Ndërprerja e bisedimeve nga ana e Beogradit, veprim i gabuar

Aktuale

Ndërprerja e bisedimeve nga ana e Beogradit, veprim i gabuar

Më: 19 janar 2018 Në ora: 10:10
IlustrimBeogradit

Anulimi i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel, nga analistët vlerësohet si veprim i gabuar nga ana e Beogradit. Sipas logjikës së njejtë edhe pala e Kosovës mund të kërkoj ndërprerje të dialogut, por kjo nuk i kontribuon asnjërës palë, thonë ata. Delegacioni i Serbisë në Bruksel i ka ndërprerë bisedimet në po të njëjtën ditë që nisën ato, për shkak të vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq, mëngjesin e 16 janarit.

Anulimi i takimeve në Bruksel nga ana delegacionit serb për shkak të vrasjes së liderit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit, vlerësohet si veprim i gabuar i Beogradit. Për analistin Naim Rashiti kjo është një kthesë e keqe, në procesin e dialogut në periudhën kur po përgatitej një fazë ndoshta finale e bisedimeve Kosovë-Serbi.

“Është një situatë paradoksale në procesin e dialogut por edhe me qasjen e faktorit ndërkombëtar të BE-së. Në njërën anë pritet për një proces të fazës finale ashtu siç proklamohet edhe në Strategjinë e Zgjerimit të BE-së por në anën tjetër tensione e diskursi i acaruar vazhdojnë. Diçka nuk është në rregull me këtë situatë, prandaj duhet të krijohet një situatë e re më normale, një përgatitje më të mirë, për një kornizë më të qartë për procesin e dialogut”, deklaroi Rashiti.

Nenad Maksimoviç drejtor i organizatës joqeveritare “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” në Graçanicë, thotë se vrasja e Ivanoviqit ishte vrasje e ideve ndryshe dhe alternativave të ndryshme politike. Maksimovic i tha Radio Kosovës se ndërprerja e dialogut si pasojë e vrasjes së Ivanovicit është absolutisht e panevojshme sepse kjo vrasje s’ka lidhje me dialogun.

“Mendoj se është në pyetje një lojë e politikës ditore, ku rëndësia më e madhe sesa e një individi, është të vazhdojë dialogu, por në nivel presidentësh”, deklaroi Maksimoviq.

Për politologun Belul Beqajn – Beogradi zyrtar me këtë veprim në një mënyrë e privatizoi çështjen Ivanoviq, edhe pse ata ishin akterët kryesor kundër politikës së Oliver Ivanovicit. Në një deklaratë në Radio Kosovë, Bleqaj vlerëson se Beogradi nuk ka arsye të privatizojë atentatin ndaj Ivanovicit sepse, sipas kësaj logjike edhe pala e Kosovës mund ta konsideroj vrasjen e tij -arsye për ndërprerje të bisedimeve e që do duhej që dialogu të mos varet nga kjo. Në të kundërtën, Beqaj tha se ky rast do të duhej të ishte arsyeja për vazhdimin e dialogut në mënyrë që të dyja palët të pajtohen dhe të gjindet një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat