A do ta votojë LDK'ja shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Flet Vjosa Osmani

Aktuale

A do ta votojë LDK'ja shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Flet Vjosa Osmani

Më: 22 dhjetor 2017 Në ora: 13:42
Vjosa Osmani

Shoqatat e veteranëve kanë mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime nëpërmjet të cilave synojnë shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale. Fillimisht veteranët thanë se po kërkojnë plotësim –ndryshimin e ligjit me arsyetimin ishte diskriminues. Por, si do t’i përgjigjen partitë politike në Kuvend kësaj inicitiave? Deputetja e LDK’së thotë se është kundër pengimit të punës së kësaj gjykate pasi aty mund të zbulohen vrasjet e veprimtarëve të LDK’së.

Për të marrë qëndrimin e LDK’së media ka kontaktuar me disa zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ata kanë refuzuar të japin përgjigje.

OVL e UCK’së tashmë ka dërguar në Kuvend 16 mijë nënshkrime nëpërmjet të cilave synon ta shfuqizojë ligjin për Gjykatën Speciale edhe pse fillimisht thanë se vetëm duan ta plotësojnë –ndryshojnë ligjin.

Për këtë kanë shkruar edhe mediat e huaja të cilat krejt këtë iniciativë e kanë ndërlidhur me emrin e Presidentit Hashim Thaçi, i cili, sipas tyre, qëndron prapa kësaj nisme edhe pse ai vet ka kërkuar me ngulm që ligji për Gjykatën Speciale të kalojë në Kuvend.

Por, për ta bërë këtë, duhen 2/3 e votave që vështirë se mund të arrihen në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Haradinaj ka dalë kundër iniciativës së veteranëve duke thënë se po të ishte pro saj do ta nënshkruante peticionin. Ai ka thënë se obligimi që e ka marrë Kosova nuk do të dështojë.

Por, çfarë do të bëjë Lidhja Demokratike e Kosovës në rast se kërkohet ndryshimi i ligjit?

Në prononcimin Vjosa Osmani ka thënë se ende nuk e ka parë propozimin e veteranëve.

“Unë ende nuk e kam parë propozimin qe synon ndryshimin e Ligjit per Dhomat e Specializuara, prandaj nuk mund t’a komentoje përmbajtjen e atij dokumenti” ka thënë Osmani.

Deklarata e saj vijë pikërisht në kohën kur anëtari i OVL të UCK’së bëri komente shokuese për veprimtarët e LDK’së të vrarë pas luftës duke thënë “se s’ka lidhje pse janë vrarë”.

E vrasja e këtyre veprimtarëve është arsyeja që Osmani nuk lëkundet nga mbështetja ndaj kësaj gjykate.

“Në parim jam kundër çdo tentimi që ka për qëllim të pengojë punën e Gjykatës Speciale, në veçanti për shkak se tashmë dihet që kjo gjykatë do të trajtojë edhe disa nga vrasjet e pasluftës së veprimtarëve të LDK-së të cilat bien në juridiksionin e saj. Obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë sa i përket Gjykatës Speciale janë bërë edhe pjesë e Kushtetutës sonë” ka thënë Osmani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat