MPJ konfirmon kërkesën e Vuçiqit për vizitë në Kosovë

Aktuale

MPJ konfirmon kërkesën e Vuçiqit për vizitë në Kosovë

Më: 17 janar 2018 Në ora: 07:35
Aleksandar Vuçiq

Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi sonte se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë kërkesë për ta vizituar Kosovën më 20 dhe 21 janar, të shtunën dhe të dielën.

Jetlir Zyberaj, shef i stafit i Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, tha për KALLXO.com se kërkesa tashmë ka ardhur në Prishtinë.

“MPJ të martën ka marrë kërkesën nga Presidenti serb për të hyrë në Kosovë në datat 20 dhe 21. MPJ bashkë me institucionet relevante është duke e shqyrtuar dhe pritet që të mërkurën ministri Pacolli ta marrë vendimin”, tha Zyberaj.

Sipas tij, në kërkesë, Vuçiq planifikon të qëndrojë në veri të Kosovës dhe në Graçanicë.

Në një deklarim për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të Serbisë Vuçiq paralajmëroi mundësinë e ardhjes në Kosovë pas ngjarjes së sotme në Mitrovicën Veriore, ku në një atentat u vra politikani Oliver Ivanoviq.

Në një konferencë për media pas takimit të Këshillit të Sigurisë të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i pyetur lidhur me paralajmërimin e presidentit serb për një vizitë në Kosovë, tha se çdo vizitë për të komunikuar me komunitetin serb e që ka qëllime të mira ne nuk kemi qenë asnjëherë kundër.

“Nuk ka pse të shqetësohet askush për gjendjen e sigurisë të qytetarëve serbë të Kosovës sepse institucionet e Kosovës janë në nivel të detyrës, duke shtuar këtu faktin se kemi edhe KFOR-in, i cili bën brezin e tretë të sigurisë. Ka pasur vizita të tilla dhe mund të ketë por qytetarët e veriut garancë për sigurinë e tyre kanë institucionet e vendit”, theksoi Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat