Rrëfehet Xhevat Meha, tregon se si strukturat e LDK-së në Prekaz mbrojtën Adem Jasharin nga arrestimi i policisë serbe më 1991

Aktuale

Rrëfehet Xhevat Meha, tregon se si strukturat e LDK-së në Prekaz mbrojtën Adem Jasharin nga arrestimi i policisë serbe më 1991

Nga: Bota sot Më: 7 janar 2018 Në ora: 12:11
Xhevat Meha dhe Adem Jashari. Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës të fshatit Prekaz i Poshtëm, në vitin 1992, përmes një shkrimi të dërguar në gazetën “Bota sot”, ka rrëfyer për organizimin e mbrojtjes nga sulmet serbe në këtë fshat.

Ai ka treguar se strukturat e LDK-së në Prekaz ishin mobilizuar për të mbrojtur Adem Jasharin nga arrestimi i policisë serbe.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e tij të plotë:

Nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri të organizuara përmes LDK-së, në Prekaz të Poshtëm kthehen Adem Jashari, Sahit Jashari dhe Ilaz Kodra me betimin e dhënë pas stërvitjeve se armët e marra në dorë nuk do t’i lëshojnë nga dora pa luftuar. Forcat e sigurisë së Sërbisë jo vetëm që kishin emërat e atyre që kishin stërvitur por kishin edhe numratë serik të armëve të marra.

Në mes të natës së 29 dhe 30 dhjetorit të vitit 1991, forcat serbe ndërmarrin aksion me qëllim të arrestimit të Ademit, Sahitit dhe Ilazit dhe të konfiskimit të armëve të tyre. Mirëpo, këta mbajnë betimin e dhënë dhe i përgjigjen me zjarrë rrethimit nga forcat serbe. Luftimi kryhet në orët e hershme të mengjesit në të cilën marrin pjesë edhe Hamëz Jashari, Rifat Jashari, dhe anëtarë tjerë të familjes Jashari por edhe Ilaz Kodra, Fadil Kodra dhe Zenun Kodra.

Me të marrë vesh për sulmin, diku para orës shtatë të mëngjesit, autori i këtij shkrimi kërkon mobilizimin fillimisht të Lagjës Mehaj dhe më vonë kjo përhapet edhe në Lagjet tjera dhe më gjerë, ashtu siç edhe ishin udhëzimet nga LDK. Të parët që janë takua me Adem Jasharin pas daljes së tij nga rrethimi kam qenë unë me grupin e Mehajve. Ademi nga një distancë na thërret “kendej, kendej” në drejtim të pozicionit ku ishte ai. Pak më vonë tek ky grup kanë ardhur edhe Hamza, Sahiti Jashari, kanë ardhur Gecët e Llaushës si Jetullahu, Rrustemi, Osmani, e disa të tjerë nga Gecët që u kam harruar emërat. Në këtë pozicion fillimisht janë tubuar të gjithë të mobilizuarit. Mbrenda më pak se dy orë, janë mobilizuar dhe kanë dalë nëpër kodrinatë e Prekazit diku rreth 50 – 100 individë, disa me armë dhe disa pa armë. Më vonë numëri është rritur dhe duhet të kenë qenë disa qindra por në shumicë pa armë, këta të shpërndar nëpër të gjitha kodrinat e Prekazit.

Gjithë këta të mobilizuar, qëndronin përballë forcave serbe fillimishtë të pozicionuara në Lagjen Jashari. Së paku 2-3 herë të mobilizuarit kanë kërkuar leje nga unë që t’i sulmojnë forcat serbe dhe t’i largojnë nga Lagja Jashari. U kam thënë jo, me bindjen se do të përhapej lufta, gjë e cila ishte e panevojshme me që Ademi, Hamëza, Rifati, Sahiti dhe të gjithë të tjerët kishin arritur të dalin jashtë rrethimit. Isha i sigurtë se kishte armë të mjaftueshme për t’i larguar forcat serbe nga Lagja Jashari për faktin se vetëm me pesë shkrepje nga Adem Jashari me pushkën e Zymer Mehaj në momentët e para të takimit tonë me Ademin nga pozicioni në të cilin u takuam dhe qëndronim ende, policët serb ikënin si pakrye për t’u fshehur. Të mobilizuarit më njihnin dhe më respektonin si komandant i tyre, kishin besim edhe në LDK si strukturë e organizuar politike dhe edhe në mua si individ. Unë nga pozicioni i komandantit zbatova udhëzimet e LDK-së për mospërhapje të luftës, ashtu kam besuar ashtu kam vepruar.

Dikur pasdite kur të gjithë u shpërndanë, isha në grup së bashku me Zymer Mehmet Mehaj, Halil Gani Mehaj, dhe me Axhën tim Ramadan Milazim Mehaj i cili kishtë qenë duke më kërkuar për të më dhënë pushkën e tij me që unë nuk kisha pushkë. Pasiqë nuk dukej më ndonjë nga të mobilizuarit të ishte ende në kodrinë, dhe pas përshendetjës me dy të fundit të fundit, derisa ishim ende në pyll, ngritet mbi grupin tonë një helikopter i policisë i cili ka qendruar rreth një orë mbi kokatë tona. Dyshimet ekzistojnë se helikopteri informacionin për pozicionin tonë e kishte marrë nga njëri prej këtyre dy të fundit që u takuam dhe u ndamë. Gjatë qëndrimit në pyll vërejtëm një përson të cilin nuk e njihnim dhe që ishte zënë nën helikopter sëbashku me ne, që më vonë kuptuam se kishte qenë Vesel Selimi nga Aqareva e Skenderajt.

Kur u largua helikopteri, të gjithë dolëm nga pylli në një arë për të vërejtur se kishim qenë të rrethuar nga dy autoblinda të policisë të cilat nga një largësi prej 200-300 metrave filluan të gjuajne në drejtimin tonë. Nën këto breshëri, duke shkuar zhagas nëpër borë në arën e levruar, plagoset Vesel Selimi, mirëpo arritem që të gjithë të futëshim pas kodrinës në një pyll tjetër të vogël. Pas largimit nga ky pyll, duhej që gjithsesi të dilnim në terren të hapur ku ishim të sigurtë se prapë do të ishim nën breshërinë e autoblindave, mirëpo nga një largësi prej 400-500 metrave. Nën këto breshëri plagoset lehtë Halil Gani Mehaj. Dhe kështu përfundon përballja luftarake në Prekaz në dhjetor të vitit 1991.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat