Kjo është gjendja në Mitrovicë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Aktuale

Kjo është gjendja në Mitrovicë, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Më: 16 janar 2018 Në ora: 14:38
Policia e Kosoves

Akoma nuk ka asnjë detaj të ri sa i përket vrasjes së politikanit malazez në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviq.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, zëvendëskomandanti i stacionit të policisë në veri të Mitrovicës, BesimHoti dhe zëdhënësi i stacionit të policisë në jug të Mitrovicës, Avni Zahiti, kanë ripërsëritur të njëjta deklarata që i kanë dhënë menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, se Ivanoviq është qëlluar nga një veturë në lëvizje dhe se kjo veturë është gjetur e djegur në Lagjen e Doktorëve në veri të Mitrovicës.

Mirëpo,ajo që duhet theksuar është se deri tash nuk ka reagime të të qytetarëve serbë që do ta tensiononin situatën, siç veprohej zakonisht përpara,duke i akuzuar apriori shqiptarët. Madje, përreth vendit ku ka ndodhur vrasja, nuk ka as grumbullime të qytetarëve serbë, ndërkohë që lëvizja e qytetarëve shqiptarë nga lagjet veriore po bëhet pa ndonjë problem.

Madje edhe reagimet e politikanëve serbë nga Mitrovica veriore lidhur me rastin janë të rralla dhe të matura. Një shqiptar që jeton në pjesën e qytetit ku ka ndodhur vrasja (emri i njohur për redaksinë), tha se situata është plotësisht normale madje edhe më e qetë se ditëve të tjera.

“Asnjë reagim, asnjë tubim dhe as një lëvizje jonormale nuk ka pas që nga mëngjesi e deri tash. Si duket, politikanët serbë kanë indikacione se kush mund ta ket bërë vrasjen, e që besohet se ajo është bërë për qërim hesapesh politike e të tjera ndërmjet grupeve rivale. Edhe para katër vjetësh, pikërisht në datën e sotme ishte vra bashkëpunëtori i ngushte i Oliever Ivanoviqit, Dimitrije Janiqijeviq, i cili ishte kandidat i Iniciativës qytetare të Ivanoviqit, për kryetar të Mitrovicës Veriore, në zgjedhjet e para të organizuara nga institucionet e Kosovës”, tha burimi.

Ndërkaq, zëdhënësi i stacionit jugor të policisë, Avni Zahiti, tha se situata është e qetë dhe normale edhe në pjesën jugore të qytetit, ndërkohë qe edhe policia është duke bërë punën e vet normalisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat