“Zhduket” Nait Hasani

Aktuale

“Zhduket” Nait Hasani

Më: 18 janar 2018 Në ora: 14:41
Nait Hasani

Iniciatori i nismës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Nait Hasani (deputet i PDK-së), nuk është bërë i “gjallë” më prej se shefi i partisë së tij, Kadri Veseli, është tërhequr nga kjo iniciativë.

Veseli më 8 janar, në një shkrim autorial tha se Gjykata Speciale nuk mund të ndalet, ashtu siç nuk kishte mundur të ndalet as në vitin 2015 (kur ishte miratuar në kuvend).

Një tërheqje “taktike” e Veselit kishte ardhur pas presionit të madh të bashkësisë  ndërkombëtare, e cila kishte paralajmëruar liderët institucionalë për rrezikun që do t’i kanosej Kosovës, në rast të zhbërjes së kësaj gjykate.

Ndërkaq, pasi Nait Hasani kishte mbledhur 43 nënshkrime të deputetëve, natën e 22 dhjetorit kryekuvendari Veseli kishte thirrur mbledhje urgjente të kryesisë, për ta proceduar në kuvend projektligjin për shfuqizimin e Speciales.

Mirëpo, një nismë e tillë dështoi dy herë radhazi në mungesë të kuorumit, po atë ditë.

E iniciuesi Hasani, ani pse para deklaratës së Veselit shprehej i vendosur se nisma e tij do të ecte përpara, nuk është deklaruarar tash e dy javë gati.

Pavarësisht, media ka tentuar qe më shumë se një javë ta marrë në telefon, Hasani vazhdimisht e ka mbyllur atë, duke mos u përgjigjur në interesimin tonë.

A është tërhequr edhe Hasani nga kjo nismë apo jo, mbetet të shihet.

Iniciativa për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dështoi edhe gjatë ditës së djeshme, meqë kryesia nuk pati kuorum ta mbante mbledhjen për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm.

Ndërkohë, Veseli ka bërë të ditur se mbledhja do të mbahet në javën që vjen, duke mos saktësuar se në cilën ditë konkretisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat