Eksperti: Vdekja e Hajrizit do ndodhte edhe sikur të mos digjej

Aktuale

Eksperti: Vdekja e Hajrizit do ndodhte edhe sikur të mos digjej

Më: 27 dhjetor 2017 Në ora: 21:06
Pamje nga seanca

Në gjykimin e njohur si “Çekiçi” për vrasjen e Naim Hajrizit u dëgjua eksperti i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, si dhe eksperti i ADN- së, Fatmir Ademi.
Eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu dhe ai i ADN-së Fatmir Ademi, kanë dëshmuar sot në gjykimin ku Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu po akuzohen për vrasjen e rëndë të Naim Hajrizit.

Eksperti i mjekësisë ligjore kishte përpiluar raportin e autopsisë në vitin 2009 mbi vdekjen e tani të ndjerit Naim Hajrizi, si dhe për të njëjtën edhe kishte dhënë dëshmi më herët në Gjykatë.

Sipas raportit të autopsisë, i ndjeri është goditur nga dy mjete të ndryshme të cilat janë ndarë në dy grupacione, atë shiritor dhe të rrumbullakët.

“Shtatë goditje, dëmtimet deri në 7 cm të formës shiritore të gjata e të holla. Jemi përqendruar në pjesën e pasme të kokës dhe kemi formën tjetër, dy goditje tjera të përmasave 30-55 mm, njëra në pjesën anësore të ballit me formë të rrumbullakët, ndërsa tjetra pjesën anësore të epërme. Mjeti mprehës ka pasur edhe peshë më të madhe, goditja ka qenë më e fortë”, tha ai.

Gërxhaliu theksoi se plagët vdekjeprurëse janë shkaktuar nga goditja me mjetin 30-55 mm, derisa djegia vetëm sa e ka përshpejtuar vdekjen.

“Kur është djegur nuk ka pasur ndjenja ngase ka qenë në vlerat minimale të jetës”, shtoi ai.

Si rrjedhojë, avokatja e të akuzuarit Retkoceri, Kosovare Kelmendi, e pyeti Gërxhaliun se “a do të kishte mbijetuar i ndjeri nëse pas lëndimeve të marra, trupi nuk do t’i digjej?”.

Gërxhaliu tha se: “Vdekja do të pasonte edhe po të mos i ishte djegur trupi, por e njëjta vetëm e ka përshpejtuar procesin e vdekjes”.

Më pas, me dhënien e dëshmisë vazhdoi eksperti i ADN- së, Fatmir Gashi.

Ai tha se gjatë ekzaminimit të mostrave ka dalë edhe një profil tjetër i panjohur i gjinisë mashkullore.

“Nga filtri i cigares të firmës “Marlboro”, i marrë në veturën e markës BMW, ka dalë një profil i panjohur i gjinisë mashkullore dhe ky profil ende ruhet. Nëse gjykata ka interes ta sjellë ndonjë mostër referente të ndonjë personi të dyshuar mund të bëhet krahasimi dhe të identifikohet”, tha ai.

Më pas, dy të akuzuarit e rastit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu pyetën ekspertin e ADN-së se: “A i kanë ekzaminuar rrobat të cilat i janë marrë atyre nga tre policët hetues Zymer Gashi, Emin Beqiri dhe Lulzim Hosteni?”.

I njëjti u përgjigj me “Jo”.

Eksperti tha se arsyeja se pse nuk janë ekzaminuar rrobat është për shkak se të njëjtat nuk janë sjellë fare në radhë të parë.

“Nuk i kemi ekzaminuar ngase nuk janë sjellë në laborator, kjo konfirmohet edhe në bazë të zinxhirit të ruajtjes dhe urdhëresës së Gjykatës ku nuk figurojnë asnjëra nga këto dëshmi. Mirëpo, ne në rast se do t`i kishim në mënyrë ligjore të proceduara do të bënim ekzaminimin”, u përgjigj eksperti Gashi.

Si rrjedhojë, në fund të seancës, avokatja e Retkocerit, Kosovare Kelmendi, kërkoi nga trupi gjykues që tre policët hetues të lartcekur të ftohen për dhënien e dëshmisë në gjykatë.

I ftuar për të dëshmuar ishte edhe Milaim Gashi, por që ka rezultuar se adresa e tij është e panjohur.

Seanca e radhës u caktua për në janar të vitit 2018-të.

Prokuroria akuzon Retkocerin dhe Spahiun se më 29 prill të vitit 2009-të me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Në korrik të vitit 2015 të akuzuarit ishin dënuar me nga 30 vjet burgim, por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat