Raporti i Avokatit të Popullit nuk miratohet për mungesë kuorumi

Aktuale

Raporti i Avokatit të Popullit nuk miratohet për mungesë kuorumi

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 10:19
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) -  Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar raportin vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2016, ndaj të cilit pati kritika, por edhe lëvdata për punën e këtij institucioni. Megjithatë në fund raporti nuk u hodh në votim, për shkak të mungesës së kuorumit.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, gjatë prezantimit të raportit, tha se institucioni që ai drejton ka shënuar ngritje në ngritjen e rekomandimeve për institucionet e vendit.

Jashari: Kemi nxjerrë 173 rekomandime

“Në kuadër të mandatit dhe kompetencave të këtij institucioni janë nxjerrë mbi 173 rekomandime drejtuar institucioneve të ndryshme publike të Kosovës, që përbën një ngritje prej 203 për qind në krahasim me vitin paraprak dhe që i bie se në çdo dytën ditë ne kemi pasur një rekomandim adresuar institucioneve të Kosovës. Në anën të Avokati i Popullit ka pasur një ngritje 100 për qind në hetimin ex-oficio apo në bazë të vetiniciativës adresuar shkeljeve sistematike të drejtave të njeriut në Kosovë”, tha Jashari.

Mirëpo, Jashari theksoi se vazhdon të mbetet shqetësues numri i madh i vendimeve gjyqësore që nuk janë ekzekutuar.

Jashari: Shqetësues mos ekzekutimi i vendimeve gjyqësore

“Sa i përket sistemit gjyqësor, vazhdojmë të kemi zvarritje të proceseve gjyqësore. Dhe ne kohëve të fundit që kemi nxjerrë afati mesatar për vendosje nga ana e gjyqësorit kap 8.54 vite në rastet që qytetarët i kanë ngritur para këtij sistemi. Gjithashtu janë bërë edhe vlerësime për mos ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, gjithashtu mbetet shqetësues fakti që gjatë vitit 2016 janë mbi 60 mijë aktgjykime që kanë mbetur të pazbatuara apo të ka ekzekutuara. Përveç faktit shqetësues të mos zbatimit të aktgjykimeve të formës së plotfuqishme, ato sjellin edhe një dëm ekonomik për vendin, ku mbi 2 milionë euro që i bëjnë dëme të drejtpërdrejta qytetarëve të vendit”, tha Jashari.

Ish-Avokati i Popullit, tani deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, tha se qytetarët vazhdojnë të mos i besojnë gjyqësorit, pikërisht për arsyet e evidentuara në raportin e Avokatit të Popullit, mos ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Kurteshi: Qytetarit s’i besojnë gjyqësorit

“Qytetarët vazhdojnë të kenë një mosbesim në sistemin gjyqësor për shkak të zvarritjeve të shumta në vendosjen e rasteve me vite të tëra, ashtu siç i përmendi edhe avokati i Popullit. Apo në mos zbatimin e vendimeve të plotfuqishme të gjyqësorit, vendimeve jo efektive, parashkrimit të lëndëve gjyqësore apo të gabimeve të shumta që edhe mos objektivitetit të gjyqtarëve në procedura dhe vendimmarrje. Kjo dukuri nuk është krejt e panjohur në përvojën e Kosovës. Në fund të vitit 2016 kanë ngelur pa zgjidhura nga gjyqësori mbi 417 mijë lëndë”, tha Kurteshi.

Deputetja e LDK-së, Lirie Kajtazi, vlerësoi rritjen e efikasitetit të institucionit të Avokatit të Popullit, porse sipas saj, ende mbetet shumë për t’u bërë.

Kajtazi: Është rritur efikasiteti në zbatimin e rekomandimeve, por lenë për të dëshiruar

“Vetë përqindja e rekomandimeve flet për efikasitetin e këtij institucioni. Mbi të gjitha pjesa tjetër e lëndëve ex-oficio flet për një efikasitet të tillë. Por mbi të gjitha ajo që duhet përmendur është rritja e zbatimit të rekomandimeve por që lenë shumë edhe për të dëshiruar”, u shpreh Kajtazi.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se Avokati i Popullit është mekanizëm i barazisë, promovim, monitorim dhe mbështetje të trajtimit të barabartë pa diskriminim në bazat e mbrojtura nga ligji.

Musliu ka kërkuar nga kreu i Avokatit të Popullit që të di nëse ka marrë ndonjë veprim pas raportimeve për shkeljen e të drejtave të njeriut në rastin “Drenica”.

Musliu: A keni ndërmarrë diçka për rastin “Drenica”?

“A ka ndërmarrë ai dhe institucioni që ai drejton ndonjë veprim pas raportimeve të shumta në media për shkeljet ligjore dhe ofendimet që kanë ndodhur në rastin Drenica? Sepse tashmë jemi dëshmitar dhe asgjë më nuk ka mbetur pa u ditur, të paktën nga opinioni i gjerë dhe raportimi në media sepse rasti Drenica do të futet në histori dhe do të lë gjurmë si rasti më eklatantë i padrejtësisë në Kosovë, por tanimë jo vetëm në Kosovë. Kjo do të mbetet si gjurmë e keqe, si gjurmë e turit edhe për drejtësinë ndërkombëtare duke ditur se kjo çështje ka qenë dhe mbetet në duart ë drejtësisë ndërkombëtare në këtë rast e misionit të EULEX-it në Kosovë”, theksoi ajo.

Vazhdimi i seancës nuk u bë e ditur se kur do të vazhdojë, pasi ajo u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit. /

Debat dhe akuza

Pas pauzës, Kuvendi i Kosovës ka vazhduar seancën plenare.

Gjatë seancës së ditës së sotme janë trajtuar  9 pika. 

 1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,

2. Koha për pyetje parlamentare, 

3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme, 

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ndërmarrjet Sociale,

5. Shqyrtimi i Raportit të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016

,6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016, 

7. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksës vjetore për vitin 2018, 

8. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb, 

9. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit për Ankesa.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se numri i zëvendësministrave në qeverinë e tij është nën numrin e zëvendësministrave që kanë qenë në qeverinë e kaluar, ani pse nuk lavdërohet për këtë numër të tyre, ndërkohë që ndaj kësaj deklarate ka reaguar ish-kryeministri Isa Mustafa duke e quajtur të pavërtetë.

Haradinaj ka thënë se ish-qeverisja Mustafa ka pasur 74 zëvendësministra, por se kjo nuk është bërë shumë e madhe.

Haradinaj: Numri i zëvendësministrave nuk e kalon numrin e atyre në Qeverinë e kaluar     

“Sa i përket qeverisë së tashme ju them të drejtën që nuk do të kishte përkrahjen për miratimin e një ligji që do të ndërhynte tash në qeveri. nuk them se është lajm i mirë numri i zëvendësministrave është produkt i mënyrës si është krijuar kjo qeveri. Nuk lavdërohem me këtë numër është ende nën numrin e qeverisë së kaluar, por nuk është arsyetim. Diku 74 ose 76 ka pasur qeveria e kaluar por nuk kanë bërë zhurmë, porse ka të dhëna që ekzistojnë për këtë. në janar do ta marr obligim që këta zëvendës ta nxjerrin pagën e vet duke u shërbyer qytetarëve”, tha Haradinaj.

Ndërsa, sa i përket ligjit për Qeverinë, kreu i ekzekutivit tha mund ta sjellë në Kuvend këtë ligj, vetëm nëse pajtohen të gjitha partitë që ai të hyjë në fuqi pas përfundimit të mandatit të Qeverisë aktuale.

Haradinaj: Ligjin për Qeverinë e sjelli në Kuvend pas një dakordimi mes partive

“U mundova me dhënë një perspektive edhe kohore. Ligjin për qeverinë mendoj me sjellë në Kuvend në një moment të një dakordimi politik që të paktën ata që formojnë Qeveri pas meje të kenë një kornizë ligjore. Sot partitë e koalicionit që kemi formuar qeverinë kuptohet që i kanë pritjet e veta për përfaqësim. Nesër nëse kjo është e kornizuar e ne e votojmë në parlament por që hyn në fuqi për një qeveri e ardhshme do të ishte formulë e duhur”, u shpreh Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit aktual Ramush Haradinaj i cili tha se qeveria e kaluar ka pasur numër më të madh të zëvendësministrave sesa qeveria aktuale.

Mustafa tha se qeverisja e kaluar ka pasur 47 zëvendësministra duke i quajtur të pavërteta deklaratat e Haradinajt.

“Duhet të reagoj për një të pavërtetë, që lexova se Kryeministri Haradinaj e kishte thenë në Kuvend, se Qeveria ime ka pasur më shumë zv. ministra. Numri maksimal në çdo periudhë të qeverisë time nuk ka kaluar 47 zv. ministra. Edhe kjo ka qenë shumë”, shkruan ai në Facebook. 

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se nuk ka logjikë që Kosova të vazhdojë dialogun nëse nuk i jep fund njohjes së ndërsjellë me Serbinë, derisa marrëveshja për drejtësi e arritur në Bruksel është një nisje e gjyqësorit në veri.

Ai theksoi se kjo marrëveshje nuk është perfekte, porse nëse rezistojnë si Kosovë, atëherë mund të shtrij ligjin sipas Kushtetutës edhe në atë pjesë të vendit.

Këtë deklaratë, kryeministri Haradinaj i dha pas pyetjes së deputetes Albulena Haxhiu se cili është qëndrimi i kryeministrit rreth kësaj marrëveshje.

Haradinaj: Marrëveshja për drejtësi, nisje e gjyqësorit në veri

“Marrëveshja për drejtësi është produkt i dialogut në Bruksel. Çfarë produkti, është një produkt i tillë të paktën e synon një nisje të gjyqësorit në veri. Kuptohet, nuk e quaj perfekte, por është një nisje e gjyqësorit në veri dhe është një ndryshim përmbajtësor për shtrirjen e ligjit edhe në veri, pra ligjit dhe Kushtetutës së vendit, sepse korniza dhe ligjet në bazë të cilit operohet janë ligji dhe Kushtetuta e vendit. Kur them nuk është perfekte, Kosova ka ende rrugë dhe punë të bëjë të arrij shtrirjen e ligjshmërisë në veri dhe të rendit”, theksoi Haradinaj.

Por, deputetja e Vetëvendosjes akuzoi Haradinajn se po i ndryshon qëndrimet nga ato që i ka pasur kur ishte në opozitë dhe tash kur është në pozitë.

Haxhiu: Kryeministër, po i ndryshoni fjalët

“Zotëri kryeministër unë kam marrë të gjitha deklaratat e seancave sa keni qenë në opozitë që e keni kundërshtuar goxha shumë marrëveshjen për drejtësinë, e keni quajtur të dëmshme dhe në anë tjetër sot janë deklarime tjera, po duken se po ndryshohen deklarimet sapo të vini në pushtet dhe për karrige natyrisht. Pyetja shtesë, a jeni në dijeni se pala kosovare ka vendosur t’ia njehë të gjitha aktgjykimet e organeve ilegale që kanë vepruar në Kosovë”, u shpreh Haxhiu.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj tha se nuk ka logjikë të vazhdohet dialogu në tërësi nëse përfundimi nuk është me njohje reciproke.

Haradinaj: S’ka logjikë dialogu nëse s’përfundon me njohje reciproke

“Vlerësimi im në tërësi për dialogun është se pas marrëveshjes së prillit 2013ka një ngecje dhe i dini ato kualifikimet e mia që është humbur shumë kohë për Kosovën, është i tillë, mbetet i tillë, bazohet në substancë. Nuk ka logjikë që Kosova të vazhdojë dialogun nëse nuk i jep fund njohjes së ndërsjellë me Serbinë. Me kujtohet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e para, faqja e parë ka pasur stemën e Kosovës, në faqen e dytë njëfarë ngjitësi, OSBE ka qenë në mes. Tanimë nuk ka kësi situate, përdoret dokumentacioni i Kosovës. Ju thash që është një nisje jo perfekte, edhe besoj nuk ka dikush që e quan perfekte, por është një nisje. Nëse në këtë nisje si Kosovë jemi të qëndrueshëm, mund të rezultojë me një ligjshmëri të plotë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, tha Haradinaj.

Ai foli edhe për mbajtjen në paraburgim të deputetëve të Vetëvendosjes për gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Haradinaj: Duhet ndalur mbajtja në burg për veprat në Kuvend

“E para, edhe në një seancë paraprake e kam propozuar që të nxirret një nen përmes të cilit këto vepra që akuzohen deputetët, mund të aprovohen dhe të merret një vendim ose amnisti, që për veprat politike, për veprat që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës të ndërpritet kjo praktikë”, tha Haradinaj.

Debat dhe akuza për kërkesën milionëshe të Bechtel&Enkës

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe deputetët e LDK-së, janë përplasur rreth kërkesës së kompanisë “Bechtel&Enka;”, për dhënien e 63 milionë eurove për shkak të shtyrjes së kontratës për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Ministri Lekaj ka shpjeguar se kjo ka ardhur si pasojë e neglizhencës së qeverisë së kaluar.

Image

Lekaj:  Bechtel&Enka ka kërkuar 63 milionë si pasoj e neglizhencës suaj

“Sa i përket këtyre 63 milionëve nuk i kam prodhuar unë, nuk i kam imagjinuar unë, por është kërkesë e Bechtel&Enka që të paguhen 63 milionë për vonesat dhe shlyerjen e obligimeve buxhetore që kanë qenë të zotuara në kontratë. E kam sqaruar i nderuar deputet, nuk keni qenë këtu, në mënyrë detale, analitike se ku dhe në cilat pozicion është kërkuar dëmshpërblimi, sa është kërkuar, sa është bërë pagesa për vitet fiskale dhe për 121 muaj shtyrje të kontratës janë kërkuar 63 milionë saktë. Nuk kam thënë asnjëherë që unë jam pajtuar, dhe nuk do të pajtohem. Por pas 100 takimeve që kemi bërë asnjë vendim nuk e kemi marrë. Dhe qeveria e Kosovës jo vetëm për këtë rast, që mund t’i citojmë, e ke për pasaporta se sa duhet të paguaj për neglizhencën e juaj. Axos-in po ashtu, për mos marrje të vendimeve, dhe unë nuk i kam fajet bre, nuk kam fajet sepse nuk i kam prodhuar ato dokumente, i kam gjetur këtu”, th a Lekaj.

Por replikojë deputeti dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili kërkoi sqarim se pse Bechtel&Enka, ua ka kërkuar atyre 63 milionë euro, derisa Qeverisë së kaluar vetëm 14.78 milionë euro.

Zharku: Pse neve na kërkoi 14.78 milionë, e juve 63

“Atë që deklarova ekziston marrëveshja, Qeveria, komisioni ndërministror ka marrë vendim për shumën prej 14 milionë eurove. Unë po kërkoj nga ministri le të na sqaroj si është e mundur që me ne të merren vesh 14. 78, kurse këtyre ua kërkon 63 milionë, asgjë tjetër”, , theksoi Zharku.

Përgjigja e ministri Lekaj ishte se nuk e di pse kaq shumë po iu djeg.

Lekaj: Me vije keq si po iu dhëmb kaq shumë

“E kam një shprehje që e them shpesh, me vije keq, seriozisht e di që thuhet me vije keq, por prapë po e citoj nuk e kam prodhuar unë kërkesën, është nga Bechtel&Enka që e kam prezantuar në Kuvend. Prandaj unë nuk e di pse kaq shumë po iu djeg, do të dalin edhe gjëra tjera sepse ende duhet t’i sqarojmë ato që i keni ndërmarrë”, u shpreh Lekaj.

Në debat u përfshi edhe shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili theksoi se i vije keq që në krye të dikasterit është ministri i cili nuk i lexon kontratat.

Hoti: Shikoni kontratat ministër

“Çdo obligim që e ka Qeveria e Kosovës ndaj Bechtel&Enkas, ose cilitdo kontraktor buron nga kontrata, shkoni kontratat iu kisha lut, aty specifikohet për çdo vonesë, për çdo penallti, për çdo punë që duhet të kryhet, përmbushni kushtet kontraktuale, tjerat keni kujdes me deklarime sepse bashkë i keni partnerët që e kanë shkaktuar këtë problemin e Axosit para pesë-gjashtë viteve dhe keni me e pagu, edhe pasaportave që shpresoj ta keni paguar, edhe plotë të tjera që do t’iu vinë, jeni bashkë me ata partnerë në qeveri, prandaj keni kujdes, më vjen keq kur shpreheni kështu, më vjen keq për qytetarët e Kosovës qysh tash gardianët e taksave të tyre janë këta persona të papërgjegjshëm. Lexoni kontratat dhe mos dilni kaq jo serioz në foltore”, tha Hoti.

Edhe ndaj Hotit pati replikë ministri Pal Lekaj, i cili tha se për obligimet që nuk i ka shlyer qeveria e kaluar ndaj kontraktuesit ka ardhur deri të ky dëmshpërblim dhe kërkesë e Bechtel&Enka.

Lekaj: Bechtel&Enka kërkoj dëmshpërblim si pasoj e mos shlyerjes së borxheve nga ju

“Mund të them para qytetarëve të Kosovës, për obligimet që nuk i keni shlyer ndaj kontraktuesit, që janë të saktësuara në kontratë ka ardhur deri tek ky dëmshpërblim apo kjo kërkesë nga Bechtel Enka, duke u bazuar në pasuset apo nenet e kontratës, dhe asgjë më shumë dhe asgjë më pak, prandaj e kam lexuar kontratën shumë mirë, e di shumë mirë, nuk është rasti i parë që unë e kam hasur në Ministri të Infrastrukturës por janë edhe raste të reja, por unë po e them për mosshlyerjen e obligimeve, duke u bazuar në nenet e kontratës me Bechtel&Enka, janë këto kërkesa të kompanisë në fjalë, jeni takuar përmbi 100 herë dhe nuk keni bërë zgjidhje, prandaj ka ardhur deri tek kjo kërkesë e tyre...dhe prapë po e them këtë se unë do ta negocioj këtë duke u bazuar në kontratë dhe në obligimet që i ka Qeveria e Kosovës”, theksoi Lekaj.

Nuk u ndal me kaq, pasi Hoti kritikojë ministrin Lekaj se nuk kupton, pasi kontrata nuk negociohet.

Hoti: Ministri Lekaj nuk kupton

“Është një gjë që ministri Lekaj nuk kupton, nuk negociohet një kontratë që është arrit, prandaj ne nuk kemi mbërri asnjë marrëveshje me ta, kemi insistuar në zbatimin pikë për pikë të kontratës, por nuk është çështje e diskrecionit tonë se çfarë marrëveshje mund të arrish me ta, ti je i obliguar ta zbatosh kontratën, vetëm kaq, nuk mund të arrish marrëveshje me ta, s'mund ta akuzosh ministrat paraprak se nuk kanë arritur marrëveshje, ne jemi kujdesuar ta zbatojmë kontratën, të kisha lutur edhe ti të kesh kujdes ta zbatosh kontratën”, tha Hoti.

Ndërsa, ministri Lekaj tha se nuk negociohet kontrata, por kërkesa e kompanisë Bechtel&Enka.

Lekaj: Për gabimet e juaja mos e hedhni fajin diku tjetër

“Po e them nuk negociohet kontrata, negociohet shuma e kërkuar nga Bechtel&Enka, duke u bazuar në obligimet që i ka në kontratë Qeveria e Kosovës ... Mos u mundo tani që për gabimet e juaja, për mos vendimet, për neglizhencën tuaj ta hedhni fajin diku tjetër, unë ju kuptoj juve, jeni në pozita shumë të këqija, sepse duhet të kishit marr vendime duke u bazuar në kontratë dhe obligimet që i ka pas Qeveria e Kosovës”, u shpreh ai.

Deputetët po vazhdojë me pyetjet e deputetëve ndaj kabineitit qeveritar, ndërsa, së shpejti pritet të shqyrtohet raporti i shqyrtohet raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016, si dhe kërkesa e këtij fondi për miratimin e taksës vjetore për vitin 2018.

Deputetët e LDK-së akuzojnë Pal Lekajn për 63 milionë eurot që po i kërkon Bechtel-Enka

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka kërkuar sqarim nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekajn, pse po pranon t’i paguaj Bechtel-Enka’s 63 milionë euro me shumë për autostradën “Arbën Xhaferi".

Deputetja Bajrami i ka thënë ministri Lekaj se si është e mundur që kompania Bechtel-Enka, që, sipas saj, është pajtuar me Qeverinë Mustafa 14.7 milionë euro, tani ua kërkon Ministrisë së Infrastrukturës.

Sipas Bajramit, Pal Lekaj aprovoi shpenzimet e pabaza pa ndonjë analizë më të thellë.

Ndërsa ministri Lekaj ka thënë se 63 milionët nuk janë produkt i tij, por i ka ardhë kërkesa nga Bechtel-Enka për shkak të neglizhencës dhe shkeljes së kontratës nga qeveria e kaluar.

“Kam shpjeguar në mënyrë analitike se pse janë kërkuar 63 milionë dhe ku është shkelur kontrata”, ja thënë ministri në seancën e sotme në Kuvend.

Ndërsa ish-ministrit Zharku ka kërkuar që ta sqarojë se si është e mundur që 14 milionshki të kthehet në 63 milionë.

Për këtë cështje ka folur edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se ministri Lekaj as nuk ka njohuri për kontratat sepse nuk i ka lexuar ato.

“Më vjen keq që në krye te dkikastri është ministri që nuk i lexon kontratat sepse i keni partner ata që e kanë shkaktu problemi e Axos, po ashtu edhe të pasaportave”, ka thënë ai.

************************************

Seanca e Kuvendit të Kosovës, me kritikat e opozitës për nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova C, e cila është quajtur si skandaloze.

Kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri ka ngritur çështjen e arritjes së marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova C, për të cilin ka thënë se ka qenë një proces jo transparentë.

Madje, Ymeri e ka quajtur skandaloze nënshkrimin e kësaj kontrate.

Ymeri: Kontrata për termocentralin Kosova C, skandaloze

“Termocentrali Kosova C do të ketë një bllok 500 megavatësh, kthimin në investime për këtë investim do të jetë diku 21. 5 për qind, ndërkohë që ngritja e çmimit të energjisë parashikohet nga Qeveria nga 28 deri 32 për qind, si rrjedhojë e këtij projekti. Besoj se këto mjaftojnë për ta treguar se sa skandaloze është kjo kontratë dhe ky projekt në përgjithësi. Ky është rasti i parë i privatizimit të kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike në vendin tonë. Pas privatizimit të dëmshëm dhe shkatërrues të rrjetit të shpërndarjes tash po zbatohet faza e dytë e privatizimit të gjenerimit një hap jashtëzakonisht i dëmshëm drejt privatizimit të energjisë elektrike në përgjithësi”, tha Ymeri.

Deputetja e PDK-së, Xhevahire Izmaku, ka ngritur çështjen e ushtrimi të dhunës ndaj fëmijëve në qerdhe, pas raportimit në media se një fëmijë është rrahur nga mësuesja e tij, e një tjetër është dënuar me mos dhënie të bukës si dënim.

Izmaku: Dhuna ndaj fëmijëve në shkolla shqetësuese

“Ditë më parë në lajme pamë një informacion se si një shtatë vjeçar i nxirren flokët nga mësuesja e klasës me justifikimin e turpshëm se kjo kishte ndodhur në afekt pasi fëmija nuk po arrinte të kuptonte mësimin edhe pas shumë përsëritjeve. Në intervistimin që i bënte gazetarja, drejtoresha e shkollës, për at të keq edhe ishte grua, në deklaratën e saj ajo e kishte me të rëndësishme të rrëfej se mësuesja qenka shumë në nivel dhe flokët mbi krah. Kjo paraqitje imja i nxit nga kjo storie, por nuk është e vetmja. Aq shumë kemi brenda vitit të tilla raste ku asnjëherë të vetëm, unë se paku nuk kam marrë informacion nga inspektorët e arsimit se çfarë ndodh me tutje me raste të tilla. Kemi edhe raste tjera ku një fëmijë nuk i jepet ushqimi vetëm pse kishte nxënë ulësen e një shoku detyrohet t’i shikoj fëmijët e tjerë duke ngrënë si shënjë dënimi”, tha ajo. 

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj që t’i ndërtojë varrezat e dëshmorëve në fshatin Polac, pasi ato ende nuk janë rregulluar.

Selimi: Kryeministër, kërkoj rregullimin e varrezave të dëshmorëve në Polac

“Sot është data 14 dhjetor përvjetori i 19 i rënies se komandantit Mujë Krasniqi dhe 41 dëshmorëve tjerë që kanë rënë në kufirin e padrejtë mes shqiptarëve në Gorozhup në vitin 1998. Por si shumë prej jush familjet e dëshmorëve akoma edhe sot lulet për familjarët e tyre, bashkëluftëtarëve të tyre lulet i hedhin mbi dhe pasi varrezat nuk janë rregulluar. Siç ju e dini me 14 dhjetor 1998 ishin 141 luftëtarë që ishin nisur të sjellin armë kurse 41 kanë rënë aty. Kurse në ndërkohë në fshatin Polac në një lëndinë në rrethana lufte janë varrosur këta dëshmorë dhe pastaj edhe dëshmorë tjerë janë 128 varreza të gjitha të parregulluara. Varrezat atje kanë vetëm nga një shenj druri ku në ato shenja shumica e emrave nuk lexohen më. Unë e di që ka pasur probleme rreth menaxhimit të kësaj teme. Kërkoj nga kryeministri një angazhim personal për këtë temë, duke ditur se edhe e ndjën, që të marrë angazhimin për rregullimin e varrezave”, theksoi Selimi.

Seanca po vazhdon me një pyetjet e deputetëve ndaj kabinetit qeveritar.

Zharku: Bechtel Enka s’mund ta kërkojë asnjë cent, se ka humbur një minutë në punishte

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i është përgjigjur akuzave të Pak Lekajt, i cili ka thënë se qeveria do të detyrohet të paguaj pare shtesë për kompaninë Bechtel Enka.

Lekaj pretendon se keqmenaxhimi që ka ndodhur nga qeveria e kaluar buxheti i Kosovës do të dëmtohet mbi 60 milionë euro.

E Zharku ka thënë se deklaratat e Lekajt janë nga mosdija për menaxhim.

Zharku në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se kompania Bechtel Enka nuk mund të kërkojë asnjë cent, sepse sipas tij, nuk ka humbur asnjë minutë në punishte.

“Ka disa ditë që ministri Lekaj deklaron që qeveria do të paguaj 60 milionë euro kinse për keqmenaxhimin tim. Deklarimet e tilla janë jo konisistente  dhe mos dijes së menaxhimit. Siç kam sqaruar, kontrata për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit është nënshkruar para se të bëhej qeveria Mustafa. Me përgjegjësi të plot e them se Bechetel Enka se ka humbur asnjë minutë në punishte, dhe s’mund të kërkoj asnjë cent për këtë”, ka thënë Zharku.

Seanca e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku do të shqyrtohet raporti vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2016, si dhe kërkesa e këtij fondi për miratimin e taksës vjetore për vitin 2018.

Po ashtu do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për Ndërmarrjet Sociale, raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2016, si dhe do të formohet  komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb dhe formimi i komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat