Veteranët me peticion për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Aktuale

Veteranët me peticion për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Më: 12 dhjetor 2017 Në ora: 15:09
Nga konferenca e sotme në OVLUÇK

Përfaqësuesit e organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë paralajmëruar se brenda dy ditësh do të nisë nënshkrimi i një peticioni që kërkon ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se peticioni po bëhet për plotësim-ndryshimin e ligjit pasi që ai tha se ligji aktual “është diskriminues” për Kosovën.

Mirëpo ky i fundit ka mohuar se OVLUÇK është kundër Gjykatës Speciale.

“Ne jemi kundër që kjo gjykatë e njëanshme dhe kërkojmë që parlamenti i Kosovës ta rikthejë edhe një herë në shqyrtim”, tha Gucati. “Kjo domethënë që gjykata të mos jetë vetëm ndaj gjykatës së UÇK-së por të jetë edhe ndaj serbëve të cilët kanë bërë krime në Kosovë”, shtoi Gucati.

Ligji për Gjykatën Speciale në Kosovë është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015 ndërsa Gjykata është bërë operacionale vitin e kaluar ndonëse ende nuk ka lëshuar asnjë aktakuzë ndaj të dyshuarve për krime lufte.

Fokusi i gjykatës, selia e të cilës është në Hagë të Holandës, do të jetë ndjekja e ish drejtuesve të UÇK-së të cilët dyshohen për krime të luftës dhe të një periudhe të pasluftës në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, tha se deputetët të cilët e kanë ngritur dorën për ta votuar këtë ligj “duhet të ndihen keq”.

“Unë besoj që duhet të ndihen të gjithë të fyer. Më të fyer duhet të ndihen që nga Presidenti e deri te deputeti që e ka votuar atë, por edhe ata që e kanë votuar e kanë qëndruar në sallë”, tha Haradinaj.

Sipas tij, me Gjykatën Speciale “është shkelur e drejta e njeriut” meqë, siç tha ai, është krijuar një gjykatë një-etnike.

Ndërkaq, Jahir Bejta, përfaqësues i Shoqatës “Ngritja e Zërit” që avokon kompensimin e dëmeve të luftës nga Serbia gjatë viteve 1998- 1999 e quajti “politike” punën e Gjykatës Speciale.

Ai tha se nëse kjo Gjykatë operon ashtu siç është planifikuar, kosovarët duhet “të mos u përgjigjen aktakuzave”.

“Aktakuzat ju imponohen sipas Ligjit diskriminues, andaj do të ishte normale që të mos ju përgjigjeni aktakuzave”, tha Bejta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat