Murati thotë se ishte në hall kur ia caktuan zv/ministrin e dytë, s’ka punë për më shumë se një

Aktuale

Murati thotë se ishte në hall kur ia caktuan zv/ministrin e dytë, s’ka punë për më shumë se një

Më: 13 janar 2018 Në ora: 00:54
Valon Murati

Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, e ka kritikuar Qeverinë Haradinaj, për numrin e madh të zëvendësministrave. E ka dhënë praktikën e tij nga mandati i kaluar, kur ka thënë se ishte vënë në siklet kur në ministrinë e tij ishte emëruar edhe zëvendësministri i dytë.

“Kur ka ardhur zëvendësministri i dytë në Ministrinë e Diasporës kam ra në hall. Çfarë t’i japë për të punuar. Nuk ka Ministri në Kosovë që ka nevojë për më shumë se dy zëvendësministra. Hajt po themi Ministritë e mëdha, si ajo e Jashtmja, e Arsimit e të tjera mund të kenë nga dy zëvendësministra, por të gjitha të tjerat duhet ta kenë vetëm nga një”, ka thënë Murati në “Interaktiv”.

Çështja tjetër, sipas tij, është që zëvendësministri duhet të jetë pjesë e zgjedhjes së vetë ministrit, e jo marrëveshje politike e direkt nga Kryeministri.

“Sepse vetëm të vijnë në zyre. E kujtoj se unë kam qenë jashtë vendit kur në një portal e kam parë që është emëruar zëvendësministri i dytë, e në vendim shkruhej se zgjedhja është bërë me pajtim të Ministrit. Zëvendësministri duhet të jetë i zgjedhur nga ministri, sepse përndryshe mund të jemi jo kompatibil qoftë në qasje, qoftë në program politik, e mos të harrojmë se duhet krijuar edhe besim i ndërsjellë”, ka thënë Murati.

Aktualisht Ministra e Diasporës, së cilës i është shtuar edhe “Investimet Strategjike”, ka për ministër Dardan Gashin me hiç më pak se 4 zëvendës. Në gjithë Qeverinë janë fiks 71 zëvendësministra.

Për Muratin ata jo vetëm që nuk kanë punë, por edhe janë barrë e madhe e buxhetit të shtetit.

“Ministritë janë të krijuara ashtu që shumicën e punëve t’i kryejnë shërbyesit civilë. Çka bëjnë drejtorët e Departamenteve e Divizioneve nëse në ato punë përzihen zëvendësministrat”, ka thënë Murati.

Në këtë vazhdë, Murati e ka quajtur arrogancë rritjen e pagës së vetë nga kryeministri aktual, Ramush Haradinaj.

“Edhe kjo rritja e pagës ishte nga një arrogancë në tjetrën. Ligjin për Qeverinë nuk e do askush sepse pastaj nuk do të mund të bëheshin këto gjëra. Aty do të mundë të precizohej numri i zëvendësministrave dhe mbase edhe i këshilltarëve. Kësisoj do të kishte logjikë edhe rritja e pagave”, ka thënë Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat