Krasniqi: Fal lobimit të OAK-ut janë zgjidhur shumë probleme të rëndësishme

Aktuale

Krasniqi: Fal lobimit të OAK-ut janë zgjidhur shumë probleme të rëndësishme

Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 18:23
Drejtori i Bordit të OAK-ut, Skender Krasniqi

Oda e Afarizmit të Kosovës ka arritur që brenda një periudhe të shkurtër që të angazhohet në kauza shumë të rëndësishme të biznesore, sidomos në dhënien e rekomandimeve se si mund të mënjanohen një sërë problemesh që ka biznesi.

Kështu është thënë sonte në njëvjetorin e themelimit të Odës së Afarizmit të Kosovës, me ç’rast morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe pronarë të shumtë biznesesh.

Për të uruar OAK-un, i pranishëm në këtë event ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili shprehu mirënjohje për angazhimin e OAK në mbrojtjen e interesave të bizneseve të Kosovës, duke thënë se patriotë janë ata që hapin vende të reja të punës.

Ai tha se iniciativa e lirë është promotor për të çuar Kosovën aty ku është nisur. Limaj tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për partneritet me sektorin privat, ndërsa theksoi se tregu i brendshëm do të vijë duke u përmirësuar.

Drejtori i Bordit të OAK-ut, Skender Krasniqi, tha se viti i ardhshëm, bazuar në punën e OAK gjatë këtij viti, do të jetë edhe më i suksesshëm në fushën e të bërit biznes.

Sipas tij, OAK është krijuar mbi bazën e tri parimeve, duke ofruar shërbime konkrete për bizneset, në mënyrë që ato të bëhen më të rëndësishme. Ai tha se OAK-u për një periudhë shumë të shkurtër ka arritur të japë një numër të madh rekomandimesh, për probleme të shumta të fushës së ekonomisë në Kosovë.

“Oda e Afarizmit të Kosovës ka arritur që brenda një periudhe të shkurtër që të angazhohet në kauza shumë të rëndësishme të biznesore, sidomos në dhënien e rekomandimeve se si mund të mënjanohen një sërë problemesh që ka biznesi", u shpreh ai.

Fal lobimit të OAK, Krasniqi tha se janë zgjidhur shumë probleme të rëndësishme, ndërsa kërkoi nga Qeveria e Kosovës tërheqjen nga CEFTA si UNIMK, në mënyrë që të prezantohet si Republikë e Kosovës.

"OAK kërkon nga Qeveria e Kosovës që të dalë nga CEFTA si UNMIK, e të jetë aty si Republikë e Kosovës", u shpreh Krasniqi.

E për këtë, zëvendëskryeministri Limaj tha se Kosova në CEFTA do të jetë vetëm Kosovë, në mënyrë që të mos lejohet diskriminimi i ekonomisë së Kosovës.

Ndërsa profesori i Universitetit të Prishtinës, Bajram Berisha, foli për rëndësinë e bashkëpunimit në mes të universitetit dhe bizneseve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat