Tahiri: Shfuqizimi i ligjit për Specialen u takon deputetëve

Aktuale

Tahiri: Shfuqizimi i ligjit për Specialen u takon deputetëve

Më: 12 janar 2018 Në ora: 12:57
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha sot se nuk komenton për iniciativën e deputetëve për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, pasi që sipas tij kjo u takon vetëm deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Tahiri tha se ministër i Drejtësisë punon me ligjet aktuale që janë në fuqi, pra edhe me ato ndryshimet kushtetuese që janë bërë kur është miratuar Ligji për Gjykatën Speciale në gusht të vitit 2015.

Tahiri: iniciativa për shfuqizimin e Speciales u takon deputetëve

“Kjo është iniciativë politike e tyre dhe në asnjë rrethanë nuk do ta komentoj, por jam i obliguar të punoj konform ligjeve të  cilat dalin nga  Kuvendi i Kosovës. Kosova ka një sistem parlamentar  dhe ne si Qeveri i i përgjigjemi Kuvendit dhe deputetëve të Kuvendit dhe çdo miratim i çfarëdo ligji qoftë mua më obligon ta zbatoj”, tha Tahiri.

Ministri këtë deklaratë e dha sot në Gjilan ku ishte në një vizitë në Qendrën e Paraburgimit në këtë qytet me ç’rast ka vizituar ambientet e kësaj qendre si dhe është takuar edhe me drejtuesit e saj.

 Me këtë rast Tahiri tha se Qendra e Paraburgimit në Gjilan është shembull për të mirë ndërsa shumë shpejt premtoi se do të shpallet një konkurs edhe për rreth 40 oficerë korrektues për këtë qendër.

Tahiri: Do të ketë staf të ri për Qendrën e Paraburgimit në Gjilan

“Si ministër i Drejtësisë u zotova që  në një të ardhme shumë të afërt ashtu siq e kam theksuar edhe më herët do ti plotësojmë nevojat e tyre duke rrit numrin e gardianëve për këtë qendër që besoj se do të sillen 30-40 të rinj me anë të një procesi të rekrutimit. Po ashtu u zotova se do të jemi mjaft efikas në shpenzimin e buxhetit që kemi për pajisjet e sigurisë pra që ndërlidhen me sigurinë e kësaj qendre”, tha Tahiri.

Minsitri tha se viti 2018 do të jetë vit i avancimit të Shërbimit Korrektues ku siq tha ai është shembulli më i mirë në rajon por pavarësisht kësaj Tahiri thotë se edhe ato të meta do të zgjidhen.

Bashkë me ministrin Tahiri në Gjilan ishte edhe drejtori i Shërbimit Korrektues Sokol Zogaj, i cili shpreson se viti 2018 do të jetë vit i suksesit, fal siç tha ai “ministrit dhe kabinetit të tij”.

Zogaj: Me ndihmën e ministrit do të kemi sukses

“Ministri i ka vizituar edhe disa qendra tjera korrektuese dhe ka premtuar që të rritet buxheti … ka paraparë që t’i vizitojë edhe qendrat tjera dhe besoj që viti 2018 do të jetë vit i suksesit, vit që do të dallojë prej viteve tjera, fal angazhimit të ministrit dhe kabinetit të tij”, tha Zogaj.

Qendra e Paraburgimit në Gjilan ka kapacitet prej 300 vendesh, por prej hapjes së saj janë vendosur më pak se 100, për shkak të mungesës së stafit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat