Haziri: Nasim Haradinaj nuk është i pari që flet kështu për veprimtarët e vrarë të LDK-së

Aktuale

Haziri: Nasim Haradinaj nuk është i pari që flet kështu për veprimtarët e vrarë të LDK-së

Më: 21 dhjetor 2017 Në ora: 15:37
Lutfi Haziri, foto gjatë një interviste për "Bota sot"

Një deklaratë e nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinajt, për vrasjen e zyrtarëve të LDK-së që nga paslufta, ka shqetësuar zyrtarë të kësaj partie, sikurse edhe familjarët e të vrarëve. “Punë e madhe që janë vrarë ata”, tha mbrëmë Haradinaj në një emision televiziv. Por nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se është e dhimbshme qasja ndaj dhunës dhe vrasjeve në vend.

Nasim Haradinaj nga Shoqata e Veteranëve të UÇK-së, i ftuar në një emision televiziv mbrëmë, ku është diskutuar për Gjykatën Speciale, ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e kompetencave Gjykatës Speciale. Kur u fol për vrasjet e pasluftës, nuk hezitoi të thotë “punë e madhe që janë vrarë këta zyrtarë”. Madje, për këto që i deklaroi në publik, nuk tha t’i ketë rënë pishman as sot.

Por, llojet e tilla të deklaratave ndaj vrasjes së zyrtarëve të LDK-së, sipas Lutfi Haziri, nuk janë se thuhen për herë të parë dhe kjo nuk është diçka e re. Në një prononcim Haziri thekson se ka shumë vite që edhe të tjerë kanë të njëjtin qëndrim kur bëhet fjalë te vrasjet e pasluftës të anëtarëve të partisë së tyre, vrasje këto që ende nuk janë zbardhur.

“Ka vite që edhe disa tjerë kanë mbajtë qëndrimin e njëjtë si ky për vrasjet politike, që prej likuidimit të Haki Ymerit e deri te atentatet dhe vrasjet ndaj veprimtarëve kombëtar që kanë punu me dhe për LDK-në”, është shprehur Haziri.

Ai e quajti të dhimbshme qasjen ndaj dhunës e vrasjeve. Në vend që të dënohen aktet e tilla, ai thotë se në vend të kësaj inkurajohet dhuna.

“…dhe pretendimi me arsyetu krimin është përtej përgjegjësisë. Arroganca në emër të luftës çlirimtare nuk e justifikon dhe largon nga përgjegjësia askënd”, ka shtuar ai.

Organizata e Veteranëve të Luftës ka nisur një peticion nga i cili kanë mbledhur 15 mijë nënshkrime që të kërkohet ndryshimi i Ligjit të Gjykatës Speciale, me arsyetimin se kjo gjykatë duhet t‘i dënojë edhe krimet e kryera nga serbët.

Zyrtari i lartë i LDK-së, Lutfi Haziri, nuk tregoi qartë nëse LDK-ja do ta përkrahë këtë iniciativë të veteranëve për Specialen, veçse tha se Kosova ka ligje dhe Kuvend. 

Ndaj deklaratës fyese të Nasim Haradinajt, sot kanë reaguar edhe shumë familjarë të të vrarëve bashkë me deputetë të LDK-së. Haradinajn e quajtën pleh, fundërrinë dhe një monstër. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat