VV do të dërgojë në Kushtetuese çështjen e rritjes së pagës së kryeministrit

Aktuale

VV do të dërgojë në Kushtetuese çështjen e rritjes së pagës së kryeministrit

Më: 16 janar 2018 Në ora: 14:16
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se kjo parti do të dërgojë në Kushtetuese çështjen e rritjes së pagës së kryeministrit.

“Është e padrejtë që me ia rrit vetës pagën nga 1 mijë në 3 mijë euro, kur e kemi gjithë këtë varfëri në Kosovë”, tha Haxhiu.

Ajo këto komente i bëri në takimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ku është diskutuar Projektligji nr. 06/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës.

Kundër këtij projektligji kanë votuar kryetarja e Komisionit Albulena Haxhiu dhe Sami Kurteshi nga VV, Hajdar Beqa nga PDK, Shkumbin Demaliaj nga AAK, Korab Sejdiu, Arben Gashi nga LDK dhe Bilall Sherifi nga Nisma kanë votuar për.

Kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha se është vetëm një nen që ka të bëjë me mos kufizimin e benefiteve apo privilegjeve që i gëzon pas mandatit.

“Presidenti të gëzoj zyre, një shofer, një truproje dhe një asistente. E kam kundërshtuar, dhe vazhdoj ta kundërshtoj”, tha ajo.

Arben Gashi nga LDK tha se këto shqetësime i kanë pasur vazhdimisht.

“Beneficionet mendoj se presidenti duhet të ketë mundësi një vend ku do të merrej me çështje të caktuara. Në krahasim me pozitat tjera, kjo pozitë ka qenë e keqtrajtuar. Mendoj se ky ligj duhet të përkrahet dhe mendoj se ish-presidenti nuk mund të lihet pas tri viteve jashtë. Mendoj se duhet t’i vazhdohen këto mundësi pune ish-presidentit apo presidentit që të vazhdojë punën”, tha ai.

Sami Kurteshi nga LVV u shpreh parimisht kundër formës së ndryshimit të projektligjit, pasi sipas tij në Kosovë po personalizohen ligjet në bazë të fuqive politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat