Serbia mbetet problem për zhvillimin e tregut rajonal energjetik

Aktuale

Serbia mbetet problem për zhvillimin e tregut rajonal energjetik

Më: 14 dhjetor 2017 Në ora: 18:57
Valdrin Lluka dhe Janez Kopac

Kosova është zotuar që të përmbushë kërkesat për një treg të përbashkët energjetik rajonal, por problem për këtë mbetet Serbia, ka deklaruar në një konferencë për media ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, pas përmbylljes së mbledhjes së Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ku është biseduar, ndër tjerash, edhe për energjinë e ripërtërirë.

Ministri Lluka tha se Kosova do ta përmbushë edhe këtë kriter të kërkuar nga Komisioni Evropian. Sipas ministrit Lluka në takimin e sotëm kanë munguar Serbia dhe Bosnja.

Lluka: Tregu rajonal nuk mund të realizohet pa i eliminuar të gjitha problemet

“Diskutuam edhe për problemin që e kemi në transmision me Serbinë, Sekretariati për momentin është përgjegjës në facilitimin e negociatave në mes të dyja vendeve. U tha edhe në takim, që Kosova e ka kryer obligimin duke caktuar tek ekipi negociator, kurse Serbia akoma nuk është përgjigjur dhe jemi në pritje të një përgjigje të tillë, e cila do të ketë ndërmjetësuese e edhe Qeverinë gjermane. Andaj, jemi të vetëdijshëm se funksionalizimi i tregut rajonal të energjisë, do të jetë një instrument i fuqishëm për optimizmin e energjisë, për përdorimin e energjisë në forma më të mira. Dhe normalisht një gjë e tillë në tregun rajonal, nuk mund të realizohet pa i eliminuar të gjitha problemet, sidomos me problemin që ka të bëjë me transmisionit siç është rasti me Serbinë”, ka thënë ministri Lluka.

Janez Kopac nga Sekretariati i Komunitetit për Energji, ka thënë se ky ishte një takim i veçantë jo vetëm për Kosovën, por edhe për Maqedoninë. Ai duke folur rreth mos pjesëmarrjes së Serbisë në këtë takim, Kopac tha se kanë qenë në dijeni se pala serbe nuk do të marrë pjesë, që shkaktoi mungesë të kuorumit, por gjë e cila sipas tij, nuk paraqet problem për votim.

Kopac: Kosova është në përpjekje ta implementojë edhe pakon e tretë të energjisë

“Ky është një moment shumë i veçantë, jo vetëm për Kosovën, e cila po e adapton strategjinë e re të energjisë në javët apo muajt e ardhshëm, por është një moment i veçantë gjithashtu edhe për Maqedoninë si shtet fqinjë, e cila është duke bërë tani diçka që Kosova e ka bërë para më shumë se një viti në mënyrë intensive dhe kjo e fundit po mundohet që ta transpuzojnë dhe të implementojnë pakon e tretë të energjisë në sektorin e gazit dhe të energjisë. Jam i kënaqur me zhvillimet aktuale për të cilën edhe presidenca kosovare e ka luajtur rolin e vet”, ka deklaruar Kopac. 

Ai ka shtuar se në takimin e sotëm kanë biseduar edhe për qëndrueshmërinë e Komitetit të klimës dhe mjedisit, andaj, sipas Kopac ky do të jetë fokusi kryesor i kësaj organizate në vitet e ardhshme.

Ndryshe, sot është mbajtur takimi i 15-të i anëtarëve të Komunitetit të Energjisë, Kosova në vitin 2017 e ka pasur presidencën, të cilën sot e ka dorëzuar tek Maqedonia që pritet ta udhëheqë vitin e ardhshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat