Rritet numri i përdoruesve të drogës

Aktuale

Rritet numri i përdoruesve të drogës

Më: 4 janar 2018 Në ora: 16:35
Ilustrim

Përdorimi i narkotikëve në Kosovë vazhdon të jetë i lartë. Marihuana është lloji i drogës që vazhdon të përdoret më së shumti. Derisa, kokaina është substanca narkotike që në dy vitet e fundit ka shënuar rritje të madhe të konsumimit.

Shqetësuese është rritja në vitet e fundit e përdorimit të drogave nga femrat.

Sipas drejtorit të  Qendrës Mediko-Psikoterapike “Labyrinth”, Safet Blakaj brenda periudhës së vitit 2017 trajtim mjekësor në këtë qendër kanë kërkuar 111 persona të cilët kanë qenë përdorues të marihuanës.

Blakaj: Për trajtim janë paraqitur 111 persona

“Gjatë këtij viti deri më sot sa i përket tek marihuana janë paraqitur për trajtim 111 veta, mirëpo një pjesë e tyre nuk janë vetëm si përdorues të  marihuanës,  por janë edhe të drogave tjera që përzihen me marihuanën duhet theksuar se po del problematike edhe kur marihuana përdoret edhe me ilaçet tjera që është bërë një lloj trendi i gjashtë mujorit të fundit të këtij viti mund të themi qetësues të ndryshëm posaçërisht ‘Xanax’”, tha ai.

Sipas Blakaj në dy vitet e fundit është duke shënuar rritje  përdorimi i kokainës kryesisht nga gjinia femërore.

Por ai shton se gjinia mashkullore mbeten si përdoruesit më të mëdhenj të substancave narkotike.

Blakaj: Kokaina ka shënuar rritje dy vitet e fundit

Problematike del edhe kokaina, kokaina dy vitet e fundit ka shënuar një rritje posaçërisht këtu në Prishtinë por edhe në qytetet tjera edhe kjo na po e konsiderojmë që është diçka e pa zakontë nëse del gjatë vitit të ardhshëm...03;51”Ende është gjinia mashkullore dukshëm më tepër që përdorë drogat. Një tendencë e lehtë është vërejtur tek përdorimi i kokainës tek femrat, kjo neve na shqetëson pak por edhe tek marihuana nëse bazohemi tek të dhënat e deri tanishme deri tek viti 2012 femrat kanë pasur diku rreth 9 për qind të klientëve tanë flitet për heroinën, tek këto drogat tjera është një rritje e sipër edhe numri i përdorueseve të drogave pra femra”, tha ai.

Sipas tij kjo po ndodh për shkak se moshat e reja kanë filluar ta pranojnë barazinë gjinore.

Blakaj pozitiv e konsideron rënie e përdorimit të llojit të drogës  heroinë bazuar në atë se në qendrën e tyre asnjë pacient nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore si rezultat i përdorimit të heroinës.

Sipas tij gjatë këtij viti kanë hyrë të treg edhe lloje tjera të substancave narkotike të cilat nuk kanë qenë më parë prezente në Kosovë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka bërë të ditur se në periudhën kohore janar-nëntor 2017 janë arrestuar rreth 1193 persona të dyshuar për raste penale me narkotikë.

Ndërsa, Policia e Kosovës ka konfiskuar rreth 1733 kilogramë substanca narkotike vetëm të llojit marihuanë, e cila në sasi më të madhe ka qenë e destinuar për përdorim jashtë Kosovës.

Kelani: Policia ka arrestuar rreth 1193 persona të dyshuar për raste me narkotikë

“Vetëm gjatë kësaj periudhe kohe të këtij viti nga janari deri në fillim të nëntorit janë arrestuar diku rreth 1193 persona të cilët në një mënyrë apo tjetër kanë qenë persona të dyshuar për rastet penale me narkotikë por njëkohësisht janë konfiskuar nga policia 1733 substanca narkotike vetëm të llojit marihuanë e cila është një prej sasisë së narkotikëve në shifrën më të madhe që ka qarkulluar në Kosovë çoftë për sasi të konsumimit të brendshëm e cila si sasi kryesisht është e vogël, por kryesisht edhe sasitë më të mëdha të cilat kanë qenë për destinim jashtë Kosovës kur është tentuar që Kosova të shfrytëzohet si vend transit i narkotikëve”, tha Kelani.

Kelani bëri të ditur se Policia e Kosovës në bashkëpunim me ministrin e Punëve të Brendshme kanë hartuar një plan të veçantë “Stop, drogës në shkolla” i cili ka për qëllim parandalimin e drogave nëpër ambiente shkollore dhe si rezultat i këtyre aktiviteteve janë arrestuar 114 persona, ndërsa janë iniciuar 101 raste të natyrës që ndërlidhen me natyrën e narkotikëve.

Ndërsa, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Selami Shkodra tha se ndër prioritetet kryesore të qeverisë Haradinaj është  luftimi i dukurisë së drogave në Kosovë dhe për këtë çështja kanë ndërmarrë edhe veprime konkretet.

Shkodra tha se me qëllim që të ulen shifrat e përdorimit të drogave në shoqërinë kosovare kanë hartuar një strategji me ministrin e Arsimit, Shkencës  dhe Teknologjisë,  e cila pritet të fillojë në janarin e vitit 2018.

Shkodra: Strategjia e hartuar fillon të implementohet në janar

“Në strategjinë e hartuar, e cila është paraparë që të futet në implementim nga janari i vitit të 2018 e që ka për qëllim deri në vitin 2023 të zbatohet në tërësi. Ne kemi një mori institucionesh të cilat do të jenë pjesë e implementimit të saj veçanërisht roli të theksuar është edhe Ministria e Arsimit ku e njëjta na ka premtuar se do të jetë shumë aktive në implementimin e kësaj strategjie sepse roli i saj në vetëdijesimin dhe parandalimin është esencial duke pas parasysh se që nga fëmijëria e hershme e deri në moshat adoleshente do të thotë ekspozimi mund të jetë më i madh dhe mund të jetë pjesë e cila mund të atakohet nga këta keq bërës”, tha Shkodra.

Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë që dënimet për trafikantët e drogave t’i ashpërsojnë me qëllim që ky fenomen të zbehet në Kosovë.

Referuar statistikave të Policisë së Kosovës shihet  se në vitin 2017 ka rritje të personave të arrestuar për raste penale me narkotikë ku të arrestuar janë 1193, ndërsa në vitin 2016 janë arrestuar 874 persona, në vitin 2015 janë arrestuar 434 persona, kurse në vitin 2014 janë arrestuar  gjithsej 693 persona. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat