Reuters shkruan për vrasjen e Ivanoviq: Është njohur si politikan i moderuar

Aktuale

Reuters shkruan për vrasjen e Ivanoviq: Është njohur si politikan i moderuar

Më: 16 janar 2018 Në ora: 12:37
Oliver Ivanoviq

Për vrajsen e liderit të Iniciativës Qytetare, Oliver Ivanoviq, ka raportuar edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.

“Lideri serb në Kosovë Oliver Ivanoviq, i cili po përballej me procese gjyqësore për vrasjen e shqiptarëve gjatë viteve 1998-99, është qëlluar për vdekje jashtë zyrës së tij në veri të Mitrovicës të martën, ka thënë një prokuror”, shkruan Reuters.

Agjencia shkruan se si shenjë proteste ndaj vrasjes, Serbia ka raportuar se do të anuloj raundin e ri të dialogut me Prishtinën të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian.

Me këtë rast, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiqi ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

“Mund të konfirmoj se Oliver Ivanoviq ka vdekur si pasojë e të shtënave. Hetuesit janë në vendngjarje”, ka thënë për Reuters prokurori nga Mitrovica, Shyqyri Syla.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian e ka dënuar vrasjen e Ivanoviq, duke bërë thirrje që të mbahet qetësia.

“Ne presim që autoritetet relevante për sundimin e ligjit në Kosovë të mos kursejnë përpjekje për të gjetur kryesit dhe t’i vënë para drejtësisë pa vonesë”, ka thënë zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijancic.

Reuters shkruan se Ivanoviq është njohur si politikan i moderuar në Kosovë. Ai ka qenë ndërmjetësues i NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian të cilët ishin vendosur në Kosovë, pas luftës.

Në vitin 2016 ai është shpallur fajtor për krime lufte, nën akuzat për vrasje të shqiptarëve gjatë luftës dhe ishte dënuar me 9 vjet burg. Por, pas apelimit të vendimit ai është liruar vitin e kaluar dhe i është lejuar që të mbrohet në liri.

Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, vrasjen e Ivanoviqit e ka quajtur “akt terrorizmi”.

“Ky është një akt kundër të gjithë popullit serb, një akt kriminal dhe terrorist që duhet të dënohet”, ka thënë Gjuriq, i cili ishte duke ndjekur dialogun në Bruksel.

Reuters shkruan se rreth 50 mijë serbë jetojnë në veri të Kosovës dhe se ata refuzojnë integrimin e tyre në shtetin me shumicë shqiptare, që e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, shkruan Periskopi.

Raportet mes Serbisë e Kosovës kanë qenë të tensionuara që nga vitit 2008, por në vitin 2013 palët janë pajtuar për të dialoguar në Bruksel, si përpjekje e normalizmit të raporteve, dhe si kusht i BE-së që dy shtetet të shënojnë progres drejt anëtarësimit në bllokun evropian.

Reuters shkruan se Ivanoviq ka banuar në qytetin e ndarë të Mitrovicës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat