Zyrtare: Ndryshon rezultati në Istog, Haki Rugova prin me 75 vota

Aktuale

Zyrtare: Ndryshon rezultati në Istog, Haki Rugova prin me 75 vota

Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 07:28
Haki Rugova dhe Gani Dreshaj

(E plotësuar) - Ka ndryshuar zyrtarisht rezultati për kryetar të Komunës së Istogut.

Tani, Haki Rugova është duke udhëhequr në garën për kryetar të Komunës së Istogut.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se nga rezultatet e verifikuara të rivotimit në Istog, kandidati i LDK-së Haki Rugova, prin 75 vota më shumë se sa kandidati i AAK-së Gani Dreshaj.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve Burim Ahmetaj, ka thënë se numërimi i votave me kusht, atyre të personave me nevoja të veçanta dhe votave me postë do të nisë sot rreth orës 15:00.

Janë gjithsej 415 vota me kusht, 68 vota të personave me nevoja të veçanta dhe 28 vota me postë. Kandidati i LDK-së Haki Rugova, ka marrë 9 mijë 901 vota, ndërsa kandidati i AAK-së Gani Dreshaj, 9 mijë 826 vota.

Për shkak të dallimit të ngushtë në vota, numërimi i këtyre votave me kusht, postë dhe personave me nevoja të veçanta, do të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve për kryetar të Istogut.

Përmbysje të rezultatit në Istog, gabim në numërim, Rugova prin me 75 vota

Rezultati i zgjedhjeve në Istog mund të jetë përmbysur në favor të Haki Rugovës së LDK'së.

Rezultati preliminar i cili është paraqitur nga KQZ, ku fitues i zgjedhjeve në Istog ka dalë Gani Dreshaj i AAK’së ka gjasë të mos jetë ai i vullnetit të qytetarëve të Istogut.

Burime në KQZ kanë thënë se janë bërë gabime në administrim të rezultatit. Sipas të njëjtit burim kandidati i LDK-së, Haki Rugova ka fituar në Istog, me saktësisht 75 vota më shumë se sa kandidati i AAK-së, Gani Dreshaj.

Numërohen mbi 100 % të votave në Istog, Dreshaj prin me 52 vota ndaj Rugovës

Në KQZ sapo ka përfunduar numërimi i votave nga raundi i balotazhit për kryetar të Komunës së Istogut.

Nga 100 përqind i votave, sipas rezultateve preliminare fitues del kandidati i AAK-së, për kryetar të kësaj komune, Gani Dreshaj.

Gani Dreshaj i AAK-së ka dalë i pari në rivotimin që u mbajt sonte në Istog

Dreshaj ka marrë 10 mijë e 241 vota ndërsa kandidati i LDK-së Haki Rugova ka marr 10 mijë e 189 vota.

Image

Numërohen mbi 80 % të votave në Istog, ky është rezultati

Kur janë numëruar mbi 80 përqind të vendvotime rezultati mes kandidatit Haki Rugova dhe Gani Dreshaj është i barabartë.

Derisa në shtabin e LDK-së janë mbledhur të gjithë dhe veç se ia kanë uruar kandidatit Rugova në AAK ende nuk ka ndonjë lëvizje.

Kandidati i AAK-së Gani Dreshaj ka thënë se do të japë deklaratë pas orës 20 e 30.

Numërohen mbi 55% të votave në Istog: prin Haki Rugova

Janë numëruar 55 për qind të votave në Istog, teksa prin kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Rugova ndaj atij të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Gani Dreshaj.

Nga numërimi zyrtar i 55.56 për qind të votave, Rugova ka arritur të fitojë 51.8 për qind të tyre.

Ndërkaq, Dreshaj ka fituar 48.2 për qind të votave deri më tani, kur kanë mbetur pa u numëruar edhe rreth 45 për qind të votave.

Pas mbyllje së vendvotime në komunën e Istogut, Komisioni Qendror Zgjedhor në një konferencë të jashtëzakonshme ka bërë të ditur se nga rezultatet e para duke fituar është kandidati i LDK-së, Haki Rugova.

Sipas këtyre rezultateve del që kandidati i LDK-së, Haki Rugova ka rezultatin nga 50.5 përqind kurse kandidati i AAK-së, Gani Dreshaj ka 43.8 përqind.

Pritet që pas disa orësh të KQZ të bëjë të ditura edhe rezultatet përfundimtare nga kjo komunë.

Komisioni Qendror Zgjedhor njofton se rezultatet preliminare të rivotimit për kryetar të Istogut do të shfaqet në sallën e KQZ-së.

Sipas një Exit Poll-i të realizuar në Istog nga “Projekti Hop”, fitues i zgjedhjeve lokale në këtë komunë del të jetë Haki Rugova i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Rugova sipas këtij Exit Poll-i ka marrë 53.6 përqind, ndërsa Gani Dreshja i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 46.3 përqind.

Dalja e votuesve në Istog është 41.27 për qind

Valdete Daka, kryetare e KQZ-së, ka thënë në konferencën për media se të gjitha vendvotimet në komunën e Istogut janë mbyllur me kohë dhe dalja në zgjedhjet e rivotimit për kryetar komune ishte 41.27 për qind.

Daka ka thënë se rezultatet do të shfaqen drejtpërdrejt  në sallën e KQZ-së sapo të kryhen numërimet në vendvotime.

Daka: Dalja e votuesve është 41.27 për qind

“Ju informojmë se në ora 19.00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet në komunën e Istogut dhe aktualisht është duke u bërë numërimi i fletëvotimeve. Në këtë proces të rivotimit në komunën e Istogut  kanë votuar 20.248 votues, apo 41.27 për qind, derisa më 19 nëntor në të njëjtën kohë kishin votuar 18.233 votues, apo 38.24 për qind”, ka thënë Daka.

Ajo në emër të KQZ-së ka falënderuar prokurorinë dhe policinë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për rivotim në Istog, ku për të parin e komunës garojnë Haki Rugova nga LDk dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Rivotimi në komunën e Istogut është bërë për shkak të parregullsive në garën e balotazhit, më 19 nëntor.

Përfundon rivotimi në komunën e Istogut

Ibrahim Bytyqi, menaxher i qendrës kryesore në gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog, ka thënë se vendvotimet janë mbyllur në ora 19.00 dhe se procesi zgjedhor ka rrjedhë në përgjithësi mirë dhe pa probleme.

Bytyqi: Dalja 44-45 për qind

“Sa u mbyll vendvotimi dhe po fillon procesi i numërimit. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara dalja ka qenë shumë më e mirë, 44-45 për qind është dalja e votuesve”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkohë që nuk është raportuar për parregullsi gjatë procesit të votimit për kryetar të komunës, në garën e së cilës janë Haki Rugova nga radhët e LDK-së dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Bytyqi: S’ka parregullsi

“Nuk ka parregullsi që vlejnë për t’u theksuar, pavarësisht ankesave të disa anëtarëve të partive të ndryshme, pasi ato janë të zakonshme në procesin zgjedhor”, tha Bytyqi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se lista e votuesve ka qenë e pastruar dhe nuk ka vërejtje në atë drejtim.

Bytyqi: Listat kanë qenë të pastruara kësaj radhe

“Listat kanë qenë të pastruara dhe listat kanë qenë komplet kësaj radhe. Nuk ka pasur vërejtje në atë drejtim”, është shprehur Bytyqi. /KosovaPress/

Ka përfunduar rivotimi në komunën e Istogut

Qendrat e votimit tashmë kanë filluar të mbyllen përderisa duhet cekur se hapja e tyre është bërë në ora 07:00 të mëngjesit.

Duhet shtuar se në kandidim për të parin e kësaj komune janë Haki Rugova nga Lidhja Demokratike  Kosovës dhe Gani Dreshaj nga Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në komunën e Istogut u mbajt për herë të dytë procesi i votimit për kryetarin e komunës për katër vitet e ardhshme.

Image
Kryetarja e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka

Istog, deri në ora 15:00 votuan mbi 14 mijë qytetarë

Kryetarja e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka bëri të ditur se deri në orën 15:00 kanë votuar 14 mijë e 160 votues apo 28.81%.

Daka: Deri në ora 15 votuan 28.81 përqind në Istog

“Deri në orën 15:00 , kanë votuar 14 mijë e 160 votues apo  28.81 përqind . Ndërsa mw 19 nëntor deri në të njëjtën kohë kishin votuar 11 mijë e 827 votues  apo 24.80 përqind”, ka thwnw ajo.

Daka këto i ka bërë të ditura në konferencën e tretë lidhur me rivotimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Istogut.

KQZ flet për votimin në Istog deri në ora 15:00 (Drejtpërdrejt)

Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve po mban konferencë për media ku do të njoftojë lidhur pjesëmarrjen në votime deri në ora 15:00.

Përndryshe, janë 49.150 qytetarë me të drejt vote që kanë mundësi të votojnë sot për kryetarin e komunës së Istogut.

Në këtë komunë hapen 23 qendra dhe 63 vendvotime.

Zgjedhjet në Istog, DnV raporton për parregullsi

Demokracia në Veprim ka njoftuar se vëzhguesit e tyre kanë vërejtur numër të konsiderueshëm të votimeve me asistencë, për një pjesë të të cilave nuk janë ndjekur procedurat e rregullta të votimit.

Sipas raporteve të vëzhguesve, të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë. Komisionerët ishin të pranishëm në të gjitha vendvotimet, ndërsa nuk është raportuar për ndonjë mungesë të materialeve sensitive dhe josensitive.

“Ambienti në të cilin po zhvillohet procesi votimit në komunë është i qetë dhe i sigurt, ndërsa qytetarët janë të lirë për të ushtruar të drejtën e tyre të zgjedhjes. Vëzhguesit e Demokracisë në Veprim (DnV) kanë vërejtur numër të konsiderueshëm të votimeve me asistencë, për një pjesë të të cilave nuk janë  ndjekur procedurat e rregullta të votimit. Janë evidentuar raste kur votuesit të cilët kanë deklaruar se kanë nevojë për asistencë në votim, nuk kanë shkuar prapa kabinës së votimit së bashku me asistuesin e tyre, por kanë qëndruar në hyrje të vendvotimit përderisa asistuesi ka votuar për ta. Raste të votimit me asistencë janë vërejtur edhe tek grup moshat e reja, të cilët janë parë tek janë asistuar nga persona të tjerë. Në vendvotimin 0615C/01D në fshatin Prigodë, ka pasur një rast të votimit të dyfishtë. Një burrë i ka marrë gruas së tij fletëvotimin dhe ka votuar për të dytë. Po as htu në këtë Qendër të Votimit ka mungesë të furnizimit me rrymë. Dukuri e votimit të dyfishtë, e ngjashme me atë në fshatin Prigodë është vërejtur edhe në vendvotimin 0605C/01R në fshatin Zallq. Në vendvotimin 0621C/02D në fshatin Kaliqan, në Librin e Votimit shënohet me laps, vëzhguesit nuk regjistrohen në rubrikën e destinuar për këtë qëllim, si dhe votuesit me asistencë evidentohen në LV me laps. Në afërsi të Qendrës së Votimit 0606C në fshatin Vrellë, vëzhguesit tanë kanë identifikuar materiale propaganduese brenda perimetrit të ndaluar prej 100 metra. Pas vërejtjeve të vëzhguesve tanë, materialet janë larguar. Në Qendrën e Votimi 0618C në fshatin Osojan, numër i konsiderueshëm i votuesve kanë deklaruar se nuk kanë gjetur emrin e tyre në Listën e Votuesve”, thuhet në komunikatën e DnV.

DnV ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote të marrin pjesë në zgjedhje dhe të vendosin për qeverisjen katër vjeçare.

DnV po vëzhgon mbarëvajtjen e procesin të rivotimit për Kryetar të Komunës së Istogut me 42 vëzhgues të angazhuar në ekipe mobile. Votimi po mbahet në gjithsej 23 Qendra Votimi me 63 vendvotime.

***

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka , ka njoftuar për procesin e votimit në komunën e Istogut.

Sipas saj deri në orën 11:00, kanë votuar 3 mijë e 748 votues , apo 7.63 përqind.

Daka: Deri në orën 11:00 kanë votuar 3 mijë e 748 votues

“Deri në orën 11:00 kanë votuar 3 mijë e 748 votues apo 7.63%. Më 19 nëntor, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 106 votues apo 6.51%. Ju njoftojmë se procesi zgjedhor për kryetar të komunës së Istogut është duke vazhduar normalisht dhe nuk ka raportime për ndonjë problem.”, Daka.

Ndryshe, komuna e Istogut pas balotazhit me dyshime për keqpërdorime ka shkuar në rivotim, ku për kryetar të kësaj komune garojnë Haki Rugova nga LDK-ja dhe Gani Dreshaj nga AAK-ja.

Image
Konferenca e KQZ-së

***

Demokracia në Veprim ka vlerësuar se procesi i votimit në komunën e Istogut ka filluar pa vonesë dhe po vazhdon pa ndonjë parregullsi.

Albert Krasniqi nga DnV, tha se po monitorojnë procesin e zgjedhjeve në Istog me një ekip mobile dhe deri tani nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.

Krasniqi: Nuk kanë raportuar për ndonjë parregullsi

“Ekipet tona mobile nuk kanë raportuar për ndonjë parregullsi apo vonesë. Procesi është duke shkuar normalisht, mirëpo po vërehet një dalje e ultë për të votuar, mbase është edhe mëngjesi gjykuar që të jenë më vonë në vendvotime“, tha ai.

Ai shtoi se pavarësisht që ka qenë një procesi i lodhshëm për qytetarët për shkak se po votohet për të treten herë, ata duhet të dalin dhe të vendosin për qeverisjen e ardhshme.

Krasniqi: Qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje 

“Po iu bëjmë thirrje të gjitha subjekteve politike që të jenë të përgjegjshme në mënyrë që të garantohet një proces të drejt dhe të qetë zgjedhor, në anën tjetër i bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje për shkak se janë të rëndësishme për komunën e tyre për katër vite do të vendosin se si do të qeveriset në komunën e tyre“, tha ai.

Përndryshe, janë 49.150 qytetarë me të drejt vote që kanë mundësi të votojnë sot për kryetarin e komunës së Istogut.

Në këtë komunë hapen 23 qendra dhe 63 vendvotime.

**

Votuesit e fshatit Zallç të Istogut kanë shprehur interesim të madh për të shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike.

Përkundër reshjeve të vazhdueshme të borës, qytetarët kanë dalë për të vendosur rreth qeverisjes së tyre të ardhshme.

Ata do të zgjedhin mes Haki Rugovës së LDK-së dhe Gani Dreshajt të AAK-së.

Kujtojmë se qytetarët e Istogut po votojnë për herë të tretë, meqë pas zgjedhjeve të balotazhit, KQZ ka vendosur që kjo komunë të shkojë në rivotim.

Image
Istog

Serbët të painteresuar për të votuar në Istog

Ndonëse vendvotimet janë hapur në orën 07:00, pak serbë kanë vendosur ta hedhin votën për të zgjedhur kryetarin e tyre të ardhshëm.

Në fshatin Osojan të komunës së Istogut, deri në orën 09:30 kanë votuar vetëm 10 persona të këtij komuniteti.

Në këtë fshat të drejtë vote kanë 700 persona.

***

Procesi i votimit në Istog ka nisur me kohë dhe qytetarët për të tretën herë po votojnë për kryetarin që do t’i përfaqësojë gjatë katër vitet e ardhshme.

Janë 49.150 qytetarë me të drejt vote që kanë mundësi të votojnë sot për kryetarin e komunës së Istogut.

Menaxheri i Qendrës më të madhe të votimit në Istog, Ibrahim Bytyqi, 10 vendvotime ku 8352 votues.

Bytyqi: Vendvotimet janë hapur pa asnjë problem

“ Sa i përket kësaj qendre, vendvotimet janë hapur në ora 7:00 pa asnjë problem, nuk ka pas as mungesë të materialit, as të stafit, çdo gjë ka filluar me rregull“, tha ai.

Qytetarët pasi votuan thanë se po votojë për të ardhmen e tyre më të mirë.

Mujë Bajrami tha se vota është e shenjët dhe populli e dinë kush është i mirë e kush i keq.

Bajrami: Duhet me pas ndryshime

“Duhet me pas ndryshime, secili njeri e pa që ndryshimet tona janë pak të acaruara, duhet me pas ndryshime, unë jam për ata dhunën e gjykoj shumë dhe korrupsionin dhe për fat të keq ka korrupsion, ka censurë, virusi është gjithandej, njerëzit tonë duhet të bëhen të vetëdijshëm, rinia jonë duhet të bëhen të vetëdijshëm”, tha ai.

Sherif Byqtyqi, pasi votoi tha se ndryshimet janë bërë çdoherë me nder në Istog.

Byqtyqi: Ndryshimet kanë qenë çdoherë

“Ndryshimet kanë qenë çdoherë, jo për keq por për mirë, Istogu i ka kryer me nder këto si çdoherë“, tha Bytyqi.

Përndryshe, në këtë komunë janë 23 qendra të votimit me 63 vendvotime.

***

Në komunën e Istogut po zhvillohet rivotimi për kryetarin e ri të kësaj komune.

Gara zgjedhore për kryetar të Istogut po zhvillohet ndërmjet kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, dhe kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se të gjitha përgatitjet për procesin për rivotim në komunën e Istogut janë bërë.

“Në komunën e Istogut janë 23 qendra votimi me 63 vendvotime. Numri i komisionarëve të angazhuar në këto vendvotime është 441 anëtarë, derisa numri i qytetarëve më të drejtë vote në komunën e Istogut është 49 mijë e 150 votues”, ka thënë Elezi.

Rivotimi në komunën e Istogut po mbahet pas vendimit të Gjykatës Supreme e cila i pati pranuar si të pabaza ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila kishte kërkuar që të anulohen votat me postë dhe të mos ketë rivotim.

Pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të ardhura me postë, kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, kishte humbur kryesimin, çka kishte sjellë përmbysjen e rezultatit, duke e vënë Gani Dreshajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës fitues në Istog.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet në komunën e Istogut janë hapur në kohën e paraparë, si dhe ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm të komunës së tyre.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se 63 vendvotimet në këtë komunë janë hapur me kohë.

Elezi: Qytetarët ta të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese

“Ju njoftojmë se në kohën e paraparë janë hapur të gjitha Vendvotimet në komunën e Istogut, pra 63 Vendvotimet, sa janë gjithsejtë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote nga kjo komunë që të shfrytëzojnë të drejtën kushtetuese për të zgjedhur kryetarin e ardhshëm të komunës së tyre. Konferenca e radhës do të mbahet në orën 11:30 dhe ka të bëjë me ecurinë e procesit zgjedhor dhe pjesëmarrjen në votime deri në orën 11:00“, tha ai.

Përndryshe, janë 49.150 qytetarë me të drejt vote që kanë mundësi të votojnë në 23 qendra të votimit me 63 vendvotime.

Në garë për kryetar të Istogut janë Haki Rugova i LDK-së dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Kjo është hera e tretë që qytetarët e kësaj komune do të votojnë për zgjedhjen e të parit të tyre, pasi në raundin e parë nuk arriti asnjë kandidat të marrë votat e mjaftueshme, kurse raundin i dytë u anulua nga PZAP-së, duke pranuar si të bazuar ankesën që të anulohen votat me postë.

***

Qytetarët e Komunës së Istogut do t’ju drejtohen kutive të votimit gjatë ditës së sotme me fillim nga ora 07:00 deri në orën 19:00.

Raportohet se të gjitha vendvotimet, 63 sosh në 23 qendra të votimit, tashmë janë hapur për garën në mes të kandidatit të LDK-së, njëherësh kryetarit aktual, Haki Rugova dhe kandidatit të AAK-së, Gani Dreshaj.

Kjo është hera e tretë që qytetarët e kësaj komune do të votojnë për zgjedhjen e të parit të tyre, pasi në raundin e parë nuk arriti asnjë kandidat të marrë votat e mjaftueshme, kurse në raundin e dytë, Dreshaj doli i pari, por këto rezultate u anuluan për shkak të parregullsive.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se të gjitha përgatitjet e duhura janë bërë, që procesi i votimit të shkojë në rregull.Rivotimi në Komunën e Istogut do të mbahet pas vendimit të PZAP-së, i cili ka pranuar si të bazuar ankesën e LDK-së, e cila kishte kërkuar që të anulohen votat me postë.

***

49.150 qytetarë me të drejt vote do të kenë mundësi të votojnë sot për kryetarin e komunës së Istogut.

Në këtë komunë hapen 23 qendra dhe 63 vendvotime

***

Sot qytetarët e Istogut me të drejtë vote, do të votojnë për të zgjedhur të parin e komunës së tyre.

Në garë për kryetar të Istogut janë Haki Rugova i LDK-së dhe Gani Dreshaj i AAK-së.

Kjo është hera e tretë që qytetarët e kësaj komune do të votojnë për zgjedhjen e të parit të tyre, pasi në raundin e parë nuk arriti asnjë kandidat të marrë votat e mjaftueshme, kurse në raundin e dytë, Dreshaj doli i pari, por këto rezultate u anuluan për shkak të parregullsive.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se të gjitha përgatitjet e duhura janë bërë, që procesi i votimit të shkojë në rregull.

Rivotimi në Komunën e Istogut do të mbahet pas vendimit të PZAP-së, i cili ka pranuar si të bazuar ankesën e LDK-së, e cila kishte kërkuar që të anulohen votat me postë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat