KGjK i përgjigjet raportit të ashpër të Auditorit

Aktuale

KGjK i përgjigjet raportit të ashpër të Auditorit

Më: 15 dhjetor 2017 Në ora: 13:43
Foto ilustrim

Pushteti i tretë shtetëror mund të shkojë drejt kolapsit! Ky ishte shqetësimi kryesor që Zyra Kombëtare e Auditorit ngriti ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ndaj të gjitha këtyre kritikave, KGjK i ka dhënë përgjigje Auditorit për raportin që foli zi e terr për sistemin e drejtësisë në vend

Auditori lëshoi kritika të shumta ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës, duke thënë se nuk janë treguar efikas për të monitoruar progresin e arritur nëpër Gjykatat e Kosovës.

Megjithatë, raporti kishte të bënte kryesisht me trajtimin e lëndëve civile nëpër Gjykata, i cili potencoi se qytetarët po detyrohen të presin gjatë për shërbime gjyqësore.

“KGjK ka krijuar mekanizma të përgjithësuar të cilat nuk i ofrojnë mbështetje të mjaftueshme Gjykatave Themelore në menaxhimin e lëndëve”, thuhej në raport, të cilin media e ka publikuar javë me parë.

Ndaj këtyre kritikave është përgjigjur edhe vetë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët kanë thënë se janë të përkushtuar për avancimin në sundimin e ligjit dhe sigurinë që Gjykatat në Kosovë të ofrojnë drejtësi të shpejtë dhe shërbime të mira për qytetarët.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është i përkushtuar për avancimin e sundimit të ligjit dhe për të siguruar që gjykatat në Kosovë ofrojnë drejtësi të shpejtë dhe shërbime më të mira gjyqësore për qytetarët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KGjK’së.

Këshilli thotë se në mesin e synimeve të tyre janë edhe përmirësimi i sistemin gjyqësor, përmirësimi i politikave dhe procedurave gjyqësore – kështu duke përmirësuar transparencën dhe cilësinë e procesit të hartimit të politikave dhe rregulloreve.

Ata thonë se kanë implementuar procese transparente dhe gjithëpërfshirëse të konsultimit publik.

“Hartimi i politikave dhe rregulloreve është bërë me dakordim të brendshëm në mes të anëtarëve të Këshillit, Komisionit Normativ dhe Kryetarëve të Gjykatave, rreth prioriteteve strategjike të politikave të KGjK-së për vitin 2017.”, thuhet në përgjigjen e KGjK’së.

Në përgjigjet se si e shohin raportin e Auditorit, KGjK’ja tha se janë duke punuar në përmirësimin e menaxhimit të lëndëve, kështu duke aplikuar praktikat të administrimit gjyqësor.

“KGjK ka hartuar Planet për Përmirësimin e Menaxhimit të Rrjedhës së Lëndëve në Gjykata, si instrumente të përmirësimit të rrjedhës së lëndëve dhe monitorimit të progresit të lëndëve. Përmes këtyre praktikave të mira janë zvogëluar hapësirat për sjellje korruptive dhe vonesa në procesimin e lëndëve,, si dhe është instaluar një proces për kontrollin dhe menaxhimin më të mirë të lëndëve, si parakusht i efikasitetit”, përgjigjet institucioni përgjegjës për monitorimin e Gjykatave.

Ata thonë se me ndihmën e USAID për përmbushjen e misionit dhe avancimin e ligjit, kanë hartuar Rregulloren për Vlerësimin e Përformancës së Gjyqtarëve që përfshinë një vlerësim të produktivitetit gjyqësor, bazuar në indikatorët kyç të menaxhimit të lëndëve.

“Po ashtu Gjykatat Themelore kanë hartuar planet për përmirësimin e menaxhimit të lëndëve, për të përmirësuar më tej efikasitetin e procesimit të lëndëve”, thotë Këshilli Gjyqësor.

Kurse për vitin 2018, KGjK thotë se do të bëjnë bashkëpunim për së afërmi me gjykatat, USAID dhe me palët e tjera dhe vazhdimin e përmirësimit të zhvillimit dhe menaxhimit të politikave dhe rregulloreve të gjyqësorit, duke i bërë ato më transparente dhe inkluzive.

Subjekte të këtij raporti të auditimit që u publikua më në fillim të muajit dhjetor, ishin Gjykatat Themelore të Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, si dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me fokus në menaxhimin e lëndëve civile të Gjykatave Themelore.

Për këto parregullsi, Auditori tha se janë evidente që nga faza fillestare e shpërndarjes së lëndëve civile tek gjyqtarët, kompletimi dhe precizimi i kërkesë-padive, menaxhimi jo adekuat i grumbullit të lëndëve nga sekretarët juridikë, shtyrja e vazhdueshme e seancave gjyqësore, vonesat në shqyrtimin e lëndëve në Gjykatën e Apelit dhe norma e lartë e lëndëve që kthehen në rigjykim në Gjykatat Themelore.

Gjykata e Apelit e Kosovës, pas publikimit të këtij raporti, ka reaguar duke thënë se të gjeturat e tij janë edhe shqetësime permanente të kësaj gjykate dhe se po bëhen përpjekje të vazhdueshme që mangësitë të evitohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat