Gjykata merr vendim për Albin Kurtin dhe Donika Kadajn

Aktuale

Gjykata merr vendim për Albin Kurtin dhe Donika Kadajn

Më: 20 dhjetor 2017 Në ora: 07:22
Albin Kurti

(E plotësuar) - Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet për ndërprerje të masës së paraburgimit për deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi, ndërsa seanca e radhës ku do të jepet vendimi përfundimtar për këtë proces, është caktuar më 29 dhjetor 2017 në ora 09:00.

Seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, e cila ishte paraparë të fillojë në ora 09:00, me kërkesë të kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, filloi me vonesë në ora 10:00, ishte edhe arsyeja pse dëshmitari Kadri Veseli nuk dëshmoi për këtë rast.

Gjatë pjesës së parë të seancës gjyqësore, e cila u mbajt pa pranin e mediave, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra i nxori nga salla katër të akuzuarit, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin, pasi që kishin kundërshtuar vendimin e Prokurorit të Shtetit, i cili ka hequr dorë nga  dëshminë e Kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

Në pjesën e dytë të seancës të akuzuarit, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli kanë dëshmuar për pafajësinë e tyre dhe veprimet e tyre i kanë quajtur politike, veprime që sipas tyre penguan jetësimin e marrëveshjes së Zajednicës dhe Demarkacionit me Malin e zi, që i konsideruan “veprime të dëmshme” për Kosovën.

Gjatë pjesës së dytë të seancës, e akuzuara Albulena Haxhiu në emër të të akuzuarve ka kërkuar që të dëgjohen edhe dëshmitë e mbi 30 dëshmitarëve, ndër të cilët ishte  kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, presidenti, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, e emra të tjerë deputetësh, për të cilët Haxhiu tha se janë faktor kyç për procesin që po gjykohen, propozim ky i cili u refuzuar nga Prokurori i Shtetit, Valdet Gashi dhe kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Pas përfundimit të seancës, e akuzuara Albulena Haxhiu në një prononcim për media, tha se kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra e ka në plan që të jap dënime me burg për katër të akuzuarit për veprimet politike në Kuvendin të Kosovës.

Ajo të papranueshëm e ka konsideruar vazhdimin e mbajtjes në paraburgim të Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit.

Haxhiu: Kalludra ka në plan t’i dënojë me burg deputetët e Kuvendit

“Mbajtja në paraburgim është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka asnjë arsye siç nuk ka pasur deri më tani që Albini dhe Donika të mbahen në paraburgim, ai vazhdoi këtë deri më 29 dhjetor. Dhe sigurisht që kjo është e papranueshme siç duket gjyqtari, Kalludra e ka në plan të jap dënime me burgim deputetëve të Kuvendit të Republikës, për veprimet politike në Kuvend, dhe këtë po mundohet disi ta zëvendësojë me masën e paraburgimit që e ka shqiptuar deri më tani për deputetët e Kuvendit”, tha ajo.

Haxhiu e ka akuzuar gjyqtarin, Beqir Kalludra se po merr urdhra nga klani pronto dhe klani Isa Mustafa, duke mos sjell asnjëherë drejtësi për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurse, i akuzuari dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Faton Topalli pas seancës, deklaroi se procesi në të cilën janë të akuzuar katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, është proces i montuar politik

Topalli: Kemi të bëjmë me një proces të montuar politik

“Në të gjitha proceset gjyqësore që u zhvilluan deri tani kundër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, u ftuan për të dëshmuar vetëm deputetët, të cilët ishin pjesë e pozitës në atë kohë, pra të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhje Demokratike të Kosovës, ndërsa nuk lejohet për të dëshmuar deputetët e opozitës, të cilët ishin të përfshirë dhe janë dëshmitar, të cilët kanë parë të gjitha ngjarjet dhe njohin të gjitha proceset, pra kjo po tregon se  kemi të bëjmë me një proces deri në fund të montuar politik”, tha ai.

Ndërsa, avokati mbrojtës i të akuzuarës, Donika Kadaj-Bujupi tha se pret që e mbrojtura pas fjalës përfundimtare të shpallet e pa fajshme Kadaj-Bujupi.

Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen për veprat penale “Përdorim i armës, apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës

***

Albin Kurti dhe Donika Kadaj Bujupi mbesin në paraburgim. Kjo pasi, Gjykata ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes së tyre për lirim dhe zëvendësim të kësaj mase.

Katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke u gjykuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend kohë më parë.

Albulena Haxhiu kërkoi që në cilësinë e dëshmitarëve të thirren edhe shumë deputetë të tjerë që kanë qenë të pranishëm atëkohë.

Por trupi gjykues e ka refuzuar kërkesën e të akuzuarve për të dëgjuar mbi 20 dëshmitarët e propozuar për të dëshmuar në gjykatë.

Sipas trupit gjykues dëshmitë e tyre janë jorelevante, tash për tash në këtë rast.

Kurti në Gjykatë tregon se pse i ndërmorri veprimet në Kuvend

 Deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti në seancën e sotme gjyqësore është pyetur prej avokates së tij se pse i ka ndërrmarrë veprimet e tij në seancat plenare të Kuvendit të Kosovës.

Kurti është përgjigjur duke thënë se veprimet e tij që kanë kundërshtuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi kanë qenë në kuadër të ushtrimit të funksionit si deputet i Republikës së Kosovës.

“Më 25.10.2015 është nënshkruar marrëveshja për Ascociacionin e komunave me shumicë serbe nga Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq. Më 26.08. 2015 është nënshkruar marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nga Thaçi me homologët malazez. Që të dy marreveshjet janë nënshkruar kur Kuvendi ishte në pushim veror”.

“Ne nuk kemi pasur dilemë që në shekullin 21, Serbia po përpiqej ta bënte Serbinë e Madhe me shumë Serbi të vogla rrotull saj. Ky është imitimi i modelit rus, ku Federata Ruse ka shumë satelitë, në fqinjësi në formën e parashteteve vazale. Edhe në Kosovë po na kërcënonte bosnjëzimi. As nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër Serbisë, sepse ajo është kundër nesh edhe si shtet edhe si poull, kjo është arsyeja themelore, që ne nuk kemi dashur ta lejojmë normalizimin e asaj marrëveshje përmes Kuvendit”.

“Marrëveshja e kufirti për Malin e Zi, kemi konsideruar se ujëndarja si kriter natyror dhe kontrolli efektiv si kriter politik, i paraprin çfarëdo kriteri kadastral. Nuk mund të lejonim një marrëveshje të tillë të bëhej fakt i kryer në institucionet e Republikës. Ka qenë gabim i pafalshëm që pala kosovare ka pranuar që ne ta kemi barrën e provës, për të dëshmuar se toka jonë është territor i yni”.

“Kemi praktikuar padëgjueshmërinë parlamentare, sepse nuk mund te silleshim që diçka normale ngjau me 25 -26 gusht të vitit 2015. Kemi provuar me pipa, me ujë, me vezë. Kemi provuar edhe me gaz lotsjellës, që të mos e normalizojmë Zajednicën e Serbisë në Kosovë”.

Kurti në seancën gjyqësore ku ai po gjykohet bashkë me deputetët tjerë të Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli ka thënë se edhe Gjykata Kushtetuese ka vendosur në aktgjykim se “Zajednica e Serbisë në gjithsej 23 nene përbën shkelje, nuk është në përputhje me Kushtetutën”.

Albin Kurti nxirret nga salla pas pyetjes ndaj Prokurorit: Pse hoqe dorë nga Kadri Veseli?

Prokurori Vesel Gashi ka hequr dorë nga dëgjimi i Kadri Veselit në cilësinë e dëshmitarit në procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Media raportoi se kërkesa e prokurorit ka ardhur pas përfundimit të dëshmisë së deputetit Armend Zemaj.

Kreu i Kuvendit Kadri Veseli ishte paraparë të dëshmojë sot në këtë proces mirëpo ende nuk janë të qarta arsyet e mosdëshmisë së tij.

Heqja dorë nga dëshmia e Veselit është kundërshtuar nga mbrojtja ndërsa Albin Kurti e ka pyetur prokurorin nëse ai është i kapur pasi hoqi dorë nga dëshmia e Veselit.

“Prokuror pse hoqe dorë? A je i kapur?” ka pyetur Kurti ndërsa deputetja Haxhiu ka kërkuar sqarime pse zyrtarë të protokollit janë thirrur për të dëshmuar e Kadri Veseli jo. Arsyetimi zyrtar i prokurorit për mosparaqitjen e Veselit është se dëshmia e tij është e ngjashme.

KALLXO raportoi sot më herët se për shkak të shtyrjes për një orë të seancës Kadri Veseli nuk do të dëshmojë në gjykimin e sotëm të deputetëve të VV-së.

Kabineti i kryetarit Kuvendit të Kosovës tregon për KALLXO.com se Veseli ishte në gjykatë në orën 9:00, por e ka të pamundur për shkak të agjendës të jetë atje një orë më vonë.

“Për shkak të ndërrimit të kohës së seancës, pa njoftim paraprak, dhe agjendës së planifikuar më herët, në takime dhe aktivitete të tjera ditore, ai e ka të pamundur të merr pjesë në seancë gjyqësore”, shpjegon kabineti i kryetarit Veseli.

Tashmë, siç merret vesh nga brenda seancës, Kurti dhe Haxhiu janë larguar nga salla e gjykatës.

Armend Zemaj dëshmon në gjykimin e Kurtit

Gjykata e ndërron orarin e seancës, Veseli nuk dëshmon as sot në gjykimin ndaj Kurtit

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka ndryshuar në momentin e fundit kohën e mbajtjes së seancës gjyqësore ndaj deputetit Albin Kurti për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend vitin e kaluar.

Seanca ishte e paraparë të mbahet ora 09:00 dhe në këtë kohë ishte ftuar për të dëshmuar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Por meqenëse seanca u shty momentet e fundit, ora 09:00, kryeparlamentari Veseli i cili nuk ishte njoftuar për shtyrje të seancës shkoi nga Gjykata.

Kabineti i kryeparlamentarit Veseli ka sqaruar se kryeparrlamentari kishte planifikuar kohën për këtë seancë dhe ishte i pranishëm në Gjykatë sipas ftesës.

“Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sipas ftesës, ka qenë sot në ora 9:00 në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të marrë pjesë në seancën gjyqësore për deputetët që kanë hedhur gaz lotsjellës vitin e kaluar. Ora 09:00 kryetari Veseli është njoftuar se seanca nuk ishte në ora 9:00, por është shtyrë për në ora 10:00. Për shkak të ndërrimit të kohës së seancës, pa njoftim paraprak, dhe agjendës së planifikuar më herët, në takime dhe aktivitete të tjera ditore, ai e ka të pamundur të merr pjesë në seancë gjyqësore. Kryeparlamentari Veseli ashtu siç ka deklaruar edhe më herët, është i hapur që të bashkëpunoj me sistemin e drejtësisë lidhur më këtë rast që po gjykohet, dhe do t’i përgjigjet ftesës edhe herave të tjera, siç ka bërë edhe sot”, thuhet në deklaratën e kabinetit të kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Veseli nuk dëshmon as sot në gjykimin ndaj Kurtit

Katër deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje do të paraqitën sot përsëri para Gjykatës Themelore të Prishtinës lidhur me hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli do të paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.

Seanca e fundit lidhur me këtë rast u mbajtur më 7 dhjetor ku kanë dëshmuar deputet Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në këtë proces gjyqësor tashmë kanë dëshmuar dëshmitaret-të dëmtuara, Flora Brovina dhe Blerta Deliu-Kodra, deputetët Xhavit Haliti dhe Nuredin Ibishi, si dhe dy punëtoret e Administratës së Kuvendit të Kosovës Shpresa Gosalci dhe Leonora Halimaj.

Në seancën e radhës pritet të dëshmojnë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli si dhe deputeti Armend Zemaj.

Albin Kurti dhe Donika Kadaj- Bujupaj aktualisht janë në masën e paraburgimit në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan ku po mbahen pasi që thyen masën e arrestit shtëpiak e cila u ishte caktuar ndaj tyre.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës, ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Të akuzuarit ishin arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.

Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.

Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat