Ja çka i tha Pacolli homologut të tij nga Bosnja, në gjuhën boshnjake

Aktuale

Ja çka i tha Pacolli homologut të tij nga Bosnja, në gjuhën boshnjake

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 18:44
Behgjet Pacolli

Gjatë ditës së sotme në Shkup u zhvillua forumi i Kartës së Adriatikut, ku morën pjesë vendet e Ballkanit perëndimor.

Në këtë takim përfaqësues nga Kosova ishte ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli i cili edhe shkaktoi vëmendje të madhe, kur edhe iu drejtua në gjuhën boshnjake homologut të tij të Bosnjës, i cili vinte nga komuniteti serb.

Gjatë fjalimit të tij në gjuhën angleze, Pacolli iu drejtua në gjuhen boshnjake atij dhe pjesës tjetër të përfaqësuesve të Serbisë, duke i thënë se nëse nuk kuptonte anglisht atëherë ai do i fliste në boshnjakisht për të kuptuar më mirë.

Sipas burimeve, zëvendës-kryeministri i Kosovës me këtë rast ai i ka thënë atij që të mos bëhen argat të Serbisë dhe se anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk e pengon askush. As Bosnja dhe as Serbia.

“Ju e dini rëndësinë absolute dhe relative të këtij forumi si paradhomë e NATO-s, për të gjithë ne individualisht dhe për Kosovën posaçërisht. Hyrjen e Kosovës në NATO nuk e pengon dot askush prej vendeve të rajonit, madje as dhe mund ta vonojë atë. E di se Bosnja është njeri nga shtetet që po e pengon këtë anëtarësim. Para jush, dua ta pyes homologun e Bosnjës: Pse ju nuk doni që Kosova të përfshihet në këtë paradhomë të NATO-s? A ju krijon ky fakt probleme të brendshme, probleme ndëretnike? Nuk e besoj”, ishin fjalët që Pacolli i tha atij.

Pas kësaj, e pyeti atë nëse kanë ndonjë problem me trajtimin e minoriteteve boshnjake në Kosovë, duke shtuar se yjet e etnive në flamurin e Kosovës janë të barabartë.

“A keni ndonjë pakënaqësi me trajtimin e minoritetit boshnjak në Kosovë? Ju e dini, se yjet e etnive në flamurin e Kosovës janë të barabartë. Ju e dini sa mirë shkojnë shqiptarët me boshnjakët kudo, në Kosovë dhe jashtë saj. Kjo që ju po bëni, në fakt është pasojë e asaj se nuk doni të keni marrëdhënie me ne, se nuk doni lëvizje të lirë reciproke të shtetasve tanë në territoret respektive. Pse ky nivel i ulët marrëdhëniesh? Pse e kërkon Serbia këtë? Më duket se jeni gabim. Dhe ju nuk duhet të rrini pas Serbisë. Serbia me Kosovën ka  marrëdhënie të një niveli të caktuar; bisedon në Bruksel, ka lëvizje të lirë të qytetarëve”, ka shtuar ai.

Më tej, ai ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe se për këtë e din dhe vet Serbia.

“Nëse ju nuk e njihni Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur, çfarë shteti mendoni se gjendet në territorin tonë? Serbia? As Serbia nuk e pretendon këtë. Jo të nderuar zotërinj, në territorin e Kosovës, falë aksionit të NATO-s për të ndalur gjenocidin, falë shumë rezolutave ndërkombëtare, administrimit ndërkombëtar, vullnetit të popullit shprehur me votën e parlamentit më 17 shkurt 2008, falë vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë së 2011, ka një shtet sovran të pavarur. Edhe Serbia e di këtë dhe e pranon këtë realitet. Nuk është në shpatullat e askujt prej nesh, të kthejë rrotën e historisë mbrapa.  Procesi i integrimit tonë ndërkombëtar është i pakthyeshëm. Atëherë ju pyes? Çdo të bëni ju, kur Serbia të heqë veton për anëtarësimin tonë në OKB? A nuk ju duket jo normale, që ju të ndiqni këtë hap të Serbisë, dhe pastaj të veproni kundrejt nesh, ndonëse jemi afër? Ju ftojë të jeni largpamës. Ne jemi tregje të vogla dhe prodhues të vegjël, që kemi nevojë për njeri tjetrin. Ne kemi histori të hershme, aktuale bashkëjetese me njeri tjetrin. Mos u vononi. Po u vonuat, nesër s’do të ketë vend për ju në tregjet tona”, është thënë që t’i jetë drejtuar Ministri Pacolli në gjuhën boshnjake”, ka theksuar Pacolli gjatë fjalimit të tij në gjuhën boshnjake.

Në fund, ai ka pasur një ftesë edhe për vendet anëtare të NATO-s që ishin pjesëmarrëse.

“Do ju lutesha: kuptojeni rëndësinë simbolike, që ka lajmi i anëtarësimit në Kartën e Adriatikut për opinionin tonë publik. Të punojmë së bashku ta inkurajojmë opinionin publik të Kosovës, me lajmet, që Kosova është pjesë e bashkësisë perëndimore të shteteve dhe këtë nuk e lëviz dot askush”, ka thënë Pacolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat