Shpend Ahmeti nuk shkon në mbledhje, Kurteshi: Nga VV shkojnë ata që dëshirojnë të jenë mbi statutin

Aktuale

Shpend Ahmeti nuk shkon në mbledhje, Kurteshi: Nga VV shkojnë ata që dëshirojnë të jenë mbi statutin

Më: 14 janar 2018 Në ora: 14:03
Vetëvendosje

(E plotësuar) -Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, është shprehur i bindur se me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Lëvizjes Vetëvendosjes, strukturat e kësaj lëvizje do të jenë më vitale, më aktive dhe më të përgjegjshme.

Kurteshi këto komente i bëri në Këshillin e  Qendrës së Prishtinës, ku morri pjesë edhe kandidati për kryetar të Lëvizjes Albin Kurti, por jo edhe Shpend Ahmeti. Ky i fundit mungoi edhe dje kur Kurti prezantoi platformën e tij.

Ndërkohë, të pranishmëve iu drejtua vetëm Kurteshi, i cili tha se është i sigurt që nuk do t’i zhgënjejnë qytetarët e Kosovës përkundër mosmarrëveshjeve të fundit që i kanë pasur brenda partisë.

Kurteshi ka folur edhe për mosmarrëveshjet që e kanë karakterizuar këtë parti muajt e fundit, ku disa anëtarë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në Vetëvendosje.

Kurteshi: Nga VV do të shkojnë ata që nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me konkurrencën

“Këto mosmarrëveshje ose do të tejkalohen ose nga Lëvizja do të shkojnë vetëm ata të cilët nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me konkurrencën e cila parashihet me statutin e Lëvizjes, ata të cilët nuk janë të gatshëm t’i respektojnë procedurat dhe statutin e Lëvizjes, sepse një gjë e tillë është e domosdoshme për ne si aktivistë. Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi dhe përherë e kemi ngritur zërin se ne e duam Kosovën shtet ligjor dhe nuk e dëshirojmë askënd të jetë mbi ligjin. Për secilën organizatë politike, e në këtë rast edhe për Lëvizjen Vetëvendosje vlen kjo që askush nuk është mbi ligjin, e brenda organizatës sonë nuk mund të lejojmë që dikush të jetë mbi statutin. Pra, të gjithë ne do të duhej që patjetër t’i respektojmë këto norma të cilat vetë i kemi aprovuar dhe natyrisht që edhe vetë do t’i respektojmë”, tha ai.

Procesin zgjedhor për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Kurteshi e ka quajtur proces të rregullt dhe se në përputhje të plotë me statutin kanë shpallur zgjedhjet e brendshme.

Secili anëtarë i LVV-së sipas Kurteshit, ka të drejt të votojë i lirë dhe i pandikuar për kandidatin e vetëm për kryetar të Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Anëtarët në fletëvotim do të kenë mundësi të votojnë për, kundër apo edhe të abstenojnë.

Kurteshi: Secili anëtar të votoj i lirë dhe i pandikuar

“Secili anëtar i LVV-së ta shfrytëzoj të drejtën e vetë, por natyrisht t’i krijohen kushte që ai të votoj i lirë dhe i pandikuar dhe secili prej atyre që do të votojnë në fletëvotim do të ketë mundësi të votojnë për, kundër ose të abstenojnë. Natyrisht, nëse pas numërimit të votave, nëse kandidati nuk i ka fituar mbi 50 përqind të votave, i tërë procesi do të përsëritet. Me këtë dëshiroj të them që procesi ka qenë demokratik, ka qenë në përputhje me statutin dhe se sigurisht ne do ta kemi nesër një kryetar i cili në radhë të parë i ka respektuar normat statutore, i ka respektuar të gjitha procedurat. Bazuar në këtë edhe do të jetë kryetar legjitim i Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e ardhshëm”, tha ai.

Zgjedhjet e brendshme për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje erdhën si pasojë e dorëheqjes së ish-kryetarit Visar Ymeri, ai ka dhënë dorëheqje pas disa mosmarrëveshjeve që kishin brenda partisë.

Në aktivitetin i cili është mbajtur në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhje të brendshme në Lëvizje, nuk është parë kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Ahmeti nuk ka qenë as dje kur kandidati për kryetar Albin Kurti ka prezantuar platformën e tij udhëheqëse.

Ndërsa, aty janë parë përveç kandidatit Albin Kurti edhe deputetët Albulena Haxhiu, Adem Mikullovci, Smail Kurteshi  dhe Xhelal Zveçla.

Zgjedhjet për udhëheqësin e Vetëvendosjes do të mbahen më 21 janar, pra të dielën e ardhshme dhe kandidati i vetëm për kryetar Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka paraqitur platformën e tij qeverisëse nëse vije në krye të LVV-së.

Image

***

Këshilli i Qendrës së Prishtinës, i Lëvizjes Vetëvendosje ka filluar mbledhjen, e cila po mbahet në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhje të brendshme në Lëvizje, ku nuk është parë edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ahmeti nuk ka qenë as dje në kur kandidati për kryetar Albin Kurti ka prezantuar platformën e tij udhëheqëse.

Aty po merr pjesë kandidati për kryetar Albin Kurti, pastaj Albulena Haxhiu, Adem Mikullovci, Smail Kurteshi, e të tjerë.

VV po mban mbledhjen e Këshillit të Qendrës së Prishtinës

Në kuadër të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje, po mban mbledhjen e Këshillit të Qendrës së Prishtinës.

Përndryshe, kandidati për të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje ka shpalosur platformën e tij qeverisëse në krye të LVV-së, ku ka theksuar se ka pasur dëshirë që të ketë një kundër-kandidat.

Kurti ka shpalosur se cilat janë tri shtyllat në të cilat qëndron subjekti, të cilin dëshiron ta udhëheq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat