LDK bojkoton fjalimin e presidentit, ky është qëndrimi për rritjen e pagave nga Haradinaj

Aktuale

LDK bojkoton fjalimin e presidentit, ky është qëndrimi për rritjen e pagave nga Haradinaj

Më: 22 dhjetor 2017 Në ora: 13:12
Avdullah Hoti

(E plotësuar) - Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka njoftuar se deputetet e tyre nuk do të marrin pjesë në adresimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pasi ai nuk përfaqëson unitetin e popullit siç ia kërkon Kushtetuta.

Hoti ka numëruar 6 arsye pse nuk përfaqëson unitetin, duke thënë se përveç tjerëve kishte diskurs negativ ndaj bashkësisë ndërkombëtare për Gjykatën Speciale.

Sipas tij, Presidenti në zgjedhjet lokale ka marrë pjesë, pastaj është diskursi që ka bërë thirrje për t’u pajisur me pasaporta të Shqipërisë, ka bërë thirrje për protestë para zyreve të BE-së, për mos liberalizimin e vizave e çështje tjera.

Hoti: Nuk marrim pjesë në seancë

“Roli i tij negativ në politikën e jashtme duke i rrezikuar njohjet që janë arritur me shumë mund dhe duke dështuar në anëtarësimin e disa organizatave ndërkombëtare. Këto janë sjelljet e presidentit Thaçi që nuk garantojnë funksionim kushtetues, thirrjet e tilla janë politikisht naive dhe të dëmshme për përpjekjet tona si shoqëri dhe institucione të Republikës së Kosovës, prandaj grupi parlamentar i LDK-së sot nuk merr pjesë në seancën ku presidenti i adresohet qytetarëve”, tha ai.

Hoti është pyetur edhe për ngritjen e pagave në Qeveri.

Hoti: Haradinaj premtoi diçka tjetër, tash po dyfishon pagën për veti dhe ministrat

“Ai gjatë fushatës ka premtuar 30 % rritje pensioneve dhe tash ka dyfishuar pagën për veti dhe ministrat e tij, ne jemi pari institucionale dhe përdorim të gjitha rrugën institucionale për të realizuar qëllimet tona”, tha Hoti.

Përndryshe, edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marrë pjesë në fjalimin vjetor të Presidentit, Thaçi.

LDK bojkoton fjalimin e presidentit

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën ku presidenti i vendit, Hashim Thaçi do t’i adresohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Presidenti Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Në komunikatën për media, ata kanë listuar edhe disa sjellje të presidendit gjatë vitit 2017, që sipas tyre tregojnë qartë që Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç ia kërkon Kushtetuta.

Më poshtë gjeni sjelljet që LDK-ja i ka përmendur  me arsyetimin  se “president Thaçi nuk garanton funksionim kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës”.

Këto sjellje përfshijnë:

Ndërmjetësimin e tij në ndërtimin e koalicioneve para dhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare;

Pjesëmarrjen direkte e tij në fushatën parazgjedhore në zgjedhjet lokale;

Diskursi iracional i tij duke thirrur qytetarët e Kosovës që të pajisen me pasaporta të Shqipërisë si kundërpërgjigje ndaj institucioneve të BE-së;

Thirrja e tij që qytetarët e Kosovës të protestojnë para zyrave të BE-së në Prishtinë për shkak të mos liberalizimit të vizave.

Diskursi i papranueshëm publik që ai ka përdorur ndaj bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Gjykatën Speciale.

Roli i tij negativ në politikën e jashtme duke rrezikuar njohjet e arritura me shumë mund dhe duke dështuar në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare

Thirrjet e tilla janë politikisht naive dhe të dëmshme për përpjekjet tona si shoqëri dhe institucione për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës.

LDK flet për seancën e raportimit të Thaçit 

Grupit Parlamentar i LDK-së po mban një konferencë për media, në të cilën pritet të dal vendimi i këtij grupi për pjesëmarrjen ose jo në seancën ku do ta mbaj fjalimin vjetor Presidenti Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat