Reagojnë familjet Zemaj, Tolaj e Haklaj për deklaratat e dëshmitarit, thirrje Prokurorisë për hetime

Aktuale

Reagojnë familjet Zemaj, Tolaj e Haklaj për deklaratat e dëshmitarit, thirrje Prokurorisë për hetime

Nga: G.B Më: 12 janar 2018 Në ora: 13:07
Disa nga viktimat e vrasjeve të pas luftës

Familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj kanë reaguar pas dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti.

Përmes një deklarate të përbashkët, familjet janë shprehur të tronditura lidhur me deklaratat dhe pretendimit e dëshmitarit, përcjell Bota sot.

Ato janë shprehur të indinjuara për neglizhencën e zyrtarëve të shtetit, karshi deklaratave të dëshmitarit.

Familjet Zemaj, Tolaj e Haklaj i kanë bërë thirrje prokurorisë së shtetit që të marrë seriozisht pretendimet e dëshmitarit.

Kjo është deklarata e plotë:

Deklaratë e përbashkët e familjeve Zemaj, Tolaj dhe Haklaj

Dje, më datë 11 janar 2018, në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, është transmetuar dëshmia e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, ku janë dhënë dëshmi tronditëse për krime të pandriçuara në Kosovë.

Në dëshminë e tij, z. Mehmeti, ndër të tjera, ka dhënë informacione që lidhen me vrasjen e Kolonel Tahir Zemajt si dhe të dy policëve hetues, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, duke dëshmuar për motivet që çuan urdhërdhënësit për porositjen e këtyre vrasjeve si dhe duke apostrofuar emra që mund të jenë të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve.

Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherit i dënuar për krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë, Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj.

Por, ajo që na ka shqetësuar pa masë është dëshmia e tij në lidhje me neglizhencën e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të tij.

Jemi thellësisht të indinjuar që pavarësisht pretendimeve të dëshmitarëve të mundshëm që do të çonin në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por edhe të shumë krimeve të tjera të kryera në Kosovë me motive politike, prokurorët nuk kanë bërë sa duhet për ta përmbushur obligimin e tyre konform standardeve etike dhe profesionale, duke i lënë këto raste në mëshirën e fatit.

Familjet tona ftojnë Prokurorinë e Shtetit që t’i marrë shumë seriozisht të gjitha pretendimet e këtij dëshmitari dhe dëshmitë e tjera eventuale dhe t’i trajtojë ato me seriozitet, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar.

Me respekt,

Familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat