Dëshmitari: Dy persona me maska e kanë marrë të ndjerin Selman Binishi

Aktuale

Dëshmitari: Dy persona me maska e kanë marrë të ndjerin Selman Binishi

Më: 16 janar 2018 Në ora: 17:07
Pamje nga gjykimi

Në seancën e sotme të gjykimit të Fatmir Limajt për krime lufte ka dëshmuar edhe Muhamed Hoxha, i cili para trupit gjykues ka rrëfyer për rastin e vitit 1998, ku dy persona të maskuar kishin hyrë në dyqanin e tij dhe kishin marrë me vete të ndjerin, Selman Binishin.

“Dy personat që janë futur brenda në shitore kanë qenë më rroba të zeza ndërsa për 3 personat e tjerë nuk më kujtohet çfarë rroba kanë pasur por dy personat që janë futur në shitore kanë pasur maska, ndërsa njëri nga ta ka pasur gaz-maskë në kokë. Nuk më kujtohet nëse kanë pasur ndonjë shenjë apo logo identifikuese”, ka thënë dëshmitari Muhamed Hoxha.

Dëshmitari Muhamed Hoxha tregon bisedën e fundit që kishte pasur me të ndjerin Selman Binishi.

Sipas dëshmisë së tij, i ndjeri Binishi këta persona i kishte parë pak çaste më parë, të pamaskuar.

“Kur këta personat kaluan me shpejtësi të ngadalshme ka dyqani, shikimin e patën nga ne brenda, pastaj pasi kaluan, i ndjeri Selmani ka dal te dera e dyqanit i ka shiku kah po shkojnë, është kthyer sërish brenda dhe ka thënë: këta persona i pash të pamaskuar të shpija e Zeqë Likanit, i cili e ka shtëpinë jashtë fshatit Bellanicë”, tha në dëshminë e tij dëshmitari Hoxha.

Dëshmitari tha se personat e maskuar para se ta merrnin me vete Selman Binishin e kishin goditur prapa kokës.

Në gjykimin për krime lufte ndaj Fatmir Limajt sot kanë dëshmuar edhe Azem Syla, Naim Maloku e Sokol Dobruna.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale, Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Fatmir Limaj i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat