Çka u morën vesh Tahiri e Trendafilova rreth Speciales?

Aktuale

Çka u morën vesh Tahiri e Trendafilova rreth Speciales?

Më: 29 dhjetor 2017 Në ora: 09:14
Abelard Tahiri ka folur për takimin që ka pasur me kryetaren e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka folur për takimin që ka pasur me kryetaren e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Ministri Tahiri para një muajsh në një takim me Trendafilovan kishte marrë garanci se do të respektohen të drejtat e të akuzuarave për aq kohë sa të zgjasë puna e Speciale, trasmeton Koha.net.

Ish-kreu i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons kishte dhënë dorëheqjen, duke denoncuar korrupsionin dhe joprofesionalizmin brenda EULEX-it, por për të cilin burimet e BE-së pohojnë se edhe vetë është nën hetime për shkelje të rënda që ka bërë gjatë punës së tij. “Le Monde” kishte cituar gjykatësin Simmons të ketë thënë se ai muaj më parë i ka raportuar disa raste të korrupsionit brenda misionit të EULEX-it, duke përfshirë edhe hakimin e e-mailit të tij nga një gjykatës tjetër brenda misionit.

Shkaku i këtyre akuzave ndaj EULEX-it, Tahiri i ka kërkuar garanci Trendafilovas se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe me Gjykatën Speciale.

“Gjatë vizitës së saj kam qenë i vetmi që e kam takuar Trëndafilovën dhe interesi im ka qenë se kush do të akuzohet dhe pas përfundimit të mandatit a e komprometon punën e misionit, siç ndodhi me një gjyqtar të EULEX-it, dhe unë i kam kërkuar që të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e njerëzve që do të punojnë në Gjykatë dhe kam kërkuar që t’i garantojnë institucioneve të Kosovës që të jetë një proces ku do të respektohen të drejtat e akuzuarave”, ka thënë ministri Tahiri në emisionin “Interaktiv”.

“Ajo na dha këto garanci. Ka dhënë garanci edhe para meje edhe para shoqërisë civile. Ajo ka thënë se do të ketë kujdes për aq kohë sa të zgjasë procesi. Ajo ka thënë se Gjykata është gati dhe po pritet vetëm prokurori që ta kryejë punën e tij për të nisur me aktakuzat”, ka shtuar ministri i Drejtësisë.

Për tentimin për shfuqizim të Gjykatës Speciale që ndodhi të premten e javës së kaluar, Tahiri ka thënë se është iniciativë e deputetëve dhe për këtë shkak nuk ka mundur ta komentojë.

“Ajo ka qenë iniciativë e disa deputetëve. Ende nuk është përfunduar, kësaj iniciative do t’i jepet një epilog. Unë nuk dua të paragjykoj, kam qenë i interesuar që të shoh dokumentet se për çfarë bëhet fjalë sepse është çështje që lidhet direkt me ministrinë që unë e drejtoj. Deputetët kanë iniciuar ndryshimet e këtij ligji, më herët ka qenë Ministria e Drejtësisë, por tani janë deputetët”, ka thënë veç të tjerash ministri Tahiri.

Gjatë kësaj jave është raportuar se iniciator i tentimit për shfuqizim të Gjykatës Speciale, është presidenti Hashim Thaçi, për shkak se flitej se do të akuzohej nga Specialja.

Për shkak që mbaj pozitën unë nuk do të lëshohem në komente se çfarë ka ndodhur. Unë besoj se lidershipi i Kosovës do të arrijë që ta kenë përkrahjen e faktorëve ndërkombëtar, edhe në anëtarësimin e Kosovës në OKB. Është iniciativë e disa deputetëve, unë si ministër jam i obliguar ta respektoj çdo vendim që sjellin deputetët. Unë po pres se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

“Thaçi e ka kaluar një jetë të tërë duke kontribuar për Kosovën dhe në asnjë rrethanë nuk mendoj se presidenti mund të bëjë veprime që rrezikojnë përkrahjen e aleatëve tanë. Ai ka qenë prej 2-3 njerëzve që më së shumti ka kontribuuar në Kosovë”, ka thënë Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat