Përfshihet edhe KFOR-i në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit!

Aktuale

Përfshihet edhe KFOR-i në zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit!

Më: 16 janar 2018 Në ora: 18:37
KFOR

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka bërë të ditur se i ka vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat e shtetit që akterët e vrasjes së liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq, të kapen sa më parë për krimin e bërë.

Sefaj, po ashtu ka njoftuar se po MPB, Policia e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë po bashkëpunon edhe me KFOR-in për zbardhjen e këtij rasti.

“Institucionet e vendit duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Kryeministria, Policia e Kosovës, Ministria e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që këtij akti kriminal t’i japim sa më shpejtë një epilog. Gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe institucionet tjera ndërkombëtare në Kosovë”, ka thënë Sefaj përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Reagimi i tij i plotë:

Me t’u njoftuar me aktin kriminal që ndodhi sot në veri të Kosovës, si rezultat i të cilit u vra Oliver Ivanoviq, kam vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat e shtetit që akterët e këtij krimi të kapen sa më parë. Në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, e cila që nga momenti i parë është në vendin e ngjarjes dhe së bashku me mekanizmat tjerë relevantë të sigurisë dhe në koordinim me organet e ndjekjes jemi duke e trajtuar në mënyrë më serioze aktin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Institucionet e vendit duke filluar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Kryeministria, Policia e Kosovës, Ministria e Drejtësisë, jemi të përkushtuar që këtij akti kriminal t’i japim sa më shpejtë një epilog. Gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe institucionet tjera ndërkombëtare në Kosovë.

Institucionet e Kosovës posedojnë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të hetuar këtë rast, si dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat