Propozimet për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur, 7 ditë afat

Aktuale

Propozimet për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur, 7 ditë afat

Më: 19 janar 2018 Në ora: 14:08
Takimi i përbashkët konsultativ me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Nën drejtimin e këshilltarit të kryeministrit, Jahja Lluka i emëruar edhe mbajtës i dosjes për çështjen e personave të zhdukur, është mbajtur takimi i përbashkët konsultativ me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Në takim është diskutuar për mundësitë e intensifikimit të angazhimit dhe koordinimit më të mirë ndërinstitucional për t’u përgjigje në kërkesat e drejta të familjeve dhe familjarëve të personave të zhdukur.

Lluka duke theksuar rëndësinë dhe arsyen e këtij takimi tha po shqyrtojnë bashkërisht çka mund të bëjnë për të filluar një proces i cili ka ngecur kohën e fundit.

“Edhe pse nuk mund të themi që nuk është bërë asgjë, meqë është punuar, megjithatë rezultatet nuk janë të kënaqshme në veçanti për familjarët”, tha ai.

Sipas një komunikate të Qeverisë, të pranishmit, pasi prezantuan punën dhe aktivitetet e realizuara nga ana e institucioneve kompetente, paraqitën edhe vlerësimet e tyre rreth adresimit të sfidave me të cilat përballet procesi e që kryesisht ndërlidhen me mungesën e informacioneve të besueshme, çështjen e mbetjeve mortore të paidentifikuar dhe mundësitë për një trajtim më të mirë ligjor dhe institucional për familjet e personave të zhdukur.

Duke vlerësuar punën e deritanishme dhe falënderuar partnerët ndërkombëtar për përkrahjen e vazhdueshme, në fund të takimit, është kërkuar nga të gjithë të pranishmit që në një afat prej shtatë ditësh të dërgojnë propozimet me shkrim, bazuar në fushëveprimin dhe përgjegjësitë e tyre institucionale, për intensifikim të përpjekjeve dhe planifikimeve më të mira të përbashkëta për zgjidhjen e kësaj problematike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat