Masakra e Reçakut vërtetoi botës për gjenocidin serb në Kosovë

Aktuale

Masakra e Reçakut vërtetoi botës për gjenocidin serb në Kosovë

Më: 15 janar 2018 Në ora: 15:22
Përvjetori i masakrës së Reçakut

Me rastin e 19 vjetorit të masakrës së Reçakut, është theksuar nevoja që drejtësia të vihet në vend për njërën ndër masakrën më të mëdha në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Reçaku u bë emër i njohur në tërë botën dhe se hyri në historinë moderne të Kosovës si fakt dhe simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot.

Thaçi tha se në Reçak u vërtetua edhe më mirë politika serbe e terrorit sistematik, e gjenocidit shtetëror dhe krimit kundër njerëzimit, ndërsa tha se mëngjesi i 15 janarit 1999 ishte i rëndë për tërë Kosovën.

Thaçi: Brenda këtyre dhjetë vitesh kemi arritur shumë

“Së shpejti do të kremtojmë 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Brenda kësaj dekade janë shënuar të arritura të jashtëzakonshme në procesin e shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të pavarësisë. Kosova është tregim i suksesshëm i bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës dhe përkrahjes ndërkombëtare. Jemi bërë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, shtet demokratik, ku çdo qytetar është i barabartë, pa dallim etnie, kulture apo religjioni. Miqësinë e ndërtuar me miqtë dhe aleatët tanë, në kohë të vështira dhe në ditët e mira,  me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e BE-së, e ruajmë dhe e kultivojmë si vlerë të përhershme”, tha presidenti Thaçi.

Ai tha se do të jenë në lartësi të përgjegjësive institucionale që sa më parë ta heqin izolimin për qytetarët.

Presidenti Thaçi vlerësoj lart edhe ish ambasadorin e OKB-së, William Walker  për të cilin tha se emërtimi i krimit me emërimin e vërtet ishte një akt sensibilizues i çështjes së Kosovës.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke iu drejtuar familjarëve të të vrarëve tha se këtë ditë e ndan dhe e kujton me shumë respekt.

Haradinaj: Deri në liri kemi shumë dhimbje

“Kur jam këtu, e di që jam në Krushë, që jam në Meje, që jam çdo kund në Kosovë. Rruga jonë e lirisë nuk ka qenë e lehtë. Deri në liri kemi shumë dhimbje, shumë vuajtje, shumë flijime, njëkohësisht edhe rruga jonë për shtetin e Kosovës nuk është e lehtë, por nëse besojmë në të drejtën tonë ja dalim dhe do t’i mbetemi çdoherë besnik të drejtës sonë. Lavdi e përjetshme!”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se janari është muaji i rënieve të mëdha dhe i dhimbjeve të mëdha.

Veseli ka thënë se edhe pse pas 1 muaji festohet 10 vjetori i pavarësisë së Kosovës, sipas tij një gjë duhet të mbahet mend se Beteja e Reçakut ende nuk ka përfunduar.

Veseli: Ky është turp për drejtësinë ndërkombëtare

“Ky është turp për drejtësinë ndërkombëtare, mosndëshkimi i kriminelëve po tregohet tepër inkurajues për ta për tu kthyer prapë në vendin e krimit. Së fundi njëri prej tyre, lëshoj edhe disa kërcënime duke thënë se po ndërtojnë edhe sisteme raketore me rreze veprimi që kapin gjithë territorin e Kosovës dhe prapë bashkësia ndërkombëtare qëndron e heshtur. Le të kërcënojnë sa të dojnë, një gjë duhet ta mbajmë mend secili, kurrë më Serbia nuk ka për tu kthyer në Kosovë. Dhe një mesazh është po ashtu për Serbinë plakë, mos ta provojnë edhe një herë të kthehen se më nuk do të ndalemi deri në Nish”, tha Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka shtuar se nuk mund të ketë drejtësi ndërkombëtare pa u vendosur drejtësia për Reçakun, si dhe për masakrat tjera të kryera në Kosovë gjatë luftës. Ai tha se nuk ka drejtësi ndërkombëtare aty ku synohet të vendoset barazimi në mes agresorit dhe viktimës.

Veseli tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet unike në pastërtinë e kauzës dhe luftës së saj dhe se çdo përpjekje që përmes Gjykatave të deformohet karakteri i saj, paraqet një sfidë të madhe për të gjithë.

I pranishëm në këtë akademi përkujtimore ishte edhe ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili ka mbajtur një fjalim duke thënë se ka qenë në çdo përvjetor kur i është dhënë mundësia për të bërë homazhe në Reçak, por që ka vetëm tre vjet që atje sheh liderët kosovarë.

Walker, më tej një lule të cilën sot e morri si dhuratë në Reçak, nga një vajzë e vogël, ia ka dhuruar presidentit Thaçit me porosinë që ta mbajë në zyrë si kujtim për viktimat e Reçakut.

Ëalker: Këtë lule dëshiroj t’ia dhuroj presidentit

“Një vajzë e vogël, mbesa apo stërmbesa e një nga të rënëve erdhi dhe më dha një dhuratë të vogël të bukur, më dhuroj një lule. Dhe me lejen tuaj këtë lule dua të ja pasoj presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim që ai ta mbajnë në një libër në zyrën e tij dhe që gjithmonë të përkujtohen të rënët e masakrës së Reçakut”, tha ai.

 Në emër të shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari tha se ndjehen mirë që përkujtojnë luftën e drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jashari: jemi bashkë për të treguar se kush ka bërë krime në Kosovë

“jemi bashkë për të treguar se kush ka bërë krime në Kosovë, pra krimet në Kosovë kanë bërë ushtria, policia dhe shteti Serb. Andaj, i ftojmë të gjithë ata në çfarë do pozicioni që janë që këtu e tutje mos të lejojnë spektakle të tilla të cilat po mundohen gjatë gjithë periudhës së pasluftës duke inskenuar madje edhe drejtësia ndërkombëtare në emër të drejtësisë po bëhet padrejtësi. Gjykata speciale dihet për kënd bëhet, për ata që kanë bërë krime, për ata që kanë bërë masakra dhe jo për luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së”, tha ai.

Në këtë akademi përkujtimore në fund me një kronologji të pranishmëve iu drejtua Fehmi Mujota, i cili tregoj se çfarë kishte ndodhur në 15 janarin e 1999.

Ndërsa gjatë ditës qytetarë nga Reçaku, Shtimja dhe mbarë Kosova kanë bërë sot homazhe në fshatin Reçak të Shtimes ku para 19 vitesh është kryer njëra ndër masakrat më të mëdha në Kosovë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat