A e lëkund koalicionin Specialja. Flet Daut Haradinaj

Aktuale

A e lëkund koalicionin Specialja. Flet Daut Haradinaj

Më: 11 janar 2018 Në ora: 15:50
Daut Haradinaj

Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj, thotë se nuk e di nëse kreu i PDK’së, Kadri Veseli, është tërhequr nga përpjekja për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Sipas tij, Veseli e ka respektuar procedurën për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme pas mbledhjes së nënshkrimeve nga deputetët në muajin dhjetor. Haradinaj, mohon se një situatë e krijuar rreth kësaj gjykate ka lëkundur partnerin qeverisës.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, emri i të cilit shpesh herë është përfolur se gjendet në mesin e personave që pritet të akuzohen nga Gjykata Speciale, duke e komentuar një kolumne të gjatë të Veselit rreth zhvillimeve të fundit dhe tërheqjen mbrapa ndaj kësaj gjykate, thekson se nuk e di nëse kryetari i PDK’së mendon ndryshe sikurse në natën e 22 dhjetorit. Por, kujtoi se i njëjti e respektoi rregulloren në bazë të nënshkrimeve për thirrjen e seancës së Kryesisë së Kuvendit.

“E para që unë mundem ta them është se Kosova i ka pushtetet e ndara, ai i Legjislativit dhe në anën tjetër ajo e Ekzekutivit. Sa i përket qëndrimit të Kryetarit të Kuvendit unë nuk e di se ai ka ndërruar qëndrim.

Ai e ka respektuar rregulloren e kuvendit dhe procedurën e thirrjes së seancës në bazë të 43 nënshkrimeve”, u shpreh Haradinaj.

Ani pse me qëndrime tani të ndryshme rreth Gjykatës Speciale, Daut Haradinaj mohon se ka lëkundje të koalicionit me partnerin qeverisës. Qartëson se këto janë tema të ndara.

“Sa i përket qëndrimeve të partive te koalicionit këto janë tema të ndara dhe unë nuk shoh asnjë lëkundje të partneritetit qeverisës, pavarësisht se kjo temë është shumë serioze, ekzekutivi është i obliguar t’i respektoj vendimet e kuvendit”, ka sqaruar ai.

Zyrtari i AAK’së në vazhdimësi ka bërë të qartë se sikurse partia që i takon por edhe vetë ai, janë dhe do të mbeten kundër Speciales. Ka thënë se raportet me vendet mike nuk prishën aq lehtë.

Thirrje të vazhdueshme nga vendet mike, së fundmi edhe Departamenti i Shtetit u janë bërë liderëve kosovarë që të ndalohet përpjekja që të shfuqizohet Specialja.

E hiç më larg se dje, një delegacion franko – gjerman vizitoi liderët e vendit. Raportohet se Berlini e Parisi paralajmëruan lidershipin për pasoja të rënda për vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat