AI: Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale ende mungon

Aktuale

AI: Drejtësia për të mbijetuarit e dhunës seksuale ende mungon

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 11:04
Pamje me rastin e prezantimit të raportit të Amnesty International

Përkundër asaj se të mbijetuarit e dhunës seksuale do të fillojnë të marrin njohje zyrtare dhe dëmshpërblime, drejtësia për ta ende mungon. Ndërsa mbetet e primare edhe nevoja e tyre për kujdes shëndetësor.

Kështu është vlerësuar me rastin e prezantimit të raportit të Amnesty International “Plagë që të djegin shpirtin: Dëmshpërblim për të mbijetuarit e përdhunimit gjate luftës, por drejtësi s'ka akoma”, teksa është vlerësuar iniciativa e institucioneve të Kosovës për dëmshpërblim ndaj tyre.

Zëvendësdrejtoresha e Zyrës për Evropën dhe Azinë Qendrore, Gauri van Gaulik, tha se të mbijetuarit e dhunës seksuale janë zhgënjyer për vite me radhë nga komuniteti ndërkombëtar dhe qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë.

Ndërsa theksoi se do të vazhdojnë të ngritin zërin për këtë grup. Ajo tha se drejtësia për këtë kategori që është margjinalizuar nuk është arritur ende, pasi që fajtorët i kanë shpëtuar drejtësisë.

 Sipas saj, kjo ka filluar të ndryshojë, por ende mbetet punë për t’u bërë.

Edhe kërkuesja në Kosovë dhe autorja e raportit, Sian Jones, potencoi se primare është çështja e drejtësisë dhe qasja në dëmshpërblim.

"Ka probleme të veçanta edhe rreth qasjes së provave qe janë marrë, gjithashtu ka edhe probleme tjera në çështjen e dëshmitarëve. Kemi kërkuar rishikimin e kodit të procedurës penale që do të rregullon mënyrën se si merren dëshmitë nga të mbijetuarit e dhunës seksuale", theksoi ajo.

Problemi kryesor, sipas Jones, është se ka raste kur kryerësit e akteve janë identifikuar, porse nuk ka procedurim të rasteve pa u arrestuar ata.

Ajo tha se kanë shqyrtuar se si shumë raporte për viktimat e luftës janë bërë menjëherë pas luftës, por UNMIK-u dështoi të merret me to menjëherë. Ndërsa tha se ndjehen mirë pasi që tashmë është alokuar buxheti për këtë kategori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat