Zbulohen detajet e takimit të VV-së me emisarët e Francës e Gjermanisë, ja çka u bisedua

Aktuale

Zbulohen detajet e takimit të VV-së me emisarët e Francës e Gjermanisë, ja çka u bisedua

Nga: B.S Më: 11 janar 2018 Në ora: 10:14
Zyrat e VV-së

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar takim me emisarët franko - gjerman nga Bashkimi Evropian, të cilët kanë ardhur në Kosovë, pas tentimit të fundit për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Sot, përmes një komunikate për media, Vetëvendosje ka zbuluar temat për të cilat është diskutuar.

“Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s theksuan që punësimi dhe drejtësia, përkatësisht zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, për të gjithë e në gjithë territorin, janë vendimtare për shtetndërtimin e domosdoshëm dhe progresin aq të nevojshëm në Kosovë. Theks i veçantë në takim iu kushtua Gjykatës Speciale dhe çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. U përcollën qëndrimet e mirënjohura të Lëvizjes, mbi padrejtësinë e Gjykatës, mashtrimet e Presidentit Thaçi dhe gabimet e demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e VV-së, përcjellë "Bota sot".

Postimi i Vetëvendosjes në Facebook:

Dje pasdite, në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deputeti i Kuvendit dhe kandidati për kryetar të Lëvizjes, Albin Kurti, i shoqëruar nga nënkryetarja e VETËVENDOSJE!-s, Fatmire Kollçaku-Mulhaxha, kryetari i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca, deputetja e Kuvendit të Republikës, Fitore Pacolli, dhe drejtuesi i Komitetit profesional për politikat ekonomike dhe financiare, Prof. Besnik Bislimi, pritën në takim delegacionin franko-gjerman nga Bashkimi Evropian, të dërguarin e posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Dr. Christian Hellbach dhe shefin e Departamentit për Ballkan dhe Evropë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, z.Thomas Bertin, të shoqëruar nga ambasadori i Francës, Didier Chabert, dhe zëvendës-ambasadori i Gjermanisë, Jan-Axel Voss.

Në takim u diskutua për gjendjen aktuale politiko-institucionale dhe socio-ekonomike në Kosovë, për integrimet euro-atlantike, e për raportet midis vendeve të rajonit në Ballkanin perëndimor.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s theksuan që punësimi dhe drejtësia, përkatësisht zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, për të gjithë e në gjithë territorin, janë vendimtare për shtetndërtimin e domosdoshëm dhe progresin aq të nevojshëm në Kosovë.

Theks i veçantë në takim iu kushtua Gjykatës Speciale dhe çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. U përcollën qëndrimet e mirënjohura të Lëvizjes, mbi padrejtësinë e Gjykatës, mashtrimet e Presidentit Thaçi dhe gabimet e demarkacionit me Malin e Zi. Të dy palët, shprehën interesimin për kontakte të vazhdueshme e takime të tjera në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat