Institucionet shtetërore kanë shpenzuar afër 1 milion euro për informim publik

Aktuale

Institucionet shtetërore kanë shpenzuar afër 1 milion euro për informim publik

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 13:41
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, gjatë publikimit të raportit “Paraja publike e shpenzuar në media” , raport ky i publikuar për herë të parë.

Institucionet e Pushtetit Lokal dhe atij Qendror gjatë vitit 2016 kanë shpenzuar afër 1 milion euro apo 0.05 për qind të buxhetit të Kosovës për informim publik.

Kështu ka vlerësuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, gjatë  publikimit të raportit “Paraja publike e shpenzuar në media” , raport ky i publikuar për herë të parë.

Drejtori ekzekutiv  i AGK-së, Arben Salihu tha se për shkak të aspektit financiar të mediumeve punime të caktuara të  gazetarëve janë të cenuara nga vet ata apo edhe nga redaktorët.

Salihu: Aspekti financiar arsyeja e censurimit të gazetarit

“Në rastet e caktuara punimet e caktuara të gazetarëve janë të censurua nga redaksitë si dhe në rastet e caktuara gazetarët vetë censurohen në punimet e tyre duke e ditur praktikën apo afërsinë e redaksisë me subjektin,  palën në subjekt. Sipas prononcimeve anonime nga anëtarët respodent në hulumtimet tona arsyeja më e shpeshtë e censurimit është apo vetë censurimit është aspekti financiar i mediumit, qoftë nga reklamat që vijnë nga bizneset apo nga format e ndryshme si shpallje, njoftime publike etj”, tha ai.

Salihu po ashtu tha se raportimi jo profesional dhe i censuruar ka bërë që të denigrohet edhe profesioni i gazetarisë, e që për pasojë bije edhe respekti ndaj punës së gazetarëve.

Ndërsa, Ardian Nikolla, hulumtues në AGK ka deklaruar se qëllimi kryesor i këtij hulumtimi është të nxjerr në pah mënyrën e shpenzimit të parasë publike nga institucionet e vendit gjatë vitit 2016 për informim publik.

Sipas tij, institucionet e Pushtetit Lokal dhe atij Qendror për informim publik për vitin 2016 kanë shpenzuar gjithsej 812.130.36 euro apo 0.05 për qind të buxhetit të Kosovës,  ku përfitues janë mbi  50 media.  Tha se në nivelin qendror zyra e kryeministrit është shpenzuesit më i madh i mjete financiare për publikime dhe grante e cila arrin shifrën 189 mijë e 545 euro.

Derisa, Ministria për Kthim dhe Komunitete del se ka shpenzuar më së paku për informim publik me vetëm 200 euro.

Nikolla: Institucionet shtetërore shpenzuan 812 mijë e 130 euro e 36 cent

 “Ndërsa, shumë e shpenzuar nga institucionet shtetërore dhe ato të pushtetit lokal dhe të pushtet qendror për informim publik, dhënie të subvencioneve dhe grante për mediat është gjatë vitit 2016 përsëris është 812 mijë e 130 euro e 36 cent. Në bazë të përpjesëtimit të shumës së buxhetit të vendit për vitin 2016 me shpenzimin e institucioneve për informim publik del se 0.05 për qind e buxhetit të vendit për vitin 2016 është shpenzuar për informim publik nga ana e institucioneve lokale dhe atyre qendrore...10.51” Institucioni qendror që ka shpenzuar më shumë mjete financiare për publikime dhe grante për vitin 2016 është Zyra e Kryeministrit me 189 mijë e 545 euro të shpenzuara. Ndërsa, ministria që ka shpenzuar më pak për informim publik është ministria për Kthim dhe Komunitete me vetëm 200 euro”, tha ai.

Sipas tij, rreth 35 media dhe organizata jo qeveritare emrat e të cilave nuk janë të ditura kanë përfituar nga granti që ka dhënë zyra e kryeministrit e cila kap shifrën 188 mijë euro.

Nikolla po ashtu ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë instrument matës për të ditur nëse shuma e shpenzuar e cila kap shifrën rreth 1 milionë euro po shfrytëzohet  nga institucionet për rritje të  transparencës apo që mediat të jenë të varura nga to.

Nikolla: Nuk kemi pasur instrument matës

“Nuk kemi pasur një instrument matës me i pa se këtu janë dy anë të medaljes ose institucionet po synojnë me rrit transparencën me shpenzim kaq të madh ose të paktën po synojnë që me ua mbyll gojën mediave sidomos lokale që të raportojnë sipas dëshirës së atyre apo sipas agjendës së tyre”, tha ai.

Në bazë të të dhënave të këtij raporti del se  komuna që më së shumti e ka shfrytëzuar paranë publike për informim publik është Ferizaj e cila ka shpenzuar gjithsej 105 mijë e 280 euro, dhe prej tyre kanë përfituar gjithsej 50 media.

Ndërsa Kaçaniku në bazë të këtij raporti është renditur si komuna që nuk e ka shfrytëzuar fare paranë publike për informim publik.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me qëllim të krijimit të një situate transparente sa i takon shpenzimeve për informim publik ka rekomanduar institucionet e Kosovës që të ndajnë  qartë të gjitha shpenzimet për informim publik, çdo kontratë e lidhur ndërmjet institucionit dhe mediave  me qëllim të informimit publik të publikohet në faqen e KRPP-së, të tregojnë transparencë, paanshmëri, përgjegjësi gjatë procedurave të përzgjedhjes së mediave përfituese për kryerjen e shërbimeve publike.

Objekt i këtij hulumtimit kanë qenë komunat e Kosovës, ministritë,  Zyra e Presidentit, Zyra e Kryeministrit, Kuvendi i Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat