Thaçi tregon si e detyruan dhe mashtruan ndërkombëtarët për Gjykatën Speciale

Aktuale

Thaçi tregon si e detyruan dhe mashtruan ndërkombëtarët për Gjykatën Speciale

Më: 25 dhjetor 2017 Në ora: 21:26
Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti, Hashim Thaçi, ka dhënë qëndrimin e tij në lidhje me iniciativën e disa deputetëve për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.

Thaçi ka thënë se çdo iniciativë, sikur ajo e 43 deputetëve të kalonte të gjitha procedurat dhe të votohej në parlament, ai nuk do ta bllokonte.

“Roli i presidentit është respektimi i Kushtetutës. Jo vetëm iniciativa të tilla, por secila që kalon procedurat në Kuvend dhe vjen në zyrën time, atëherë natyrisht, vendimi i Kuvendit është obligativ”, ka thënë Thaçi.

“Nuk mendoj që vjen deri te dorëheqja pasi aty nuk jam për të bllokuar por për të kryer punë. Nuk dalë kundër vullnetit të shumicës së Kuvendit”, është shprehur ai në Zona B.

“Presidenti mban pozicionin e vet kushtetues dhe ligjor. Iniciativa e deputetëve duhet konsideruar si ligjore. Duhet shikuar gjërat me urtësi dhe mençuri. Asnjë nga ata njerëz që e kanë nënshkruar ose jo nuk mund të etiketohen”, ka thënë ai më tej.

“Proceset që zhvillojnë dhe kultivojnë demokraci nuk duhet frikësuar. Nuk ka iniciativë që nuk menaxhohet”.

“Unë jam president, por sikur të isha deputet dhe pjesë e ndonjë grupi parlamentar, çfarëdo vendimi që do të merrej do të isha pjesë e saj”, ka pohuar ai.

Thaçi më tej, për iniciativën e deputetëve ditë më parë, ka thënë se është keqinterpretuar pak.

“Iniciativa e deputetëve, nuk kërkon shfuqizimin, por afrimin e një alternative, jo minim të procesit”, ka shtuar ai.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se e kanë detyruar ndërkombëtarët që të themelohet Gjykata Speciale përmes Kuvendit të Kosovës, por thotë se për këtë gjykatë ai mban ende mendimin e njëjtë sikurse në vitin 2015.

Thaçi, i cili kishte bërë të pamundurën që Gjykata Speciale të mandatohet në Kuvendin e Kosovës, tash është bërë kundërshtari kryesor i saj. Ai ka thënë se përveç detyrimit, ndërkombëtarët ishin zotuar se me aprovimin e kësaj gjykate, Kosova do të përfitonte themelimin e Ushtrisë, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UNESCO, INTERPOL dhe në Këshillin e Evropës.

Por thotë se asgjë prej këtyre gjërave nuk ndodhi.

“Realisht atë që e kam menduar në vitin 2015, e mendoj edhe sot. Gjykata Speciale është një padrejtësi historike ndaj Kosovës, edhe ndaj UÇK-së. Ndërkombëtarët na kanë detyruar, me kërcënimin se do të marrin masa tjera drastike në raport me vendin. Dua ta potencoj diçka: nuk ka gjykatë që e lëndon luftën time për Kosovën. Ka qenë detyrimi ndërkombëtar, dhe e dyta zotimi i ndërkombëtarëve se Kosova lëviz drejt ushtrisë, drejt liberalizimit të vizave, anëtarësimi në UNESCO, INTERPOL dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Asnjëri zotim i ndërkombëtarëve nuk ndodhi, edhe pse Gjykata Speciale u aprovua”, tha Thaçi.

Presidenti foli edhe për nismën e Organizatave të Dala nga Lufta për peticionin e nënshkruar nga 15 mijë persona.

Thaçi: E papranueshme deklarata e Haradinajt për aktivistët e vrarë të LDK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë sot se është e papranueshme deklarata e kryetarit të OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, për aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Thaçi ka thënë se deklarata e Haradinajt ëdhtë e papranueshme, edhe pse deklaroi se nuk e ka dëgjuar deklaratën, por e ka lexuar në media.

“Unë nuk e kam dëgjuar, mirëpo nga ajo që e kam lexuar mendoj që është e papranueshme ajo deklaratë. Por, sa i përket nismës së Veteranëve të UÇK-së mendoj se është demokratike dhe e drejtë”, ka thënë Thaçi.

Nasim Haradinaj deklaroi javën e kaluar se “nuk ka lidhje nëse janë vrarë anëtarët e LDK-së”.

Thaçi tregon nëse do të përfshihet Rusia në dialogun me Serbinë

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Rusia nuk do të përfshihet në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo nuk do të ndodh. Kosova nuk është Siri me hy të gjithë ata akterë ndërkombëtarë edhe me e bë mishmash’, tha Thaçi.

Theksoi se Kosova është vend i pavarur dhe ka mbështetje ndërkombëtare.

“Kosova është vend sovran. Beson në vizionin e Bashkimit Europian për këtë proces të dialogut dhe zonjës Mogherini dhe mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

Thaçi tregon se a do të kandidojë për president edhe për një mandat

Presidenti Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se mund të kandidojë edhe për një mandate për President të Kosovës, nëqoftëse bëhet reforma zgjedhore, në mënyrë që presidenti të zgjidhet me votë të qytetarëve dhe jo përmes Kuvendit të Kosovës.

“Nëse ndodh reforma, mundësia është që të konkuroj. Edhe gara do të jetë më interesante, do të ishte demokraci e shëndoshë për institucionin e Presidentit”, tha Thaçi.

Ai tha se Kosova ka nevojë për reformë zgjedhore.

“Vazhdoj të besoj se Kosovës i duhet reforma elektorale. Edhe për zgjedhje presidenciale, edhe për zgjedhje nacionale dhe lokale. Dua të besoj se reforma elektorale do zbatohet që nga janari.  Do të ishte demokraci e drejtpërdrejt, më e zgjeruar”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat