Thaçi: Prodhuesit vendor janë themeli i zhvillimit të Kosovës

Aktuale

Thaçi: Prodhuesit vendor janë themeli i zhvillimit të Kosovës

Më: 18 dhjetor 2017 Në ora: 21:45
Hapja e fushatës “Made in Kosova”

(E plotësuar) - Prodhimet e Kosovës sot krahasohen për nga cilësia me prodhime të rajonit dhe Bashkimit Evropian, ndërsa ky duhet të jetë edhe objektivi i Kosovës drejt integrimit, me prodhime, kualitet dhe punë.

Kështu deklaroi Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e hapjes së edicionit të ri të fushatës “Made in Kosova”, të organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës, ku tha se prodhuesit vendor, me përkushtimin dhe kreativitetin e tyre, kanë vënë themelet e prodhimtarisë së suksesshme në Kosovë.

Ndonëse ende nuk është arritur shkalla e dëshiruar e eksportit në Kosovë, Thaçi tha se ka një trend pozitiv në këtë drejtim, me ç’rast për këtë përgëzoi bizneset vendore, duke thënë se investimet kryesore janë ato që bëhen nga vet kosovarët, afaristë dhe biznesmenë.

Thaçi: Investimet kryesore janë ato që bëhen nga vet kosovarët

“Investimet kryesore janë ato që bëhen nga vet kosovarët, nga afaristët dhe biznesmenët si ju. Ju jeni themeli i zhvillimit të Kosovës. Vetëm mbi themele të sigurta që shtroni ju, do të ndërtohet ekonomia e shëndoshë e Kosovës. Në hap me përforcimin e shtetit të Kosovës, janë përmirësuar edhe prodhimet vendore. Prodhimet kosovare sot krahasohen për nga cilësia me prodhimet të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Jemi në BE edhe me prodhimet tona. Fundja ky duhet të jetë edhe objektivi dhe synimi ynë. Të jemi në BE edhe me prodhimet tona, me kualitetin tonë, me punën tonë. Aty ku hapni dyert ju, hapen dyert për tërë Kosovën”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se nëse krahasohet e sotmja me atë ku vendi ishte para dy dekadave, Kosova duhet të jetë krenare me të arriturat e veta.

Thaçi: ‘Kosova e Re’, që do të sjellë mbi 1 miliardë euro dhe 10 mijë vende të reja të punës

“Kur e krahasojmë të sotmen me atë ku ishim para dy dekadave, duhet të jemi krenar me të arriturat tona. Kemi përpiluar ligje dhe po forcojmë sundimin e ligjit, që t’i mbrojmë investitorët e bizneset. Kemi ndërtuar rrugë  e autostrada. Javën e kaluar u finalizua marrëveshja për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, që do të sjellë mbi 1 miliardë euro investim të drejtpërdrejt, dhe 10 mijë vende të reja të punës. Kjo do të reflektojë pozitivisht në tërë ekonominë e vendit, por edhe në imazhin dhe prestigjin e shtetit tonë”, tha ai.

Përkundër asaj se ka ende për tu bërë, Presidenti përmendi edhe vlerësimet si atë të Bankës Botërore, që siç tha ai, flasin për përmirësimin e vazhdueshëm të ambientit të të bërit biznes në Kosovë, e që tregojnë se Kosova është në vendin e duhur.

Ndërsa duke folur për fushatën “Made in Kosova”, presidenti shfrytëzoi rastin t’iu urojë festat e fundvitit bizneseve dhe qytetarëve të Kosovës, duke i ftuar ata që të festojnë me produkte vendore festat e fundvitit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë fuqishëm të ndërtojë partneritet me ndërmarrësit vendor, porse shtoi se ky partneritet në vete ka edhe përgjegjësi, që sipas tij, nënkupton që të gjithë të punojnë konfrom rregullave dhe ligjeve, duke respektuar interesin privat dhe publik.

Limaj: Ndërmarrësit obligohen të respektojnë ligjin e punës

“Qeveria e Kosovës do t’i marrë të gjitha masat për t’i krijuar lehtësitë, për të stimuluar, për të ndarë subvencione e grante, për të mundësuar fuqizimin dhe ecjen e ekonomisë kosovare, por njëkohësisht ne presim që edhe ndërmarrësit si partner të marrin përgjegjësinë për ndërtimin e një shoqërie të mirëfilltë e humane, që do të thotë respektimin e ligjit të punës, të drejtat e punëtorit dhe formalizimin e ekonomisë sonë”, theksoi Limaj. 

Zëvendëskryeministri Limaj tha se Qeveria e Kosovës do të shfrytëzojë të gjitha kapacitete për të stimuluar prodhimin vendor.

Ndërkaq, ministri i financave, Bedri Hamza tha se Qeveria e Kosovës vazhdimisht merr vendime të rëndësishme e që shkojnë në favor të biznesit prodhues, duke vendosur që të bëjmë plotësim-ndryshimin e ligjeve më të rëndësishme që e rregullojnë fushën e biznesit, siç është kodi i doganave dhe akcizës, ligji për TVSH-në, ligji në tatim dhe Ligji për Administratën Tatimore.

Ai bëri të ditur se do të implementohet pagesa e TVSH-së nga kufiri në brendi.

Hamza: Kalimi i pagesës së TVSH-së nga kufiri në brendi

“Nuk ka ambient më të mirë dhe më adekuat, se sonte para jush, të deklaroj një vendim i cili do të implementohet në periudhën e ardhshme, dhe kjo ka të bëjë me reformën më të rëndësishme që do të ndodhë, e kjo është kalimi i pagesës së TVSH-së nga kufiri në brendi. E di që është e vështirë, por e di se është e nevojshme, sepse kjo do të elimonojë pengesën që ka qenë për likuiditetin e ndërmarrjeve, dhe sidomos, për likuiditetin e ndërmarrjeve prodhuese”, tha ai.

Në fund të ceremonisë u ndanë çmime “Zemra e  Kosovës” për ambasadorët e zhvillimit të ekonomisë të Kosovës. Ndryshe, Klubi i Prodhuesve të Kosovës, për të dytën herë radhazi shënoi fillimin e suksesshëm të kampanjës “Made in Kosova”, e cila bartë mesazhin pozitiv për sektorin e prodhimit në Kosovë, e që synon ngritjen e vetëdijes qytetare për rolin pozitiv që konsumi i prodhimeve vendore luan në zhvillimin ekonomik të vendit.

Thaçi: Festat e fundvitit të festohen me produkte vendore

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, derisa po merr pjesë në Gala Mbrëmjen e organizuar nga KPK-se, ku u lansua video “Made in Kosova” deklaroi se prodhuesit vendorë kanë vënë themelet e prodhimtarisë sonë vendore.

I pari i vendit lëvdoi edhe punën e institucioneve sipas se cilit iu është mundësuar prodhuesve vendorë qe të zhvillojnë veprimtaritë e tyre më lehtë.

Sipas presidentit, fushata “Made in Kosova” është një rrugë e drejtë me të cilën qytetarët për së afërmi po njoftohen me produktet vendore që kanë rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik te vendit

Presidenti bëri thirrje që festat e fundvitit të festohen me produkte vendore.

Në emër të qeverisë foli zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, i cili në këtë gala mbrëmje u zotua se ekzekutivi i vendit do të vazhdojë përkrahjen ndaj prodhuesve vendorë dhe do t’u mundësojë këtyre të fundit pjesëmarrje në treg me një konkurrencë të drejtë në një treg të lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat