“Qeverinë Haradinaj e formoi Serbia, duhet rrëzuar me çdo çmim”

Aktuale

“Qeverinë Haradinaj e formoi Serbia, duhet rrëzuar me çdo çmim”

H.Orana Nga H.Orana Më 17 janar 2018 Në ora: 13:53
Qeveria Haradinaj

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj duke numëruar të bëmat e qeverisë aktuale, ai e ka quajtur si një qeveri skandaloze që duhet të bjerë patjetër. Ai ka thënë se kjo qeveri ka rritur numrin e veteranëve për të fituar vota, para dhe për të mbrojtur ‘komandantët kriminele’ nga arrestimi i mundshëm. Madje ai ka përmendur edhe shumëfishimin e numrit të ministrave e zëvendësministrave për nevoja vetanake.

“Janë krerët kriminelë të PAN-it që shumëfishuan shifrën e "veteranëve", për të fituar në para dhe vota si dhe për të pasur një shoqatë numerike të "veteranëve", për t`i mbrojtur "komandantët" kriminelë, nga arrestimi i mundshëm dhe shantazhimin dhe kërcënimin e popullit të Kosovës, për të gjitha rastet, që pushtetarëve aktualë "u shkon për shtati". Shumësia e ministrive, zëvendëskryeministrave dhe, sidomos, zëvendësministrave, është një krim politik dhe ekonomik, që bëhet për interesa vetëjake, të kupolës aktuale shtetërore e pushtetare. Kjo ngjason me hapjen e universiteteve të Hashimit, për të fituar vota, duke nxjerrë kuadro mediokër, jashtë logjikës në kohë dhe hapësirë”, thotë Zeqiraj.

Ai ka thënë poashtu se tentim-shfuqizimi i Gjykatës Speciale do të ishte një vetëvrasje fizike dhe morale e Kosovës, e që sipas tij u bë nga ‘trinomi’ Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, me bandën e tyre të deputetëve.

Image
Idriz Zeqiraj

“Trinomi shtet-rrënues: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, me bandën e tyre të deputetëve, shumica syrësh të inkriminuar, si dhe të bandës, gjithnjë rezervë, "veteranët" e rrejshëm masiv, nismuan kërkesën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Nën slloganet bajate, të rrejshme se, kinse,  "po sulmohet UÇK-ja", "luftëtarët e saj", "vlerat e luftës", "Kosova", ata duan ta mbrojnë vetën, sepse me SHIK-un e tyre kriminal e terrorist, kanë përgjakur, anepërtej Kosovën, duke ekzekutuar bijtë më të mirë dhe luftëbërës të popullit. Shfuqizimi i mundshëm i Gjykatës Speciale, do të ishte vetëvrasja fizike e morale e Kosovës. Kundërvënia Amerikës dhe Evropës, ka për qëllim lidhjen me bllokun lindor-majtist, të prirë nga Rusia. PAN-i ka qenë dhe mbetet, tërësisht, në kampin majtist-komunist ruso-sllavë. Djathtizmii i tyre është demagogji e shpëlarë”, thekson Zeqiraj.

Sipas tij, rritja e pagave enorme, nga kryeministri fodull, për vete dhe bashkëpunëtorët pushtetarë, përbën një krim në vete.

“Lluksi i shfrenuar, siç janë pushimet e kreministrit, në vendin më të shtrenjtë në botë, Sant Moritz të Zvicrës, janë dëshmi e papërgjegjësisë dhe abuzimit të vrazhdët me pushtetin. "Ruajna Zot prej zinxhinit të ri", - thotë populli. Makro-gënjeshtra e kryeministrit se "unë kam shpenzuar vetëm 7 mjë euro", ndërkohë që hulumtimi në bazë dëshmon për 67 mijë euro të shpenzuara, janë një tjetër dëshmi, se Ramush Haradinaj duhet ta dorëzojë pushtetin e pamerituar dhe të përgjigjet penalisht për vjedhjen zyrtare”, vlerësonmë tutje publicisti Zeqiraj.

Ai thotë se këtë qeveri e krijoi Serbia dhe, pavarësisht tullumbaceve të saj, me ndonjë kritikë anësore, ajo e donë krimin në pushtet.

“Askush më mirë se garnitura aktuale pushtetare, nuk i shërben Serbisë. Prandaj edhe sponzorizon libra, intërvista dhe folklor, për "komandantët heroikë", eksponentë të krimit të organizuar, të haraçit dhe të hajnisë zyrtare. Si e tillë pritej të ishte, andaj nuk do të duhe lejuar të formohet kjo qeveri e krimit faktik. Dhe, ndonëse është formuar, duhet rrëzuar, madje, me çdo çmim”, përfundon Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat