Haradinaj përsëri flet për gjuajtjen me armë, tash ka një kërkesë në prag të Vitit të Ri

Aktuale

Haradinaj përsëri flet për gjuajtjen me armë, tash ka një kërkesë në prag të Vitit të Ri

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 20:06
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vazhduar ta lartësojë gjuajten me armë. Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë e përsëriti që të shtënat me armë janë traditë e vjetër shqiptare, por kërkoi që të mos ketë të shtëna për Vit të Ri.

“E kam përmendur edhe në një intervistë se qitja me armë është traditë shqiptare, me të vërtetë është traditë e hershme shqiptare, por kjo nuk na bënë nder. Le të kursehemi, të mos ketë incidente tjera”, tha Haradinaj sot gjatë mbledhjes së Qeverisë.

Kujtojmë që muaj më parë, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi, ish-kreytari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe këshilltari i zëvendëskryeministrit Limajt, Endrit Shala, shiheshin në një video ku gjuanin me armë në një vend të mbyllur teksa po festonin shpalljen e pafajësisë së Limajt dhe të akuzuarve tjerë për rastin MTPT.

Haradinaj, në një intervistë kishte thënë se edhe ai vet ka shkrepur armë nëpër ahengje.

“Nuk e di qëllimin e asaj ndeje, por të jem i sinqertë, edhe unë ‘qes’. Më ka ndodhë në Dukagjin ‘kanunqe’… ta sjell i zoti i shtëpisë armën që të gjuash, dhe gjuan. Mund ta bëjmë dhe me ligj ndoshta që në raste gëzimi të përdorim armën. Nuk është gjest i mirë prej një ministri… Më ka ndodhur në një aheng kur i zoti i shtëpisë më ka thënë se ma ke nderuar truallin e konakun dhe ma ka dhënë armën dhe kam gjuajtur… Më ka thënë se këtë armë e kam të bekuar që e preku dora juaj… Çka të bësh… nuk është mirë… është shkelje ligjore sikur kur e tejkalon shpejtësinë me veturë, por ndodh kjo në Kosovë. Me Gashin nuk kam folur për këtë temë. Për mua nuk është kiamet kjo punë. Në ato fshatrat e tyre, nuk ke kë ta trembësh nëse gjuan me armë…”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat