Konjufca lëshon mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit

Aktuale

Konjufca lëshon mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 15:03
Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca

Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit në shenjë pakënaqësie me vendimin e Kryesisë që Komisionin Parlamentar për Stabilizim Asociim që do të formohet në Kuvend ta udhëheq Partia Demokratike e Kosovës.

Konjufca tha se u vendosë në mënyrë jodemokratike për udhëheqjen e Komisionit që do ta mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Në të gjitha bisedat që kemi pasur ne jemi marrë vesh që ky Komision të udhëhiqet në mënyrë politike, këtu u vendos me mbivotim”, tha Konjufca, duke shtuar se do të jenë në situatë ku Xhavit Haliti nga PDK do të jetë udhëheqës i delegacioneve ma të rëndësishme të Kuvendit, atë të delegacionit në NATO, Parlament Evropian dhe Këshillin e Evropës.

“Kjo është e gërditshme që nënkryetari i PDK t’i udhëheq tre delegacione ma të rëndësishme sa i përket relacionit të Parlamentit me institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare”, tha Konjufca.

Ai tha se këto tri delegacione për në këto institucione ndërkombëtare duhet të ndahen në mes tri subjekteve më të madhe politike, VV, PDK dhe LDK-së.

Konjufca tha se një ndarje e tillë mes pozitës dhe opozitës është praktikë e vendeve demokratike dhe këtë siç tha ai e ka përkrahur edhe Ulrike Lunacek.

Ai tha se meqenëse pozita i ka 61 vota, po dëshirojnë që përmes votimit ta marrin udhëheqjen për veti. “Kjo nuk e forcon shtetin e Kosovës.. Ne do ta ngrisim këtë edhe në nivele më të larta”, tha Konjufca.

Ndryshe, pikë e rendit të ditës së Kryesisë së Kuvendit ishte formimi i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat