Përfundon mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, Vetëvendosje shpall zgjedhjet për Kryetar

Aktuale

Përfundon mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, Vetëvendosje shpall zgjedhjet për Kryetar

Nga: Bota sot Më: 17 dhjetor 2017 Në ora: 07:28
Mbledhja e Vetëvendosjes

(E plotësuar) - Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku u vendos që të shpallen zgjedhjet e rregullta për kryetar të partisë në fund të muajit shkurt, kur i skadon mandati kryetarit të tanishëm, sekretari i VV-së Ismail Kurteshi tha se kjo parti është unike dhe e fortë.

Ai tha se Aida Dërguti bëri gabim, por se ata do të ecin së bashku me Aidën dhe gjithë të tjerët, që janë brenda programit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Image
Ismail Kurteshi

Kurteshi: VV është unike dhe e fortë

“VV është unike dhe e fortë. Hiq mos u bëni merak,. Kemi me dal shumë më të fortë se që kemi qenë deri tash. Sigurisht që në zgjedhjet e ardhshme dhe njëherë do të dyfishohen. Aida Dërguti është anëtare. Keni dëgjuar dhe për letrën e Albinit, që i ka thanë që Aida nuk më ka kurrfarë borxhi. Edhe pa kërkuar falje ia kisha falë. Është një aktiviste e dalluar e Lëvizjes VV. E ka bërë një gabim që e bëjnë të gjithë njerëzit dhe ne kemi me ec bashkë me Aidën dhe me gjithë ata që janë brenda programit të VV-së”, tha ai.

Kurteshi po ashtu tha se asnjë delegat nuk ishte kundër  shpalljes së zgjedhjeve për kryetar. Ndërsa për pikat tjera ka pasur pro dhe kundër, dhe se vendimet janë marrë me procedurë të rregullt demokratike.

Kurteshi: VV i është kthyer normalitetit

“VV iu ka kthyer normalitetit. Nëse  Kjo që ka ndodh këto ditë nuk ka qenë normale.  Na mbetet ne si struktura t’i kryejmë punët tona dhe në afatin e paraparë me ligj, që është fundi i shkurtit lëvizja VV  ta ketë dhe kryetarin e ri, e paraprakisht do të jetë një periudhë,  ku do të ketë ditë të caktuara kur të interesuarit do të dalin për kandidat për kryetar. Pastaj do të jetë një periudhë e fushatës së kandidatëve. Pas fushatës do të caktohet dita e zgjedhjeve, ku do të votojnë të gjithë anëtarët e VV-së, në Republikës së Kosovës  për kandidatët që do të konkurrojnë. Ai që fiton më së shumti vota do të jetë kryetari i ardhshëm i VV-së. Natyrisht se do të jetë unifikues për gjithë anëtarësinë e lëvizjes dhe përkrahësit e saj.  Me këto zgjedhje do të avancojmë si subjekt i bashkuar dhe subjekti më i madh politik në vend”, ka thënë Kurteshi.

Ndërkaq Hydajet Hyseni tha se në këtë takim është diskutuar dhe për koalicionet, që është veçori e VV-së dhe se këshilli i saj,  shqyrton vendos e miraton koalicionet, në nivelin qendror apo lokal.

Ai tha se mbledhja shkoi në mënyrë të rregullt dhe nuk pati  probleme serioze, ndërsa shtoi se do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se Lëvizja Vetëvendosje po hyn në fazën e krizës.

Hyseni: Do t’i zhgënjejmë ata që mendojnë që VV do të hyjë në fazën e krizave

“E gjithë rrjedha ka qenë në këtë frymë. Proceset demokratike janë të tilla. Kanë brenda tyre aty këto ndonjë mospajtim dallim. Edhe unë besoj që  VV është në fazë të konsolidimit. Prandaj, duhet t’i  zhgënjejmë të gjithë  ata, që mendojnë që VV do të hyjnë në fazë të krizave, ndarjeve e përçarjeve. Procesi zgjedhor po ashtu jam i bindur se do të shkojë në mënyrë të rregullt, në mënyrë demokratike siç ka ndodhur dhe më parë”, tha ai.

Ndërsa mohon që në VV ka përçarje, por thotë se ka vetëm dallime në qëndrime.

Hyseni: S’ka përçarje, por dallime në qëndrime

“Mospajtimet ende nuk mund të quhen çarje. Kurse dallime në qëndrime thonë nuk ka vetëm në varreza. Njerëzit e gjallë gjithmonë i kanë ato dhe i kalojnë me kulturë demokratike me debat i kalojnë”, tha ai.

Image

Përfundon mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm

Këshilli i Përgjitshëm i Levizjes Vetëvendosje sot ka votuar për shpalljen e zgjedhjeve për kryetar të partisë.

Raportohet se pa asnjë votë kundër është vendosur që të shpallen zgjedhjet për kryetar të Vetëvendosjes.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm marrin pjesë 133 delegatë të Vetëvendosjes, ndërsa mungon kryetari aktual, Visar Ymeri, si dhe figura të tjera të rëndësishme të kësaj partie.

Kjo mbledhje është kërkuar të bëhet pas përplasjeve të brendshme që po ndodhin aktualish në këtë parti..

Vetëvendosje u mblodh sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm pas disa problemeve që së fundi janë shfaqur në këtë parti.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm e cila është udhëhequr  nga Hydajet Hyseni është mbajtur pa prezencën e kryetarit të partisë Visar Ymeri, por edhe të liderit të VV-së Albin Kurti.

I pari nuk ka ardhur në mbledhje pasi në një postim në Facebook ka thënë se kjo mbledhje është e ngutshme, ndërsa Kurti e ka pasur të pamundur pasi që gjendet në paraburgim.

E ai nga qelia e paraburgimit Kurti e ka dërguar një letër me anë së cilës iu ka drejtuar aktivistëve pas ngjarjeve të fundit.

Letrën e tij e ka lexuar Arben Vitia.

 Kurti në këtë letër kishte shkruar për fitoren dhe rritjen e VV-së. Për fitoren në Prizren, Prishtinë e Dardanë.  Ai kishte shkruar dhe për Qeverinë,  për të cilën thotë se i ka zhgënjyer dhe optimistët e saj. Por në letrën e tij ai është ndalur dhe tek zhvillimet e fundit në VV dhe tek gjuha që Aida Dërguti kishte përdorur ndaj tij.  Në letrën nga burgu Kurti thotë se nuk e ka problemin me gjuhën e përdorur të Aidës, por me dëshirën e saj, për arrestimin e tyre dhe komunikimin prapa shpinës, të cilin e quan mashtrim.

Vitia: Jam zhgënjyer me dëshirën e Aidës për arrestimin tonë dhe ndjenjën e armiqësisë ndaj meje

“Edhe sa pak jetë i ka mbetur këtij regjimi tashmë varet më shumë  prej nesh se sa prej vet atyre. Prandaj janë të dhimbshme ndodhitë brenda Lëvizjes sonë. Nuk është problemi te gjuha, që ka përdorur Aida. Nuk më ofendojnë fjalët që ajo ka thënë. E fali edhe sikurse të mos më kishte kërkuar falje. Personalisht ajo nuk më ka kurrfarë borxhi mua. Unë jam çuditur dhe zhgënjyer thellë, për qasjen destruktive. Për dëshirën për arrestimin që na u bë,  për  lindjen e posaçme të komunikimit, prapa shpinës së organeve të VV-së. Thelbi  nuk është fjalori i saj por kjo ndjenjë armiqësore ndaj meje,. Ky komunikim tinëz dhe kushedi për çfarë qëllimesh, e që janë fort shqetësuese.  Aida nuk hynë as në 5 as 10 edhe as në 50 aktivistët e VV-së me të cilët kam pasur mospajtime me të theksuara. Si erdhi ajo në këtë pikë, nuk kam shpjegim tjetër,  përveç mashtrimit. Që do të thotë se ajo nuk është fajtore. VV ka nevojë për më shumë, më tepër transparencë. Me tepër llogaridhënie. Disa njerëz kur i humbin privilegjet mendojnë se kjo është padrejtësi. Por ata duhet të fillojnë të mendojnë,  se ndoshta  privilegjet, paskan qenë padrejtësi. Secili aktivist i VV është i nevojshëm, por asnjëri s’është i pazëvendësueshëm”, thuhet në letrën e Kurtit.

Lideri i VV-së në letrën e tij ka thënë se Vetëvendosje duhet t’i hap portat për njerëz të dijshëm, e jo për ata që kanë vetëm guxim, e jo dije.

Vitia: Duhet t’i hapim portat për njerëz të dijshëm

“Duhet t’i hapim portat e organizatës për njerëzit e dijshëm, e të ndershëm të vendit e të lëvizjes. Që duan të kontribuojnë. Pra më shumë dije dhe nder,  jo vetëm guxim. Sepse  guximi pa dije e pa nderë, bëhet arrogancë e zullum”, tha ai.

E në fund të letrës Kurti thotë se nuk ka barrierë që do t’i ndal dhe as pykë që mund t’i çajë.

Për mungesën e kryetarit Ymeri, ka folur  kryesuesi i mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm   Hydajet Hyseni,  tha se ai ka shprehur dëshirë të përshkohet nga fryma e unitetit.

Hyseni tha se kjo mbledhje po mbahet pas një suksesi të zgjedhjeve lokale, si dhe  mbajtjen në burg të anëtarëve të kësaj lëvizje si dhe dënimin e  të rinjve të këtij subjekti, fenomene këto për të cilat tha se duan alarmim të të gjithë atyre, që duan demokracinë,  që të drejtat e njeriut i kanë përkushtim dhe jo maskë mashtruese.  Hyseni ndër të tjera, ka uruar që kjo mbledhje të përshkohet nga fryma e bashkimit të gjerë e të qëndrueshëm.

Hyseni: Të përqendrohemi tek ajo që na bashkon, jo tek ajo që na përçanë

“Kjo mbledhje e radhës e Këshillit të Përgjithshëm, po mbahen vetëm disa ditë pas ri konfirmimit të fitoreve të reja dhe fuqizimit të mëtejshëm të VV forcë siç po cilësohet gjithandej faktorit  shpresë, për të ardhmen e synuar jo vetëm të Kosovës së shumëvuajtur, por dhe me gjerë të gjithë hapësirës së copëtuar shqiptare.  Janë së paku tre faktorë,  që kanë mundësuar rritjen e VV-së. Idealet e larta atdhetare e shoqërore,  fryma progresiste dhe çelës mrekullibërës i bashkimit të gjerë e të qëndrueshëm. Përqendrimi tek ajo që afron e bashkon, e jo tek ajo që largon ndan e përçanë. Uroj dhe besoj që edhe kjo mbledhje të përshkohet nga kjo frymë”, tha ai.

Në mungesë të kryetarit, Visar Ymeri, në këtë takim ka folur nënkryetarja e kësaj  partie Fatmire Mullhaxha –Kollçaku.

Kollçaku  foli dhe se partia do t’i mbajë zgjedhjet e brendshme  dhe për kryetar të lëvizjes dhe se e rëndësishme është që asnjëri nga anëtarët të kushtëzohet apo pengohet për kandidim apo pjesëmarrje në zgjedhje.  Ndërsa bëri thirrje për bashkim.

Kollçaku: Bëj thirrje për bashkim

 “Është e rëndësishme që asnjëri nga anëtarët të mos kushtëzohet,  të mos pengohet, apo të mos vështirësohet, në asnjë mënyrë për kandidim apo pjesëmarrje në zgjedhje. Statutin tonë e kemi votuar së bashku  dhe e kemi statutin më demokratik, se të gjitha subjektet në Kosovë. Është koha që ta zbatojmë këtë demokraci. E shfrytëzoj rastin që të bëjë thirrje për bashkim.. Bashkim jo rreth një personi por rreth demokracisë,  rrjedhave dhe rregullave për të cilat jemi dakorduar të gjithë bashkë“, tha ajo.

Përveç Ymerit në mbledhjen e KP të Lëvizjes nuk ka marr pjesë as Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani.

Ndërsa të pranishëm ishin Glauk Konjufca, Shpend Ahmeti,  Rexhep Selimi, Hysen Durmishi, Dardan Sejdiu, Liburn Ali,  Fisnik Ismaili si dhe aktivistë nga Shqipëria./S.Zogaj/

Vetëvendosje vazhdon mbledhjen me dyer të mbyllura

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdon diskutimet pas një pauze gjysmëorëshe.

Diskutimet që kanë të bëjnë me zhvillimet e fundit në parti dhe shpalljen e zgjedhjeve të brendshme janë duke u zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave.

Nuk dihet se sa do të zgjasin këto diskutime dhe nëse do të ketë debat brenda, meqë atmosfera e pjesës së parë të mbledhjes tregoi që krahu i kryetarit të partisë, Visar Ymeri dhe ish sekretarit organizativ, Dardan Molliqaj, nuk është i pranishëm në këtë mbledhje.

Në pjesën e parë, delegatëve u foli nënkryetarja e VV-së, Fatmire Kollçaku, ndërsa me një letër nga burgu, një mesazh e solli edhe Albin Kurti i cili tha se e fal Aida Dërgutin për fjalorin e përdorur ndaj tij.

Image
Mediat te VV

***

Fatmire Kollçaku nënkryetare e VV-së ka thënë se nuk është mbledhje e jashtëzakonshme, për Këshillin e Përgjithshëm.

Ajo ka folur në superlativ për Albin Kurtin.

“Temë do te jetë zgjedhjet e brendshme për kryetar të lëvizjes. Mandati i Ymerit përfundon në janar dhe brenda katër muajve të fundit të mandatit dhe duhet te caktohej data e zgjedhjeve. Është e rëndësishme që asnjë nga anëtarët nuk duhet te kushtëzohet për kandidim në zgjedhje”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se duhet të kalohen ambiciet individuale.

Image
Këshilli i Vetëvendosjes

Këshilli i Vetëvendosjes: Ramabaja është burgosur nga ana e pushtetit

Kryesuesi i Këshillit, Hydajet Hyseni, ka folur për herë të parë për të dyshuarin për terrorizëm, Sadri Ramabajën, i cili ka disa muaj që gjendet në paraburgim.

Kryesuesi Hyseni megjithatë thotë se Ramabaja është burgosur nga ana e pushtetit, ani se Gjykata e Apelit në tetor të këtij vitit ka vendosur që ta lë në paraburgim Ramabajën, i dyshuar për përgatitje të vrasjeve të përfaqësuesve të lartë të Kosovës.

Sadri Ramabaja po dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) për veprën penale “vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, nga neni 126 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal të RKS-së dhe “përgatitje e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së RKS-së”  nga neni 144 i të njëjtit ligj.

Ndryshe, Ramabaja më 7 tetor ishte arrestuar nga Policia Shqiptare në Durrës, ku sipas kësaj të fundit, ai po tentonte të udhëtonte drejt Italisë. Ndalimin e tij në pikën kufitare të Durrësit, e pati konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Albin Kurti me letër nga burgu, flet për Aida Dërgutin dhe shantazhet ndaj VV-së

Themeluesi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti ka dërguar një letër nga burgu, pas përplasjeve të fundit brenda partisë.

Kryetari i Këshillit të Përgjithshëm, Hydajet Hyseni ka konfirmuar në mbledhjen e sotme se Kurti iu është drejtuar gjithëve me letrën.

Aktivisti i LVV-së, Arben Vitia ka lexuar mesazhin e Kurtit:

Më vjen mirë që mund t’ju drejtohem me këtë letër ndonëse nuk jam aty. Më e rëndësishmja është që të jemi bashkë. Me mendje dhe zemrat tona gjithmonë mbesim të bashkuar. Pavarësisht se ndonjëri prej nesh mungon dhe pse mungon Lëvizja vazhdon. Ajo bëhet prej dashurisë tuaj. Sinqeriteti  për gjerat që kanë ndodhur për herë të fundit nuk mund të shprehen në mbledhje.

Kjo është mënyra e drejtë dhe e duhur, statusi dhe procedura. Qytetarët e Kosovës kanë dashur dhe përkrahur LVV si asnjëherë më parë. U dyfishua numri i deputetëve tonë. Jemi subjekti i parë në vend. Qeverisim me kryeqytetin e Republikës dhe historisë tonë. Fitorja vjen për punët tona që kemi deri tani. Sikurse bashkimi me Shqipërinë ashtu edhe qeverisja socialdemokrate nevojitet më shumë vullnet dhe pasion. LVV-ja në njërën anë ka ngjallur shpresë. Qeveria aktuale ka zhgënjyer edhe optimistët e saj.

100 ditshin e bëri me përfundimin e faljes së qymyrit derisa nuk ndalen emërimet e zv/ministrave. Jemi afër bërjes së Kosovës me qeverisjen e Vetëvendosjes.  Regjimi nuk ka mbështetje popullore. LVV-ja po vazhdon të përballet me shantazhe por ne i përgjigjemi me një aksion; emancipimi. Burgosjet tona jenë dëshpërim i regjimit. Tani edhe pak i kanë mbetur këtij regjimi dhe kjo varet nga ne. Janë të dhimbshme.

Nuk është problem te gjuha që ka përdorur Aida. Nuk më ofendon ajo që ka thënë. E fali edhe sikur të mos më kishte kërkuar falje. Personalisht ajo nuk më ka kurrfarë borxhi mua, unë jam çuditur shumë për qasjen destruktive  për dëshirën e arrestimit tim. Thelbi nuk është fyerja por dëshira negative që ka kundër meje. Aida  nuk hyn as në 5, e 10 as në mesin e 50 aktivistëve me të cilët kam pasur mospajtime. Si erdhi ajo në këtë pikë, përveç mashtrimit, s do të thoja se ajo  është fajtore. VV ka më shumë nevojë për transparencë e llogaridhënie. Secili aktivist është i nevojshëm por asnjëri i pazëvendësueshëm.

Ne kemi qindra ekonomistë inxhinierë e mjekë. Fatkeqësisht ata i kemi thirrur shpesh për mbledhje e protesta, por asnjëherë për punën e tyre. Në organizatë nevojitet me dije e nder, e jo vetëm guximi, sepse guximi pa nder është arrogancë. Më vjen mirë kur mbahen të tilla mbledhje dhe diskutime të hapura. Të flasim për te gjitha temat e dilemat bashkë, për betejat jashtë e sfidat brenda nevojitet vullnet i hekurt dhe nerva të çelikta.

Glauk Konjufca në krahun e Kurtit, merr pjesë në mbledhjen e Partisë

Shefi i GP-së së Vetëvendosjes, Glauk Konjufca është pjesëmarrës në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së. Ku po pritet ballafaqimi i dy krahëve, ai i Albin Kurtit dhe ai i Dardan Molliqajt.

Mbledhja tashmë ka filluar, pjesëmarrës janë pothuajse të gjitha figurat kryesore të Lëvizjes.

Ndërkaq, kryetari aktual i partisë, Visar Ymeri ka njoftuar se nuk do të shkojë në mbledhje pasi sipas tij se është instaluar metoda e elimimeve politike.

Nënkryetarja e Vetëvendosjes kundër Kryetarit: Mbledhja është e zakonshme

 Zyrtarja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku ka tentuar të relativizojë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Partisë. Ka thënë se ka ardhur koha për të mbajtur mbledhjen e organit më të lartë partiak.

“Nuk është mbledhje e jashtëzakonshme”, ka thënë Nënkryetarja e VV’së.

Ajo para anëtarëve të KP’së së Vetëvendosjes ka thënë se nuk i kanë përmbushur të gjitha pritjet nga zgjedhjet lokale ani pse kanë fituar në tri komuna. Ajo ka folur fjalë të mira për Shpend Ahmetin, Mytaher Haskukën e Qendron Kastratin.

Udhëheqja e Vetëvendosjes harron Dardan Molliqajn

Askush nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka përmendur ish-Sekretarin Dardan Molliqaj, i cili po mungon në mbledhjen e Këshillit të Partisë.

Krahu i Molliqajt është duke mos marrë pjesë në mbledhje të Partisë. Aty nuk është as Kryetari Visar Ymeri.

Përplasjet ndërmjet udhëheqësve të Vetëvendosjes dolën kur u publikua një komunikim i deputetes Aida Dërguti, e cila e quan mut Albin Kurtin.

Sidoqoftë, Molliqaj, Fisnik Ismaili, Shqipe Pantina i kanë dalë në krah deputetes Aida Dërguti, e cila kërkoi falje pse Kurtin e quajti mut derisa tha se ka mospajtime të thella brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas kësaj, Xhelal Sveçla, njëri prej njerëzve të afet të Kurtit, foli për shantazhe ndaj Albin Kurtit për të mos lejuar kandidimin e tij për Kryetar Partie. Tha se s’mund ta ndalë askush rrugën e Kurtit drejt rikthimit në krye të Vetëvendosjes.

Shpend Ahmeti e Dardan Molliqaj në zgjedhjet e fundit kishin krijuar një grup duke lënë nën hije grupin e Albin Kurtit. Madje, Molliqaj e Ahmeti kishin arritur të shkelnin edhe Kryetarin e VV’së, Visar Ymerin, duke dalë para tij me vota. Grupi i Ahmetit dhe Molliqajt kishte shkelur edhe më shumë njeriun më të afet të Kurtit, Glauk Konjufcën, duke e lënë të shtatin me numër të votave.

Dardan Molliqaj dha dorëheqje nga pozita e Sekretarit organizativ të Vetëvendosjes pasi i ishte kërkuar një gjë e tillë nga grupi i Albin Kurtit. Prej atëherë, Molliqaj e Kurti kishin krijuar një distancë edhe në publik.

Image
Mbledhja e VV-së

Hidajet Hyseni uron që në mbledhje të Këshillit të VV-së të ketë bashkim

Udhëheqësi i mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Hidajet Hyseni ka thënë se shpreson që në këtë mbledhje të ketë bashkim të VV-së, e jo përçarje.

Në fillim të punës, Hyseni ka thënë se kjo mbledhje e këshillit po mbahet vetëm disa ditë pas rikonforimit të fitoreve të reja.

Për këtë ai ka përmendur tre faktorë që sipas tij çuan në rritjen e VV-së.

“Idealet atdhetar dhe patriotik, fryma demokratike dhe çelësi mrekullibërës që ofron e na bashkon dhe jo ai që përçan dhe na ndanë”, ka thënë Hyseni.

Ndryshe, kjo mbledhje e këtij këshilli vjen pas përçarjeve dhe ndasive në VV, pas ofendimit që Aida Dërguti i bëri ish-liderit të këtij subjekti politik, Albin Kurti.

Nis mbledhja

Ka nisur mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. Në këtë mbledhje nuk po merr pjesë kryetari i saj Visar Ymeri.

Image
Mbledhja e VV-së

***

Prej orës 11.30 është paraparë të nisë mbledhja e dy krahëve në Lëvizjen Vetëvendosje. Përkrahësit e Albin Kurtit dhe ata të Dardan Molliqajt pritet të ballafaqohen në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes. 

Deri tash në mbledhje kanë shkuar: Sali Zyba, Fitore Pacolli, Xhelal Sveçla, Hysen Durmshi, Adem Mikullovci, Smajl Kurteshi, Liburn Aliu.

Aty, pritet të shpallen edhe zgjedhjet për Kryetar të Partisë. Përkrahësit e Albin Kurtit kanë vendosur të marrin vendimet më të rëndësishme për Lëvizjen Vetëvendosje në kohën kur lideri i tyre shpirtëror është në burg. Krejt këto vendime për të ardhshmen e Kryetarit të ardhshëm të Vetëvendosjes pritet të merren sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

Vetëvendosje mban mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm

Sot Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

Kjo mbledhje është thirrur pas mbledhjes së nënshkrimeve të aktivistëve të saj, pas daljes në publik të përçarjeve dhe ndasive të thella që janë në këtë parti.

E tëra ka filluar pas daljes në publik të një bisede mes deputetëve të LVV-së, ku Aida Dërguti e fyen ish-liderin e këtij subjekti, Albin Kurti.

Dërguti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që kishte në LVV, kurse ka pasur shumë zëra që ajo të përjashtohet nga partia, ndërsa një pjesë e deputetëve dhe aktivistëve, i kanë dal në përkrahje Dërgutit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat