Ja me sa vite burg u dënua Albin Kurti dhe tre deputetët tjerë të VV-së

Aktuale

Ja me sa vite burg u dënua Albin Kurti dhe tre deputetët tjerë të VV-së

Më: 3 janar 2018 Në ora: 13:27
Albin Kurti në Kuvend

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin në rastin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për gazin lotsjellës të hedhur në ambientet e Kuvendit.

Gjykata i ka shpallur fajtorë katër deputetët: Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Për përdorim të armës, deputeti Albin Kurti është dënuar me 1 vjet e 3 muaj burg, për pengim të personit zyrtar me 6 muaj burg. Dënimi unik: 1 vjet e 6 muaj burg.

Të akuzuarit nuk ishin në seancën e sotme kur u bë shpallja e aktgjykimit.

Të katër deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për hedhje të gazit në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin  e Zi dhe Marrëveshjen për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

Pas shumë seancave gjyqësore, ku u panë përballje të ashpra verbale e nganjëherë edhe ofendime, trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës do të vendosë për fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve.

Gjatë gjithë shqyrtimit gjyqësor, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se veprimet e tyre ishin vetëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke parandaluar kështu një të keqe të madhe që po i kanosej Kosovës, apo siç e quajtën ata “faljen e mijëra hektarëve tokë dhe bosnjëzimin e Kosovës”.

Madje, prej disa prej të akuzuarve u tha se ndihen krenarë për veprimet që i ndërmorën ndërsa se veprimet e tyre ishin të drejta, të gjithë deputetët e akuzuar të këtij rasti përmenden vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që gjeti se disa prej pikave të Marrëveshjes për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Krejt këto argumente nuk e bindën prokurorin e rastit, Valdet Gashi, i cili kërkoi nga Gjykata që t’i shpallë fajtorë të akuzuarit sepse sipas tij është provuar se ata e kanë kryer veprën penale.

Pjesë e këtij gjykimi në cilësinë e dëshmitarëve ishin edhe disa deputetë dhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës,  si Flora Brovina, Blerta Deliu-Kodra, Nuredin Ibishi, Xhavit Haliti, Bekim Haxhiu dhe Armend Zemaj.

I propozuar për t’u dëgjuar si dëshmitarë ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, por prokurori çuditërisht u tërhoq nga dëgjimi i dëshmisë së tij.

Nesër, Gjykata Themelore e Prishtinës do t’u jap epilog të gjitha këtyre pretendimeve duke shpallur aktgjykimin lidhur me pretendimet e prokurorisë dhe të akuzuarve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat