Flasin familjarët e zyrtarëve të vrarë të LDK-së, kanë një porosi për Haradinajn

Aktuale

Flasin familjarët e zyrtarëve të vrarë të LDK-së, kanë një porosi për Haradinajn

Më: 21 dhjetor 2017 Në ora: 18:45
Aktivistët e LDK-së, të vrarë pas luftës

“Punë e madhe që janë vra njerëzit e LDK’së”, tha dje njëri nga drejtuesit e veteranëve të UÇK’së, Nasim Haradinaj, për zyrtarët e vrarë të LDK’së, pas luftës. Familjarët e këtyre zyrtarëve nuk u kursyen fjalët për Haradinajn. Përderisa partitë politike, e sidomos LDK, shprehen me rezervë për Gjykatën Speciale, fëmijët e zyrtarëve të vrarë thonë haptas se për ta, Specialja nuk është një re e zezë, por shpresë për të kapur vrasësit e baballarëve të tyre.

Deklarata e nënkryetarit të OVL’së çoi pluhur në skenën politike. Në fakt, kjo ishte tronditëse për LDK’në, e cila, edhe pse shumë vjet në pushtet nuk ka nxitur zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të saj. Por, deklarata e Haradinajt i shtyu të reagojnë i madh e i vogël.

Krejt kjo nisi me kërkesën e veteranëve për të ndryshuar ligjin për Gjykatën Speciale. Me të përfunduar një peticion që kishte nisur vetëm që Gjykata Speciale të gjykonte edhe serbët, nga veteranët u tha se është krejt e panevojshme një institucion i tillë. Për Nasim Haradinajn nga OVL e UÇK’së, as dhjetëra zyrtarë të LDK’së, nuk janë arsye për të ekzistuar Gjykata Speciale.

“Punë e madhe që u vranë njerëzit e LDK’së”, tha mbrëmë Haradinaj.

Sot zyrtarët e LDK’së e quajtën të papranueshme gjuhen e përdorur nga Haradinaj dhe kërkuan distancim të Qeverisë dhe të OVL së UCK’së.

Por, kur pyetën familjarët e zyrtarëve të vrarë, duket se këta janë në një luftë të ftohtë ndjenjash me veteranë, ose thënë më saktë, me përfaqësuesit shoqatave të tyre. Ata nuk befasohen me atë çfarë tha Haradinaj. Sipas tyre, nënkryetari i OVL’së vetëm se shprehi publikisht atë çfarë realisht e mendojnë ai dhe bashkëpunëtorët e tij.

Përveç kësaj, bijtë e bijat e anëtarëve të LDK’së, nuk shprehen rezerva për Gjykatën Speciale. Për ta, kjo gjykatë është shpresë për zbardhjen e vrasjeve të baballarëve të tyre, përderisa veteranët e UCK’së e quajnë njollë luftë së pastër të tyre.

Shpëtimi, djali i ish-deputetit Smajl Hajdaraj, i vrarë më 17 janar të 2002’ës, ka thënë sot ka thënë se nuk është i befasuar dhe se pret një deklaratë të tillë pasi kriminelët i ka zënë panika. 

“Për mu kriminelët janë nën panik, edhe unë po them punë e madhe për ta”, ka thënë Hajdaraj.

Shpresë për zbardhjen e vrasjes së babait të tij është pikërisht Gjykata Speciale, ligji i së cilës, veteranët po kërkojnë të ndryshohet.

Ai thotë se edhe iniciativa që ka marrë UCK e OVL’së lidhur me ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale, është në kuadër të panikut që ata i ka kapur. Për Hajdarajn ky institucion është shpresa e vetme për të gjetur vrasësin, apo vrasësit e babait të tij.

“Absolutisht që nuk duhet me u shfuqizu ligji për Gjykatën Speciale, kushdo që është i pastër, s’ka nevojë me u shqëtësu nga kjo gjykatë”, është shprehur ai.

Hajdaraj, i pyetur, nëse sipas tij, LDK duhet të votojë ose jo ndryshimin e ligjit për Specialen, thotë se varët se për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë.

“Unë iu sugjerojë deputetëve të LDK’së që kurrqysh nuk bën me u prek zbardhja e vrasjeve të pasluftës nga ky ndryshim i Gjykatës Speciale”, thotë djali i ish-deputetit të LDK’së.

Edhe Shkëmb Manaj, djali i avokatit Shaban Manajt,  të vrarë më 23 korrik të vitit 2000, i ka reaguar kësaj deklarate.

“Deklarata e Nasim Haradinaj tregon me së miri që vrasjet e veprimtarëve të LDK-së janë nxitur dhe kryer nga kjo mendësi të cilën e përfaqëson Haradinaj”, ka shkruar Manaj në Facebook.

Sipas tij, është pikërisht fryma e njëjtë me Haradinajn, ajo që ka nxitur vrasjet gjatë dhe pas luftës, ku shënjestër ishin njerëzit e afërt me Ibrahim Rugovën, e ndër ta, edhe babai i tij.

“Paramendojeni cila ka qenë fryma dhe deklaratat e tij të dhëna para 20 viteve, kur kanë filluar ekzekutimet e burrave të mirë të Kosovës. Kjo frymë i ka nxitur vrasjet ndërshqiptare”, thuhet më tej në reagimin e tij.

Edhe ai beson se deklaratat e tilla janë produkt i frikës që i ka kapluar mundësia e ndriqimit të vrasjeve me motive politike nga Gjykata Speciale.

Manaj për Express, ka thënë se Gjykata Sepciale duhet të trajtojë rastet brenda juridiksionit kohor dhe lëndor, pavarësisht aspektit etnik të kryerësve të krimeve dhe viktimave.

“Hapja e temës së ndryshimit të Ligjit para fillimit të punës së Gjykatës Speciale, ende pa pranuar akuzat e para, nuk është serioze dhe nuk është mesazh i mirë për dëshmitaret eventual, rrjedhimisht e dëmton imazhin e Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë e saj që të jetë e gatshme qe qytetarët tonë të përballen me drejtësinë”, është shprehur ai.

Ismet Rraci ishte kryetari i Klinës, i vrarë në 24 prill të vitit 2000. Vrasja e tij, është dyshuar të ketë motive politike.

Djali i tij, Alban Rraci, ka komentuar deklaratën e Nasim Haradinajt. Ai këtë e quan avancim të krimit në atë nivel sa që thotë kush cfarë të dojë.

“Krimi në Kosovë ka avancu deri në atë nivel sa që kriminelët deklarohen hapur për krimet të kryera edhe kërkush nuk merr masa sepse prapa tyre qendrojnë njerëz të politikës”, ka thënë Rraci.

 “Nasim Haradinaj e shpërfaqi haptas pse Kosovës i duhet jo vetëm Gjykatë Speciale, por edhe Prokurori Speciale, Polici Speciale dhe Hetuesi Speciale. Soji i Nasimit ndodhet në të gjitha këto institucione te sigurisë dhe drejtësisë ne Kosovë. Ata vec janë më perfid dhe nuk shpërfaqen si ky Nasimi”.

Deputetja e LDK’së, Doruntinë Maloku, ka reaguar jo vetëm si zyrtare e kësaj partia. Vajza e Enver Malokut, gazetar dhe zyrtar i lartë i LDK’së, që u vra në janar të 99’ës, e ka quajtur fundërrinë dhe monstër Nasim Haradinajn.

Si deputete, ajo ka kërkuar distancim të kryeministrit dhe të organizatave të luftës një deklaratë e tillë, ndërsa si vajza një dëshmori të UCK’së, ajo ka kërkuar të shkarkohet Nasim Haradinajn që sipas saj, është një fundërrinë që s’përfaqëson interesat e veteranëve e as familjarëve të dëshmorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat