Krasniqi: Sadri Ramabaja po mbahet paligjshëm në paraburgim

Aktuale

Krasniqi: Sadri Ramabaja po mbahet paligjshëm në paraburgim

Më: 11 janar 2018 Në ora: 13:36
Ramiz Krasniqi

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka asnjë dyshim të bazuar se deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, ka përgatitur vrasje të përfaqësuesve të lartë dhe se mbajtja e tij në paraburgim konsiderohet e paligjshme.

Kështu deklaroi sot avokati i tij, Ramiz Krasniqi, në një konferencë për media.  

Ai tha se në këto rrethana nuk dihet nëse do të ketë seancë të radhës, teksa shtoi se pret që Prokuroria të reflektojë dhe të ndërpresë masën e paraburgimit për Ramabajën.

Krasniqi: Të ndërpritet masa e paraburgimit për Sadri Ramabajën

“Nuk di e di se a do të ketë seancë dhe po pres që kryeprokurori të përfundoj hetimet dhe  ndërpres masën e paraburgimit, sepse qëndrimi i mëtutjeshëm i tij në paraburgim është i paligjshëm dhe i pa arsyetueshëm. Asnjë arsye shtesë nuk është prezantuar as kur është arrestuar Ramabaja, as kur i është caktuar paraburgimi e as tani që po i vazhdohet paraburgimi”, tha ai.

Madje ai tha se përkundër asaj se prokurori ka adresuar 18 argumente gjatë marrjes në pyetje asnjë provë dhe asnjë dokument nuk i është prezantuar Ramabajës dhe mbrojtjes.

Krasniqi: Ramabajës nuk i është prezantuar asnjë provë nga Prokuroria

“Ajo që është esenciale në këtë rast është se Sadri Ramabajës gjatë marrjes në pyetje nuk i është shqiptuar asnjë dokument e asnjë provë. Ligji i procedurës përcakton qartë se kur i pandehuri merret në pyetje, atij duhet t’i prezantohet dokumentet dhe provat për atë që ai është arrestuar. Kështu në rastin e Sadri Ramabajës kjo nuk ka ndodhur dhe ne kur do të furnizohemi me këto prova nuk e dimë. Ne kemi kërkuar nga Prokurori që të paktën të pajisemi me diçka të tillë, mirëpo kjo nuk ka ndodhë. Posedon apo nuk posedon prova ne nuk e dimë”, tha ai.

Krasniqi theksoi se i gjithë fokusi i Prokurorisë është te parathënia e librit të Murat Jasharit, porse sqaroi se Ramabaja ishte vetëm redaktor i librit dhe se nuk kishte fare të bëjë me përmbajtjen e librit.

I pyetur se çfarë qëndron pas asaj se Ramabaja u arrestua jashtë Kosovës, duke u larguar nga vendi në kohën kur ndaj tij ishte ngritur aktakuza, Krasniqi tha se kjo nuk kishte të bënte me atë se klienti i tij ishte fajtor, porse ishte vendim i marrë pas disa informatash se ai dhe familja e tij ishin të kërcënuar.

Krasniqi: Ramabaja ka dashur të largohet nga Kosova e jo të arratiset

“Ajo s’ka qenë arratisje, vetëm ka dashur të largohet nga Kosova, sepse sipas Ramabajës, kur i njëjti ka qenë në Aeroportin e Prishtinës, i është afruar një person, i cili i është prezantuar si punëtor i AKI-së dhe i ka thënë se është mirë që të largohet nga Kosova për 2-3 muaj sepse është në rrezik jeta e tij dhe e anëtarëve të familjes. Kjo ka qenë arsyeja që Ramabaja ka dashur të largohet përkohësisht nga Kosova”, tha ai.

Sadri Ramabaja po mbahet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar për shkak se dyshohet për përgatitje të vrasjes së përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe përgatitje e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat