta të dy qeverive. Pra të republikës së Kosovës dhe Maqedonisë, në interes të qytetarëve të dy vendeve tona”, tha Haradinaj.

Ndërkaq kryeministri Zaev tha se me Haradinajn kanë diskutuar për detyrime dhe projekte të përbashkëta për avansimin e komunikimin mes dy shteteve si dhe për autostradën që lidh Prishtinën me Maqedoninë.  E gjithë kjo sipas tij po bëhet që të avansohet  komunikimi mes dy shteteve. Ai tha se me Kosovën janë  nënshkruar  19 marrëveshje dypalëshe dhe se në pritje janë dhe 20 marrëveshje tjera, të cilat janë  në interes të qytetarëve të dy shteteve tona, të cilat ndajnë aspirata të njëjta për anëtarësim ne BE e dhe NATO.

Image

Zaev tha se kanë biseduar edhe për  këmbimin ekonomik mes dy shteteve që arrin mbi 160 milionë euro. Ndërsa tha se shpreson që ky këmbim të kaloj shumën prej 200 milionë euro.  E pati dhe një mesazh për qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë, për të cilët tha se duhet të vazhdojnë bashkëpunimin në të gjitha sferat..

Zaev: Të vazhdojmë bashkëpunimin në të gjitha sferat

“U dërgoi mesazh  qytetarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë , për te vazhduar bashkëpunimin në të gjitha sferat, në fushën e kulturës, arsimit sportit dhe në fusha të tjera. . Mesazh dhe per afaristët per te shfrytëzuar potencialin e dy shteteve për  investime.  Sepse mendojmë se vetëm në këtë mënyrë do të forcohet dhe gjendja ekonomike  dhe bashkëpunimi mes dy shteteve. Gjithashtu e  shfrytëzova dhe mundësinë që në fillim të vitit të ardhshëm ta ftoj z. Haradinaj në vizitë në Maqedoni dhe për organizimin e një seancë të përbashkët qeveritare, ku do ta shfrytëzojmë mundësinë për të firmosur dhe marrëveshjet e mbetura”, tha kryeministri i Maqedonisë.

Zaev është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli si dhe më vonë do të takohet edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Zaev është pritur me ceremoni shtetërore nga Garda Ceremoniale  e FSK-së.

***

Kryeministri i Maqedonisë gjatë një konference për media ka folur për rastin e Kumanovës. I pyetur nga gazetarët rreth kësaj çështjeje, ai ka thënë se ky rast është shumë i ndjeshëm.

“Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe që nuk e kanë provokuar as Zaevi as Haradinaj. Për këtë duhet ta dinë qytetarët. Për këtë edhe mund të behet ndonjë hetim ndërkombëtar që të mësohet e vërteta. Por kjo nuk duhet të jetë pengesë në marrëdhëniet tona mes Kosovës dhe Maqedonisë”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Kurse kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka dashur të komentojë edhe pse pyetja ishte drejtuar për të dy kryeministrat.

“Nuk kam çka m’i shtu kësaj”, ka thënë shkurt Haradinaj.

Zaev arrin në Kosovë, Haradinaj e pret me tepih të kuq

Kryeministri I Maqedonisë Zoran Zaev ka arritur në Kosovë. Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga Garda Ceremoniale e FSK-së.

Pas takimit dy kryeministrat Haradinaj dhe Zaev do të mbajnë një konferencë për media.

Zaev do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Image

***

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

Për nder të kryeministrit maqedonas është rreshtuar edhe garda e FSK-së

Pas takimit kryeministrat do të mbajnë një konferencë për mediat.

Gjatë vizitës në Prishtinë, Zaev do të takojë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, dhe presidentin Hashim Thaçi.

Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri të Maqedonisë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat