Djali rrëfen për mbytjen e babait: Nuk iu besova syve kur e pashë duke u hedhur në Erenik

Aktuale

Djali rrëfen për mbytjen e babait: Nuk iu besova syve kur e pashë duke u hedhur në Erenik

Më: 10 janar 2018 Në ora: 19:06
Lumi Erenik në Gjakovë

Shkopin, pa të cilin nuk lëvizte asnjëherë, ishte kujdesur që ta linte brenda në shtëpi. Mustafë Haxhia, 81-vjeçar, i cili nuk shkonte askund pa përcjelljen e ndonjë familjari, i kishte thënë gruas se po hynte në banjo, ndërkohë që i kishte kërkuar që t’ia bënte edhe një kafe. Por, nuk u kthye për ta pirë atë. Në fakt, ishte nisur drejt rrugës fatale për të, urës së lumit Erenik, 50 metra larg shtëpisë së tij, nga e cila kërceu të premten, rreth orës 16:00.

“S’kemi menduar që ka qenë në gjendje të bëjë vetëvrasje, edhe pse ka thënë ndonjëherë që s’ia vlen kjo jetë”, thotë djali i Mustafë Haxhisë.

Gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë së lumit Erenik, kur i moshuari ka arritur që për rreth pesë minuta të kalojë rrethojat e lumit dhe të kërcejë.

Njëri nga djemtë e tij thotë se nuk ka mundur t’u besojë syve kur nga incizimi e kishte parë babain duke ecur i vetëm, pasi i njëjti kishte lënguar në shtrat që nga paslufta, dhe se ai nuk lëvizte pa ndihmën e shkopit.

Mustafë Haxhia, i cili kohë pas kohe vuante edhe nga depresioni, kishte arritur që pas tri tentimeve të kalonte rrethojat e lumit dhe të kërcente. Fatkeqësisht, gjatë këtij momenti, në vendin e ngjarjes nuk ka kaluar asnjë qytetar.

Media gjatë ditës së sotme ka biseduar me djemtë e Haxhisë. Besimi, me të dëgjuar për babain e tij, kishte ardhur nga Zvicra. Ai rrëfen se si ndodhi ngjarja tragjike.

“I ka thënë nënës që 'po shkoj në banjo, ma bëj një kafe dhe do portokalla', edhe kur ka shkuar në banjo, është vonuar. Kanë shkuar ta shohin, se është vonuar rreth 20 minuta. Rrëzimi ka zgjatë rreth pesë minuta”, tregon Besimi.

Ai thotë se pasi babai ishte vonuar në banjo, familjarët e kanë kërkuar brenda dhe jashtë shtëpisë, por nuk e kanë gjetur.

“Kur nuk e kanë parë për rreth 15-20 minuta në shtëpi, e kanë kërkuar brenda e përrreth shtëpisë”, thotë ai.

Djali tregon se babai i tij kishte fituar depresion gjatë kohës së luftës, përderisa ka përdorur edhe terapi.

“Ka pasur depresion kohë pas kohe, ka qenë me terapi, një kohë të gjatë. Depresioni ka ardhur në kohën e luftës”, thotë Haxhia.

Ai beson se babai ndoshta edhe do t'i shpëtonte, sikur kamerat e sigurisë të shikoheshin deri në fund,  në momentin që ngjarja ishte raportuar në polici. 

Thotë se zhytësit ishin koncentruar ta kërkonin në vendin ku i moshuari kishte kërcyer, por pas rënies në lum, ai ishte parë duke notuar në anën tjetër të urës.

“Besoj që do të ishte shpëtuar, ama është pak problem. Kur e kanë shikuar vetëm xhirimin ku ka rënë, zhytësit janë koncentruar krejt kohën në vendin ku ka rënë. pas dy ditësh, e kemi këqyrë që baba ka rënë aty, por është parë në anën tjetër të urës, diku 30 metra ka lëvizur, ka notuar, pastaj kamera më nuk e ka kapur”, rrëfen Haxhia.

I moshuari, kohë pas kohe, bashkë me gruan, pesë vjet më te re, kanë kaluar kohë në kafiteritë afër urës së Erenikut.

Që nga dita e premte, trupi i tij po vazhdon të kërkohet nga Forca e Sigurisë së Kosovës, në ujë dhe rreth lumit Erenik. Në kërkim të tij janë angazhuar edhe policia dhe vullnetarë të tjerë.

Remzie Zeqiraj, oficere për marrëdhënie me publikun në Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, tha për Express se kërkimi është zhvilluar përgjatë 5 kilometrave të lumit Erenik, dhe se ende po vazhdon.

“Forca e Sigurisë së Kosoves në operacionin e kërkimit në lumin Erenik është angazhuar nga data 6 janar 2018, me 8 pjesëtarë të njësisë së Kërkim-shpëtimit në ujëra, dhe një automjet. Ndërsa, nga data 7 janar, vazhdimisht është e angazhuar me nga 12 pjesëtarë dhe nga dy automjete. Deri më tani, kur po ju shkruajmë, kërkimi ështe zhvilluar përgjate 5 kilometrave të lumit Erenik, dhe ende po vazhdon”, tha Zeqiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat